BallinaAktualitetCovid-19Koronavirusi! Si të mbroni shëndetin tuaj mendor

Koronavirusi! Si të mbroni shëndetin tuaj mendor

Marrë nga BBC

Si përjetohet nga njerëzit shtetrrethimi dhe kufizimi i aktiviteteve të përditshme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit? Si e përjetojnë këtë personat që janë më të ekspozuar ndaj ankthit? “Faktoje” zhvilloi një sondazh në Facebook, ku 78 % e votuesve konfirmojnë se masat shtrenguese kanë ndikuar në gjendjen shpirtërore dhe psikologjike të tyre dhe të familjarëve apo të afërmve. Nisur nga ky rezultat po sjellim një artikull informues sesi mund të sfidojmë ankthin në këto kohë të vështira jo vetëm për Shqipërinë, por të gjithë botën, e cila po përballet me një armik të përbashkët, virusin COVID-19.

Koronavirusi ka kredhur botën në pasiguri dhe lajmet e vazhdueshme mbi pandeminë mund të ndihen intensive dhe të panumërta. E gjithë kjo po sjell ndikim negativ në shëndetin mendor të njerëzve, veçanërisht atyre që bashkëjetojnë me gjendje të tilla si ankthi dhe çrregulimi obsesiv kompulsiv. Po si mund ta mbrojmë shëndetin tonë mendor në një rast si ky?

Të qenit i shqetësuar nga lajmet që dëgjon është i kuptueshëm, por për shumë persona mund të përkeqësojë problemet ekzistuese të shëndetit mendor.

Kur Organizata Botërore e Shëndetësisë dha këshilla mbi mbrojtjen e shëndetit mendor gjatë shpërthimit të koronavirusit, kjo u mirëprit në rrjetet sociale.

Siç shpjegon Nicky Lidbetter i “Anxiety UK”, një organizatë britanike bamirësie për personat që vuajnë nga ankthi, frika se mund të humbasësh kontrollin dhe  pamundësia për të toleruar pasigurinë, janë karakteristika të zakonshme për ata që kanë ankth. Ndaj është e kuptueshme që shumë individë me probleme ekzistuese ankthi po përballen me vështirësi në këtë moment.

“Shumë ankth është rrënjosur në shqetësimin mbi të panjohurën dhe në pritjen se diçka do të ndodhë – koronavirusi është në atë shkallë makro,” thotë Rosie Weatherley, zëdhënëse për organizatën e bamirësisë “Mind”.

Pra si mund ta mbrojmë shëndetin tonë mendor?

Kufizoni lajmet dhe jini të kujdesshëm mbi çfarë zgjidhni të lexoni 

Të lexosh shumë lajme mbi koronavirusin ka çuar drejt sulmeve të panikut për Nikun, babanë e dy fëmijëve nga Anglia juglindore, i cili vuan nga ankthi.

“Kur ndihem nën efektin e ankthit, mendimet e mia mund të dalin jashtë kontrollit dhe filloj të mendoj për pasoja katastrofike të situatave”, thotë ai. Niku është i shqetësuar për prindërit e tij dhe të moshuar të tjerë që ai njeh.

“Zakonisht kur jam në këtë gjendje, mund të largohem nga kjo situatë. Ajo është jashtë kontrollit tim. ” thotë Nik.

Qëndrimi për periudha të gjata larg faqeve të lajmeve dhe rrjeteve sociale e ka ndihmuar atë të menaxhojë gjendjen e ankthit. Ai gjithashtu ka gjetur mbështetje në linja telefonike enkas për këtë qëllim dhe i konsideron këshillat e tyre të dobishme.

  • Kufizoni sasinë e kohës që shpenzoni duke lexuar ose parë gjëra që nuk ju bëjnë të ndiheni më mirë. Ndoshta mund të vendosni një orë të caktuar për t’u përditësuar me lajmet.
  • Ka shumë informacion të rremë vërdallë – qëndroni të informuar duke u mbështetur tek burimet e besuara të informacionit si qeveria dhe shërbimet e kujdesit shëndetësor.

Qëndroni përkohësisht larg nga rrjetet sociale dhe bllokoni çfarë ju nxit ankthin

Alison, 24 vjeçe, nga Mançesteri, vuan nga ankthi dhe ndihet e detyruar të qëndrojë e informuar dhe të hulumtojë mbi situatën. Por në të njëjtën kohë, ajo e di se rrjetet sociale mund të jenë një nxitës i ankthit.

“Një muaj më parë po klikoja hashtaget dhe po shihja gjithë këto dokrra rreth konspiracioneve të paverifikuara që më shkaktuan shumë ankth, aq sa ndihesha e pashpresë dhe filloja të qaja”, thotë ajo.

Tani Alison është e kujdesshme rreth faqeve që zgjedh të vizitojë dhe shmang klikimet në hashtagët rreth koronavirusit. Ajo gjithashtu po përpiqet fort që të kalojë kohë larg rrjeteve sociale, duke parë TV ose lexuar libra.

  • Bllokoni fjalët kyçe të cilat mund të jenë nxitëse në Twitter, ndaloni së ndjekuri ose bllokoni profile të ndryshme.
  • Bllokoni grupet në WhatsApp dhe fshihni nga faqja juaj postime të Facebook nëse gjykoni se ju ngarkojnë.

Lani duart – por jo në mënyrë të tepruar 

Organizata e bamirësisë “OCD Action” ka parë një rritje në kërkesa për mbështetje psikologjike nga persona frikërat e të cilëve janë fokusuar në pandeminë e koronavirusit.

Për njerëzit me OCD (çrregullime obsesive kompulsive) dhe disa lloje ankthi, t’u thuash vazhdimisht se duhet të lajnë duart, mund të jetë e dëmshme për t’u dëgjuar.

Sipas Lily Bailey, autore e “Sepse Ne Jemi të Këqinj”, një libër mbi OCD, frika nga kontaminimi është një aspekt i çrregullimit të saj obsesiv kompulsiv. Ajo thotë se këshilla mbi larjen e duarve mund të jetë një nxitës i fortë për persona të cilët e kanë marrë veten nga ky çrregullim.

“Është shumë e vështirë sepse tani më duhet të praktikoj disa nga sjelljet që jam përpjekur të shmang,” thotë Bailey. “Po i qëndroj këshillës në mënyrë strikte, por është e vështirë, duke konsideruar që për mua, sapuni dhe higjenizuesit ishin diçka e krahasueshme me një varësi”.

Organizata “OCD Action” thotë se çështja nga e cila duhet të ruhemi është funksioni – p.sh., a po praktikohet pastrimi i duarve për kohë të caktuar në mënyrë që të reduktohet rreziku i përhapjes së virusit – apo po kthehet në ritual thjesht për t’u “ndjerë mirë”?

Baily vë në dukje se për shumë persona me OCD, të përmirësohesh do të thotë të jesh në gjendje që të largohesh nga shtëpia – kështu që vetizolimi mund të shfaqë një tjetër sfidë.

“Nëse jemi të detyruar të qëndrojmë në shtëpi, kemi shumë kohë në dispozicion, kështu që mërzia mund ta përkeqësoje çrregullimin,” thotë ajo.

Qëndroni në kontakt me njerëzit

Një gjithnjë e më i madh njerëzish do t’u bashkohet atyrë që janë tashmë në vetizolim, ndaj tani mund të jetë koha e duhur për t’u siguruar që keni numrat e telefonit dhe adresat e e-mailit të personave për të cilët interesoheni.

“Caktoni një kohë të përshtatshme për të kontaktuar njeri-tjetrin dhe krijoni afrimitet me personat që ju rrethojnë” thotë Watherley.

Nëse jeni në vetizolim, përpiquni të ruani balancën mes rutinës dhe krijimit të variacionit aq sa është e mundur.

Në fund do të kuptoni se po kaloni javë realisht produktive. Mund të praktikoni një agjendë ditore ose të lexoni një libër që planifikonit ta lexonit.

Shmangni “shterimin nervor”

Me javë dhe muaj të tërë të pandemisë së koronavirusit përpara, është e rëndësishme që të keni një kohë qetësimi. Organizata “Mind” rekomandon që të vazhdoni të jeni në kontakt me natyrën dhe dritën e diellit kur e keni të mundur. Bëni ushtrime, ushqehuni siç duhet dhe qëndroni të hidratuar.

“Anxiety UK” sugjeron të praktikoni pikat e mëposhtme për të luftuar ankthin dhe shqetësimet.

  • Pranoni: Dalloni dhe pranoni pasigurinë ndërsa ju kalon ndërmend.
  • Bëni një pauzë: Mos reagoni siç bëni zakonisht! Mos reagoni fare! Bëni një pauzë dhe merrni frymë thellë!
  • Tërhiquni: Thuajini vetes që thjesht po flet shqetësimi brenda jush, dhe kjo nevojë për siguri nuk është ndihmëse dhe është e panevojshme. Është thjesht një mendim ose ndjesi. Mos besoni gjithçka që mendoni. Mendimet nuk janë fakte!
  • Lini të shkojë: Lini mendimet dhe ndjenjat tuaja të shkojnë. DO kalojë. Ju nuk keni pse t’u përgjigjeni atyre. Mund t’i imagjinoni duke pluskuar tutje në një flluskë ose re.
  • Eksploroni: Eksploroni momentin aktual, sepse tani, në këtë moment, gjithçka është mirë. Dalloni frymëmarrjen tuaj dhe ndjesitë e frymëmarrjes suaj. Dalloni tokën që ndodhet poshtë jush. Shihni rrotull dhe dalloni çfarë shihni, çfarë dëgjoni, çfarë mund të prekni, çfarë mund të nuhatni. Tani! Më pas zhvendoseni fokusin e vëmendjes suaj tek diçka tjetër – në çfarë ju duhet të bëni, në çfarë po bënit përpara se të dallonit shqetësimin, ose të bëni diçka tjetër – duke i kushtuar gjtihë vëmendjen tuaj.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img