BallinaFaktometerE Pavërtetë"Hotelet në jug të Shqipërisë janë plot", bizneset rrëzojnë deklaratën e Ahmetajt

“Hotelet në jug të Shqipërisë janë plot”, bizneset rrëzojnë deklaratën e Ahmetajt

ANXHELA RUÇI

Turizmi i brendshëm parashikohet si mundësia e vetme për të mbajtur në këmbë këtë sektor të goditur rëndë nga pandemia e Covid-19. Jugu i Shqipërisë këtë vit është përballë një testi mbijetese në kushtet e krijuara. Ministri Ahmetaj deklaroi në “Opinion” se hotelet e jugut janë plot, për shkak të rezervimeve të shumta, por kur “Faktoje” verifikoi disa hotele konstatoi se ata janë në pritje të dëshpëruar për pushues.

—————————————————————————————————————————————–

Turizmi është një nga sektorët më të dëmtuar nga situata që solli koronavirusi, në të gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri. Këtë vit, turizmi bregdetar në Shqipëri parashikohët të frekuentohet më shumë nga pushues vendas sesa të huaj, për shkak të mbylljes së kufijve.

“Faktoje” ka publikuar disa artikuj për dëmet ekonomike që kanë pësuar bizneset me aktivitet turistik, për shkak të pandemisë. Shumica e tyre konfirmojnë që kanë pësuar humbje të mëdha dhe rrezikojnë falimentin.

Por Arben Ahmetaj, ministër i Rindërtimit i ftuar në “Opinion”, u shpreh optimist për rimëkëmbjen e sektorit të turizmit edhe gjatë 2020-s, duke garanuar se sot është e pamundur të rezervosh në jug të Shqipërisë, sepse hotelet janë plot.

“Ju hulumtoni në të gjithë Shqipërinë, a keni mundësi të rezervoni në jug për verën? Jo janë plot”.

Nisur nga kjo deklaratë, ne bëmë një kërkim dhe na rezultoi e kundërta e asaj që thotë ministri. Nga kontaktet që patëm me disa hotele në Vlorë, Dhërmi, Borsh Sarandë e Ksamil, rezulton se hotelet në shumicën e rasteve,  në muajt qershor-korrik-gusht janë bosh dhe të parezervuara.

Rexhina City”, në Vlorë tha se rezervimet për këtë verë janë shumë dobët. Për muajin qershor rezervimet janë zero, ndërsa në pikun e sezoni, korrik dhe gusht vetëm 10-15% e hotelit është e rezervuar. Kryesisht pushuesit janë vendas ose nga Kosova.

Hotel “Elysium” në Dhërmi tregoi se kanë filluar rezervimet për fundjavat e hershme, ndërsa për rezervimet e vonshme që klasifikohet qershor- korrik-gushti, rezervimet s’kanë filluar ende, çka tregon se 45 dhomat e hotelit janë të lira në pikun e sezonit.

Edhe në Himarë është pothuajse e njëjta situatë . “Belvedere Hotel & Suites” nuk ka asnjë nga 10 dhomat e rezervuara, qoftë për edhe një ditë të vetme.

Në Borsh situata parqitet më pozitive. Nga kontaktet që ne patëm me përfaqësues të hotel “Blue Days” prenontimet nga pushuesit shqiptarë kanë filluar dhe në të tre muajt qershor-korrik-gusht ka rezervime. Ky hotel çdo vit pret pushues shqiptarë dhe një numër shumë të vogël të huajsh.

Përfaqësues të “Glow Boutique Hotel & Suits” në Sarandë shprehen se situata është ‘katastrofë’. Të 45 dhomat e hotelit janë bosh, për shkak të anulimeve nga turistët e huaj. Deri më sot ata nuk kanë asnjë prenontim nga pushues shqiptarë.

Edhe në Ksamil, “Villa Kappa” që ne kontaktuam pranoi se nuk ka rezervime, me përjashtim të 6 ditëve në muajin gusht, rezervim që është bërë që në muajt e dimrit dhe nuk është anuluar.

Nga verifikimet e “Faktoje”, rezulton se deklarata e ministrit Arben Ahmetaj është e pavërtetë. Në jug të vendit mund të gjesh lehtësisht hotele që mezi presin kryerjen e rezervimeve për këtë sezon të vështirë për shkak të pandemisë.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img