.

.

BallinaPertejVendimi i KQZ për veprimtaritë promovuese po shkelet

Vendimi i KQZ për veprimtaritë promovuese po shkelet

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, me anë të një vendimi kufizon disa veprimtari, të partive politike për periudhën e 4 muajve para zhvillimit të procesit zgjedhor deri në caktimin e qeverisë së re. Nga verifikimi që ka bërë Faktoje, rezulton se zyrtarë nga pushteti qendror dhe vendor vijojnë të thyejnë këto rregulla.


Me një vendim unanim, më 24 dhjetor, Komisioni Rregullator në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve vendosi të kufizojë disa veprimtari të subjekteve apo zyrtarëve politikanë, kryesisht me karakter promovimin e “punëve të mira”, në një periudhë 4-mujore para ditës së zhvillimit të zgjedhjve (25 prill 2021) e deri në caktimin e qeverisë së re.

Vendimi i KQZ-së, i cili hyri në fuqi më 25 dhjetor dikton ndalimin e kryerjes së veprimtarive promovuese si:

  • Shpërndarjen në veprimtari publike të lejeve të legalizimeve, në periudhën 4 (katër) mujore para datës së zgjedhjeve;
  • Shpërndarjen në veprimtari publike të akteve për regjistrimin e tokës bujqësore, çertifikatave të pronësise, dhe cfarëdolloj titulli pronësie sipas legjislacionit për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë, si dhe të regjistrimeve të titujve të pronësisë sipas ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën” në periudhën 4 (katër) mujore para datës së zgjedhjeve;
  • Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në ditën e zgjedhjeve, ndalohet dhënia e kontratave publike të koncensionit/partneritet publik privat (PPP);
  • Promovimin e objekteve të rindërtuara ose në proces rindërtimi për shkak të fatkeqësive natyrore etj.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve argumenton se këto masa merren me synimin për të shmangur keqpërdorimin e burimeve shtetërore për qëllime të fushatës elektorale.

Kush po i thyen rregullat!

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, në kundërshtim me pikën 4 të vendimit të KQZ, datës 24.12.2020, në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”, më 29 dhjetor postoi imazhe teksa i dorëzonte një qytetari dokumentet e pronësisë së banesës së rindërtuar.

“Muhamet Deliu nuk e kishte menduar se natën e ndërrimit të viteve do ta festonte në shtëpinë e re, të rindërtuar pas dëmtimit nga tërmeti, në ngrohtësinë e familjes. Sot, i dorëzuam edhe dokumentet e pronësisë së shtëpisë!”- shkroi Veliaj në postimin, bashkëngjitur së cilit shfaqen edhe imazhe me pjesëtarë të familjes Deliu.

*Screenshot nga postimi në Facebook i Erion Veliaj, 29.12.2020

Po ashtu, në rrjetin social të kryebashkiakut Veliaj gjenden pamjet të disa aktiviteteve të ngjashme, ku zoti Veliaj u dorëzon banesat e rindëtuara të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

“Vazhdon kthimi në banesë i banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Familjet e Qani Merepezë, Rifat dhe Ibrahim Myrtës në Pezë hynë sot në shtëpitë e tyre të reja, të sapo rindërtuara, ku do të festojnë Vitin e Ri.” – shkroi Veliaj në një postim të datës 28 dhjetor.

Deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela theu gjithashtu rregullat e vendosura nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve duke shpërndarë leje legalizimi.

Më 27 dhe 29 dhjetor 2020, deputeti Bujar Çela postoi në rrjetin e tij social imazhe nga dhënia e lejeve të legalizimit në Hysgjokaj dhe Golem.

*Foto nga postimet në Facebook të deputetit Bujar Çela

Anëtari i Komisionit Rregullator në KQZ, Muharrem Çakaj në mbledhjen e së mërkurës (30 dhjetor) denoncoi si të paligjshme veprimtaritë e deputetit Çela.

“Çfarë pune ka deputeti me një dokument zyrtar të shtetit shqiptar? Dokumenti i legalizimit duhet të dërgohet me postë ose shpërndahet në sportel. Si përfundon ky dokument në duart e deputetit? Ky është një shpërdorim detyre” – u shpreh Çakaj.

Edhe kryetari i Komisionit Rregullator, Ilirjan Celibashi u shpreh se një veprim i tillë është i ndaluar e madje të shëmtuar.

“Shpërndarja e lejeve të legalizimit nuk është çështje që i përket deputetit dhe asnjë funksionari tjetër. Është përgjegjësi e organeve të posaçme që merren me legalizimet. Çdo angazhim tjetër është i jashtligjshëm. Duket diçka e shëmtuar. Nuk kanë asnjë meritë ata, është vetëm një marrëdhënie mes qytetarit dhe institucionit të ngarkuar me prodhimin e lejes” – u shpreh Celibashi.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, në faqen zyrtare ka krijuar edhe një hapësirë ku qytetarët mund të konsultohen apo të denoncojnë raste të dyshura të thyerjes së këryre rregullave,

“Publiku dhe çdo palë tjetër e interesuar mund të kallëzojë/ informojë për raste të cilat gjykojnë se janë në shkelje të ligjit” – njofton KQZ.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img