BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartë80 apartamentet e reja në Lezhë përfunduan, por deri në fillim të nëntorit asnjë familje s’kishte hyrë brenda

80 apartamentet e reja në Lezhë përfunduan, por deri në fillim të nëntorit asnjë familje s’kishte hyrë brenda

Në muajin gusht, Bashkia e Lezhës bënte me dije se procesi i rindërtimit të 80 apartamenteve të dëmtuara në lagjen “Gurra” kishte përfunduar. Një verifikim i Faktoje në terren zbuloi se familjet e pallateve 5, 6 dhe 7 në rrugën “Kol Toma” i kanë marrë çelësat e apartamenteve tre muaj më vonë ndaj asnjë prej tyre nuk është i banuar.

Esmeralda Topi

 

“Edhe apartamente të reja në zonën e dytë në Lezhë, pas bllokut të parë të dorëzuar me apartamente.”shkruante në facebook më 18 gusht të këtij viti Kryetari i Bashkisë së Lezhës Pjerin Ndreu, duke rishpërndarë postimin e Kryeministrit Edi Rama në kuadër të procesit të rindërtimit.

Screenshot nga profili i Kryebashkiakut Pjerin Ndreut në Facebook

Lezha ishte një nga qytetet më të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Tre pallatet e dëmtuara në lagjen “Gurra” ishin pjesë e rëndësishme e procesit të rindërtimit në këtë qytet. 80 apartamentet e këtyre objekteve u ndërtuan nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të procesit të rindërtimit që ndërmori qeveria, ndërkohë që Bashkia Lezhë shpërndante bonusin e qirasë për familjet e mbetura pa “çati”.

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim në terren nisur nga rëndësia që ka procesi i rindërtimit për familjet e prekura nga tërmeti tragjik i tre viteve më parë. Më 9 nëntor ne ishim në Lezhë për të parë nga afër nëse bashkia kishte shpërndarë çelësat e apartamenteve të përfunduara për banorët e lagjes “Gurra”.

Një nga tre pallatet e rindërtuara në lagjen “Gurra”, Lezhë 9 nëntor

Tre pallatet e përfunduara në rrugën “Kol Toma” ishin bosh. Asnjë apartament nuk ishte i banuar, por disa banorë të ardhshëm të këtyre objekteve i takuam rastësisht pasi po hynin për herë të parë në apartamentet e përfunduara që në gusht.

“Çelësat i morëm më 7 nëntor. Na lajmëruan tek Bashkia hajdeni merreni shpejt. Tani na duhet të bëjmë porosi mobiljet dhe orenditë e tjera. Sot erdha bashkë me tim shoq që të shoh se çfarë na duhet të bëjmë.” – na thotë një banore e pallatit numër 5 në lagjen “Gurra”.

“Na i dhanë çelësat shpejt e shpejt, sepse thonë që do të vijë Kryeministri Edi Rama në Lezhë këto ditë.” –thotë një tjetër banore e pallateve të rindërtuara, ndërkohë që një tjetër shton:

“Na i dhanë çelësat, sepse duan të heqin bonusin e qirasë. Për disa banorë bonusi ka vazhduar edhe dy muaj pasi kanë marrë çelësat. Të shohim a do të na japin ne apo do na e heqin.” 

Përpara verifikimit tonë në terren, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Lezhës, për të mësuar nëse familjet kishin marrë çelësat e apartamenteve apo jo.

Në një përgjigje të kthyer rreth një muaj pas kërkesës sonë, Bashkia e Lezhës na drejtoi për informacion të detajuar tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si njësi zbatuese e këtij projekti.

“Ju bëjmë me dije se Bashkia Lezhë nuk është njësia zbatuese e këtij projekti, por Fondi Shqiptar i Zhvillimit.” – shkruan në përgjigjen e saj Bashkia e Lezhës.

Screenshot nga përgjigja e Bashkisë Lezhë, 13 tetor 2022

 

Nisur nga informacionet e mbledhura si dhe verifikimi në terren, premtimin e Kryetarit të Bashkisë së Lezhës për përfundimin e 80 apartameneteve në lagjen “Gurra” do ta kategorizojmë si të mbajtur, edhe pse deri në javën e parë të muajit nëntor, banorët ende nuk kishiun hyrë për të banuar në apartamentet e reja.

“Faktoje”, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img