BallinaFaktometerE vërtetëA ka punuar pa leje mjedisore inceneratori i Tiranës?

A ka punuar pa leje mjedisore inceneratori i Tiranës?

Alked Luku

Inceneratori i Tiranës në Sharrë, për një periudhë kohë ka vepruar pa leje mjedisore, që nga data e fillimit të kontratës në 2017-n, deri në gusht 2021. Një komunikim zyrtar i Faktoje me Agjencinë Kombëtare të mjedisit konfirmon këtë fakt, ndërsa  verifikimi i dokumenteve të publikuara nga QKB tregon se kësaj kompanie i është refuzuar leja mjedisore 3 herë, 2 herë të tjera është tërhequr dhe ka 2 leje aktive.

——————————————————————————————————————————–

Më 22 janar të këtij viti deputetja e PD Ina Zhupa, njëkohësisht anëtare e komisionit hetimor parlamentar për çështjen e inceneratorëve, u shpreh se inceneratori i Tiranës gjatë vitit 2020 ka funksionuar pa leje mjedisore.

“Ka funksionuar herë pas here dhe në 2020 i është refuzuar leja mjedisore dhe funksiononte pa leje mjedisore. Ndërkohë që një byrektore në qytetin e Tiranës nuk funksionon dot pa leje mjedisore, sepse shkojnë herën e parë i vënë gjobë, shkojnë herën e dytë i vënë gjobë dhe pastaj nuk e lënë më të funksionojë, se është duke ndotur mjedisin. Po inceneratori i Tiranës ka vazhduar punë normalisht edhe pa leje mjedisore, sepse kishte mbrojtjen politike.”- theksoi Zhupa.

Nisur nga kjo deklaratë, ne vendosëm t’i drejtohemi me një kërkesë për informacion Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, institucioni i cili shqyrton kërkesat dhe jep lejet mjedisore. Ne u interesuam nëse AKM ka pajisur me leje mjedisore kompaninë Integrated BV SPV, e cila sipas kontratës koncensionare të datës 31.08.2017 ofron shërbimin e trajtimit të mbetjeve në Tiranë.

Screenshot nga kërkesa për informacion drejtuar Agjensisë Kombëtare të Mjedisit

Në përgjigjen zyrtare, AKM bën me dije se kompania Integrated BV SPV për fazën e instalimit, është pajisur me Deklaratë Mjedisore Vendimi 54, datë 16.11.2018, për projektin “Instalim për asgjesimin e mbetjeve urbane me anë të incenerimit dhe prodhimit të energjisë elektrike”, në zonën e trajtimit të mbetjeve Sharrë, Tiranë.

Ndërsa për fazën e funksionimit AKM shprehet se për këtë projekt, kompanisë i është refuzuar Leja Mjedisore Tipi A me LC-0848-07-2019, Komisioni 01, datë 16.01.2020. Ky refuzim është bërë publik edhe në faqen zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit.

Screenshot nga përgjigjia zyrtare e Agjensisë Kombëtare të Mjedisit

Meqë përgjigjia e AKM ishte e paplotë, pasi nuk jepte sqarim për pyetjen 3 dhe 4, ne bëmë ankimim te Komisioneri për të Drejtën e Informimit.

Në përgjigjien e mbërritur pas ankimimit, AKM na bën me dije se kompania Integrated Energy BV SPV është pajisur me leje mjedisore më datë 19.08.2021, ose 4 vite pas firmosjes së kontratës koncensionare (që mban datën 31.08.2017).  Vlefshmëria e lejes është aq sa kohëzgjatja e kontratës në fjalë.

Në këtë shkresë AKM nuk detajon tipin e lejes së dhënë, ndryshe nga përgjigjja e parë.

Screenshot nga përgjigjia e AKM pas ankimimit

Ne bëmë një verifikim edhe në faqen zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit QKB dhe na rezultoi që kjo kompani është pajisur me licencë të kategorisë III.2.B më 09.07.2018 për aktivitetin grumbullim, transport, ruajtje dhe asgjesim të mbjetjeve urbane, pra 11 muaj nga nënshkrimi i kontratës koncesionare, dhe nisja e aktivitetit.

Screenshot i miratimit të licensës së Kategorisë III.2.B në QKB

Ndërkohë edhe sipas QKB, rezulton se Leja e Mjedisit e Tipit A për veprimtarinë “menaxhimi i mbetjeve”, është miratuar në më datë 19.08.2021, ose 4 vite pas firmosjes së kontratës koncensionare.

Screenshot i miratimit të lejes së mjedisit Tipi A në QKB

Faktoje, më 1 shkurt 2021 iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Tiranë, si depozituesja kryesore e mbetjeve në Landfillin e Sharrës. Ne u interesuam nëse ka pasur ndërprerje të funksionimit të shërbimit të mbetjeve në Sharrë gjatë periudhës kohore 01 janar 2020 deri në 31 dhjetor 2021.

Screenshot nga kërkesa për informacion drejtuar Bashkisë Tiranë

Bashkia Tiranë në përgjigjen e saj sqaron:

Bashkia Tiranë ka depozituar në Landfillin e Sharrës, për periudhën 01.01.2020 deri në 31.12.2021 pa ndërprerje të shërbimit të ofruar nga kompania “Integrated BV SPV”.

Nga kjo përgjigje vërtetohet se landfilli ka grumbulluar mbetje edhe pse nuk ka pasur leje mjedisore.

Screenshot nga përgjigjia e Bashkisë Tiranë

Po kështu, nga të dhënat për pagesat nëpërmjet Thesarit, publikuar nga OpenSpending.al, rezulton se për periudhën nga firmosja e kontratës koncesionare në gusht 2017 deri në datën e miratimit të lejës mjedisore të tipit A, katër vjet më vonë, kompania “Integrated BV SPV” ka ushtruar aktivitet dhe ka përfituar pagesa në vlerë 4.23 miliardë lekë ose rreth 35 milionë Euro nga taksapaguesit shqiptarë.

Screenshot nga OpenSpending.al (viti 2018 dhe periudha 01.01.2019-18.08.2021)

Faktoje bëri një verifikim në QKB edhe të historikut të aplikimeve për leje mjedisore të subjektit Integrated BV SPV. Nga ky verifikim rezulton se kësaj kompanie i është refuzuar leja mjedisore 3 herë, 2 herë të tjera është tërhequr dhe ka 2 leje aktive.

Screenshot nga faqja zyrtare e QKB për historikun e aplikimit për leje mjedisore nga kompania Integrated Energy BV SPV

Pas verifikimit të kryer dhe informacionit të grumbulluar, deklarata e deputetes Ina Zhupa do të kategorizohet E Vërtetë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img