BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookKanella nuk zëvendëson insulinën për uljen e sheqerit në gjak

Kanella nuk zëvendëson insulinën për uljen e sheqerit në gjak

Artikuj që flasin për kura alternative ndaj atyre mjekësore të rekomanduara nga specialistët, rrezikojnë të kthehen në burim disinformimi shumë të dëmshëm për lexues, të cilët mund të besojnë informacion të pa verifikuar dhe të veprojnë bazuar mbi to. I tillë është rasti i artikullit që njofton në titull një “mrekulli” mjekësore të efektit të kanellës ndaj sheqerit në gjak, e shpërndarë nga disa media të ndryshme, duke përhapur dizinformim të rrezikshëm për lexuesit.

Jona Plumbi

Kuzhina Ime” publikoi një artikull në shtator të vitit të kaluar ku tregohej historia e një inxhinieri të quajtur Svetislav, i cili njoftonte se si kishte kuruar sheqerin e lartë në gjak duke pirë kanellë. Artikulli është ripublikuar nga media të tjera si “syri.net”, “thelajme.co”, “albanian-news.com”, “albaniantimes.org” dhe “alhikmaofficial.com” edhe pse informacioni, i pavërtetuar nga të gjitha portalet që e kanë publikuar, jep këshilla të rrezikshme për të sëmurët me diabet.

Artikulli tregon se si një inxhinier mekanik në pension u diagnostikua me sheqer shumë të lartë në gjak, por refuzoi të marrë insulinë sipas rekomandimeve të mjekëve, pasi zgjodhi të kurohej në mënyrë natyrale me kanellë të llojit Ceilon, e cila sipas portaleve ia uli sheqerin në gjak nga 21 njësi në 6.1 njësi brenda 1 jave. Personazhi i cituar në artikull si pacienti që përjetoi këtë rezultat të kanellës, përmendet vetëm me emër, Svetislav, duke e pamundësuar gjetjen dhe kontaktin me të, për të verifikuar vërtetësinë e rastit në fjalë.

“Faktoje” verifikoi informacionin dhe vërtetoi se edhe pse kanella ka efekt pozitiv në uljen e sheqerit në gjak, në asnjë rast apo studim nuk përmenden rezultate aq të shpejta dhe efektive, si pretendon artikulli. Niveli normal i glukozës në gjak për të moshuarit e shëndetshëm mund të variojë nga 6.5 në 7.6 milimole për litër. Për ata të cilët mund të jenë me imunitet më të dobët apo me sëmundje, glukoza arrin nga 7.6 – 9.0 milimole për litër gjak.

Efekti pozitiv i kanellës Ceylon në uljen e nivelit të glukozës në gjak është vërtetuar nga disa studime mjekësore, por efekti i saj në shëndetin e njerëzve në asnjë rast nuk i afrohet rezultateve të cituara nga portalet e sipërpërmendura. “Faktoje” zbuloi se studimet e kryera mbi pacientë diabetik te tipit 2, në rastin më të mirë treguan një ulje me 48% të nivelit të glukozës në gjak, por vetëm pas trajtimit për 4 javë. Bazuar mbi këto studime, rezulton se pretendimi se kanella e llojit Ceylon mund të ulë sheqerin në gjak me 71% brenda 1 jave është i pavërtetë.

Lajme të tilla të paverifikuara, ndikojnë tek lexuesit që vuajnë nga e sëmundja e përmendur në artikull, duke i nxitur ata të refuzojnë rekomandimet e mjekëve për të provuar kura natyrale. Kjo është jo vetëm kundër etikës profesionale gazetareske, por njëkohësisht edhe e rrezikshme për ata lexues të cilët e besojnë informacionin e ofruar.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img