BallinaFaktometerE vërtetëJorida Tabaku: 1300 biznese janë mbyllur në muajin qershor 2018

Jorida Tabaku: 1300 biznese janë mbyllur në muajin qershor 2018

Klevis Paloka

1300 biznese janë mbyllur në muajin qershor 2018”, kështu deklaronte gjatë fjalës së saj në Komisionin e Ekonomisë, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

Duke u nisur nga kjo deklaratë e nënkryetares së Komisionit të Ekonomise, Tabaku, “Faktoje”, kontaktoi me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Qendrën Kombëtare të Biznesit për t’i pyetur në lidhje me numrin e bizneseve të mbyllura gjatë muajit Qershor 2018.

Sipas DPT-së numri i subjekteve të kaluar në statusin pasiv për periudhën Qershor 2018 është 1348, ndërsa sipas QKB-së, numri i subjekteve që kanë kaluar në statusin ‘’i pezulluar’’ për muajin Qershor të këtij viti është 978.

Duke u nisur nga ky ndryshim numrash midis DPT-së dhe QKB-së, ‘’Faktoje’’ kontaktoi me Qendrën Kombëtare të Biznesit për të pyetur se përse ndodh një gjë e tillë duke qenë se numri i bizneseve të mbyllura ndryshon nga ai që disponon Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Përgjigja e QKB-së ishte: ‘’Qendra Kombëtare e Biznesit, kryen regjistrimet në regjistrin tregtar, bazuar në aplikimet e kryera nga subjektet që detyrohen të regjistrohen, në përputhje me nenin 22 të ligjit.

Ndërkohë, në nenin 40, të ligjit Nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, në administratën tatimore regjistrohen personat juridikë, fizikë dhe individët e mëposhtëm: personat, “të vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi ambulant”, “kryefamiljari, që punëson persona si punëtorë shtëpie”, si dhe organizatat jo fitimprurese. Per sa me siper sqarojme se, sistemi tatimor eshte i ndryshem nga sistemi i regjistrit tregtar”.

Duke u nisur edhe nga sqarimi i mësipërm i QKB-së dhe nga statistikat e marra nga institucionet përkatëse, deklaratën e deputetes së Partisë Demokratike do ta kategorizojmë si të VËRTETË, sepse numri i bizneseve të mbyllura për muajin qershor është më shumë se 1300.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img