BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookI keqinterpretuar studimi për metalet e rënda në pluhurin e kuq që mbuloi Shqipërinë

I keqinterpretuar studimi për metalet e rënda në pluhurin e kuq që mbuloi Shqipërinë

Pretendimi: Një studim boshnjak konstaktoi se pluhuri i kuq që mbuloi Evropën në fundin e marsit ka përmbajtje metalesh që nuk gjenden në Sahara

Rate: Mungon konteksti

Analizat e shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë që flasin për kimikate të rënda në pluhurin që mbuloi Europën në mars, nuk kanë bazë shkencore. Vërtetë që ky pluhur mund të përmbajë grimca të dëmshme për shëndetin, por jo në nivelet që pretendohet online.

Postime të shpërndara në rrjetet sociale pretendojnë se pluhuri që mbuloi Europën në fund të muajit mars kishte në përbërje kimikate të rënda dhe për këtë bazohen në analiza që nuk kanë asnjë bazë shkencore.

Të gjithë i mbajmë mend disa ditë në dhjetëditshin e fundit të marsit 2024, kur ajri ishte shumë i ndotur, i ngjyrosur në të kuq…

Një institut i inxhinierisë kimike ka analizuar ‘rërën’, duke rënë shi nga qielli, ata gjetën barium alumini nikel dhe arsenik (metale që NUK ekzistojnë në shkretëtirën e Saharasë) në sasi që tejkalojnë kufijtë e lejuar deri në 700 herë”, shkruan analisti i teorive konspirative Alfred Cako, duke ndarë një video të disa makinerive dhe reve të pluhurit të ngritur prej tyre.

Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale

Ne bëmë një kërkim në internet mbi këto pretendime, ku rezulton se fillimisht këto informacione kanë qarkulluar prej 13 qershorit të vitit 2022, në një faqe të dyshimtë çeke, të quajtur “Aeronet news”.

Faqja në fjalë lëshoi një paralajmërim se një laborator boshnjak kishte gjetur se në një mostër pluhuri të marrë mbi xhamin e një makine kishte nikel, barium dhe alumin, në sasi që tejkalonte kufirin e njohur me më shumë se 700 herë, si dhe metale të tjera të rënda.

Mirëpo, kjo faqe online, që nga viti 2001, publikon në mënyrë anonime artikuj mashtruese, duke i bërë jehonë teorive konspirative. Aq shumë sa në vitin 2015, shërbimi çek i kundërzbulimit e ka identifikuar këtë faqe si një “burim të propagandës së rrezikshme ruse”.

Që atëherë, Ministria e Brendshme çeke e ka klasifikuar atë në listën e faqeve që përhapin dezinformata dhe përmbajtje “në kundërshtim me interesat e shtetit”.

Përveçse e njohur si faqe që përhap informacione të rreme, edhe përfundimet e publikuara nga analiza nuk janë të besueshme. Për të arritur në këto rezultate thuhet se është marrë në shqyrtim një sasi pluhuri e gjetur në një makinë.

Analiza e kryer nga “Instituti Boshnjak i Inxhinierisë Kimike”, thuhet se ishte porositur nga një avokat boshnjak, i quajtur Mirnes Ajanoviç, i njohur në vend si kreu i një partie politike.

Sipas rezultateve, vlerat e nikelit, bariumit ose aluminit të matura në pluhur tejkalojnë në masë të madhe vëllimet e referencës që gjenden në rërën e Saharasë. Por, ky është një eksperiment që nuk respekton asnjë proces shkencor. Në atë kohë, vetë avokati kontrovers pranoi në një video se për të nxjerrë një përfundim përfundimtar mbi përbërjen kimike të këtij kampioni: “do të ishte e nevojshme të kryheshin analiza shtesë nga disa vende të ndryshme, duke respektuar procedurat e marrjes së mostrave të përcaktuara me ligj”.

Pluhuri, i rrezikshëm për shëndetin

Megjithatë, këto re pluhuri saharian që qarkulluan së fundi mbi vendin tonë nuk janë pa rrezik për shëndetin. Një studim i botuar në nëntor 2008 në revistën “Epidemiology” u fokusua në çështjen e grimcave që mund të gjenden në përmbajtjen e këtij pluhuri. Duke përdorur disa mostra të mbledhura midis marsit 2003 dhe dhjetorit 2004 në Barcelonë, një ekip studiuesish në epidemiologjinë mjedisore treguan se pluhuri i rënë gjatë ditëve ku atmosfera është e mbuluar nga retë e ardhura nga shkretëtira mund të përmbajë grimca të dëmshme për shëndetin. Për shembull, nitrati, sulfati, fosfori, amoniumi, hekuri, alumini, karboni dhe madje edhe natriumi ishin të pranishëm, edhe pse në përmasa shumë më pak alarmante se ato të gjetura nga avokati boshnjak. Studiuesit identifikuan grimca midis 1 dhe 1.2 herë më të larta në ajër sesa në një ditë normale.

Fakt mbetet se ekziston një konsensus për rrezikshmërinë e grimcave të pranishme në këtë pluhur, përbërja e të cilave ende analizohet dhe studiohet gjerësisht në punën shkencore. Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) konsideron se ky pluhur është “një kërcënim serioz për shëndetin”. Rreziqe, të cilat megjithatë mbeten për t’u matur, sepse përqendrimet e grimcave janë të moderuara në vendet evropiane.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img