BallinaPertejKQZ gjobit Veliajn, por numri i zyrtarëve 'shkelës' është më i madh

KQZ gjobit Veliajn, por numri i zyrtarëve ‘shkelës’ është më i madh

Kryebashkiaku i Tiranës u ndëshkua me masë administrative nga KQZ, për shkelje të urdhërit që ndalon promovimin e objekteve të rindërtuara, gjë që është denoncuar që në 29 dhjetor nga Faktoje. Një ditë para këtij vendimi, bashkia Tiranë i ishte përgjigjur një kërkese zyrtare të Faktojes, se veprimtaria e zotit Veliaj ishte konform ligjit. Në veprimtari promovuese të këtij lloji janë përfshirë edhe zyrtarë jo vetëm nga pushteti vendor, por edhe qeveria.


Më 9 shkurt Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi seancën dëgjimore për shqyrtimin administrativ të kallëzimeve ndaj veprimtarive publike të ndaluara, ndaj Kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.

Përfaqesuesi i bashkisë Tiranë (në mungesë të kryetarit Veliaj) tha:  “Postimi në Facebook nuk hyn tek veprimtari të cilat quhen veprimtari publike dhe këtë arsytim tashmë është sansionuar tek kolegji i apelimit edhe i sansioneve, që nga ky moment do të rrezohet kërkesa por edhe nëse do ishte, nuk do ishtë veprimtari e ndaluar që e parashikon kodi zgjedhor për arsye së buxheti për inspektimin e këtyre veprimtarive është përcaktuar para datës 24 dhjetor.”

Argumentat e përfaqesuesit të kryebashkiakut nuk u morën parasysh dhe KQZ mori vendim për gjobitjen e tij.

“Bazuar në analizën e fakteve dhe provave të administruara nga KQZ, vendosi sanksionin administrativ me gjobë ndaj z. Erion Veliaj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës në shumën 35. 000 lekë për shkelje të nenit 92, pikat 1, 2 të Kodit Zgjedhor për mosraportim të aktiviteteve publike dhe në shumën 40. 000 lekë për shkelje të nenit 3, paragrafit 1.3, shkronja “b”, të vendimit nr. 9/2020 të komisionit Rregullator për zhvillimin e veprimtarive të ndaluara.” 

Në 24 dhjetor 2020 KQZ mori vendim për ndalimin e disa aktiviteteve që promovojnë procesin e rindërtimit, 4 muaj para zgjedhjeve. 5 ditë pas këtij vendimi Faktoje publikoi shkeljen e parë të verifikuar nga kryebashkiaku i Tiranës Veliaj.

Screenshot nga postimi në Facebook i Erion Veliaj, 29.12.2020 

Aktivitete të ngjashme me dorëzimin e çelësave në dorë, banorëve të prekur nga tërmeti, Veliaj i vijoi rregullisht edhe në janar, madje në njërin prej tyre ai sfidoi KQZ-në, duke e etiketuar si ‘tryezë analistësh’.

Foto e Erion Veliaj i cili përuron shtëpitë e rindërtuara në Baldushk 12 janar 2021 

Pas kësaj deklarate, Faktoje kontaktoi kryetarin e Komisionit Rregullator në KQZ, Ilirjan Celibashi lidhur me situatën e krijuar.

“KQZ nuk mban qëndrime mediatike ndaj subjekteve që i ka nën monitorim, sipas Kodit Zgjedhor dhe vendimit nr. 9 datë 24.12.2020 të KQZ-së. Çdo vendimmarrje në lidhje me subjektet e monitoruara do të zbatohet në përputhje me Kodin Zgjedhor, Kodin e Procedurave Administrative dhe akteve nën ligjore fuqi”-ishte përgjigjja e zotit Celibabashi në atë kohë.

Aktivitet e Veliajt ndërkohë, edhe pse ne shkelje të urdhërit, vijuan rregullisht. Më datë 14 janar ai, ishte në Dritas ku tre familjeve iu dhanë çelësat e shtëpive të rindërtuara.

Më 19 janar në një aktivitet të ngjashëm në Zall-Herr ishin edhe Kryeministri Rama, Kryebashkiaku Veliaj dhe Ministri i Rindërtimit.

Një ditë para se KQZ të vendoste masën administrative ndaj zotit Veliaj, në redaksinë e Faktoje mbërriti përgjigjja e bashkisë Tiranë lidhur me një kërkesë për informacion, ku kërkonim të dinim nëse ky institucion do të ndërmerrte ndonjë nismë ligjore për kundërshtimin e urdhërit nr. 9 date 24.12.2020.

Kërkesë për informacion drejtuar Bashkisë Tiranë, 12 janar 2021

Përgjigje e Bashkisë Tiranë, 4 shkurt 2021

Veprimtaritë e ndërmarra deri në këtë moment, në kuadër të proçesit të rindërtimit për shkak të fatkeqësisë natyrore, nuk përmbushin cilësinë e nevojshme për t’u konsideruar si veprimtari të ndaluara për t’u promovuar, pasi nuk janë vënë rishtazi apo posaçërisht në dispozicion apo janë transferuar fonde publike, jo sipas planit buxhetor të miratuar, në periudhën katër mujore para datës së zgjedhjeve, por janë ndjekur në vazhdimësi, sipas parashikimeve të akteve ligjore dhe nënligjore që rregullojnë përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore. Bashkia Tiranë ka vijuar rregullisht me raportimin e çdo veprimtarie me karakter publik që kryen institucioni”. 

Sipas kësaj përgjigjeje, bashkia Tiranë argumenton se nuk po kryen ndonjë shkelje, por nuk sqaron nëse do kundërshtojë institucionalisht vendimin ‘ndalues’ të KQZ. Gjithashtu mbetet për t’u parë nëse do ketë ndonjë reflektim pas gjobës së vendosur kryebashkiakut edhe nga subjektet e tjera që kanë shkelur në mënyrë të përsëritur urdhërin e KQZ.

Kryeministri Edi Rama me 5 janar ishtë në Durrës bashkë me kryetaren e bashkisë Emiriana Sako për promovimin e procesit të rindërtimit.  Kryeministri gjithashtu ka pasur aktivitet të ngjashëm në Bashkinë Shijak në shoqërinë e kryebashkiakut Elton Arbana dhe ministrit të rindërtimit Arben Ahmetaj. Nga verifikimi i Faktoje Kryeministri Rama dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë kanë shkelur vendimin e KQZ me aktivitete të tjera të kësaj natyre në Thumanë më 15 janar, si dhe në Laç e në Kamëz por deri më tani nuk ka ndonjë vendimmarrje për shkelje ndaj tyre.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img