BallinaPertejGreen pass në vendet e Europës dhe përse Shqipëria nuk mund ta aplikojë një sistem të tillë

Green pass në vendet e Europës dhe përse Shqipëria nuk mund ta aplikojë një sistem të tillë

‘Green pass’ është kthyer në domosdoshmëri në Europë, për të gjithë personat që duan të kenë akses veçanërisht në shërbimet publike. Pasaporta jeshile rezulton të jetë një document elektronik që përmban konfirmimin për kryerjen e vaksinave të njohura nga EMA dhe FDA dhe informacionin e përditësuar mbi testet e rregullta anticovid dhe vërtetimin se personi e ka kaluar sëmundjen. Sipas ekspertit Erion Dasho, kjo është nje metodë pozitive për mbajtjen në kontroll të situatës pandemike, nuk mund të aplikohet aktualisht në Shqipëri.

Në shumë shtete të Europës green pass, apo dokumenti që vërteton situatën shëndetësore dhe kryerjen e vaksinimit anticovid, po aplikohet gjerësisht. Qëllimi është nxitja e vaksinimit sa më të madh të popullatës apo në pamundësi të tij, dhënia informacionit thuajse në kohë reale se personi që kërkon ofrimin e një shërbimi të caktuar publik, nuk është i prekur nga virusi.

Faktoje, me kontributin e kolegëve nga organizatat homologe fact checking (anëtare të Rrjetit Ndërkombëtar të Verifikimit të Fakteve) mori informacion për të paktën 13 shtete, të cilat po aplikojnë ‘green pass’ dhe rregullat anti-Covid. Nga ky verifikim dhe konsultimi me ekspertin e shëndetit publik Erion Dasho, rezulton se për momentin Shqipëria nuk mund të aplikojë një metodë të tillë.

Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion edhe Ministrisë së Shëndetësië, nëse ka një projekt që edhe Shqipëria të ketë një ‘green pass’ si vendet e Europës. Ne jemi ende në pritje të përgjigjes zyrtare.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Shëndetësisë

Ku ndryshon ‘green pass’ nga certifikata shqiptare e vaksinimit?

“Green pass” është një dokument, i cili nënkupton që një person i ka marrë të dyja dozat e vaksinës, ose e ka kaluar Covid-in në 6 muajt e fundit, ose është testuar negativisht në 48 orët e fundit. Kjo tregon se green pass është një ‘dokument’ që përditësohet vazhdimisht.

Nga ana tjetër, certifikata shqiptare e vaksinimit është thjesht një dokument që tregon se një person i ka marrë të dyja dozat e vaksinës. Kjo certifikatë njihet edhe nga shërbimet publike të vendeve të BE-së, për personat që janë vaksinuar me AstraZeneca ose Pfizer/BioNtech.

Pse është e vështirë që Shqipëria të aplikojë ‘green pass’?

Në lidhje me ‘green pass’ dhe sa të mundur e ka Shqipëria aplikimin e saj, Faktoje pyeti ekspertin e Shëndetit Publik, Erion Dasho.

“Jam dakord me green pass në rast se Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik do të plotësojnë dy kushte të rëndësishme, testimin falas sa herë që qytetarët kanë dëshirë të testohen dhe mundësinë për të zgjedhur një prej vaksinave cilësore dhe jo t’u ofrohen vetëm vaksina që nuk njihen nga EMA dhe FDA, siç ka qenë rasti ku për muaj të tërë, kur vaksinat e disponueshme ishin Coronavac.

‘Ky system (Green pass) njeh personat që janë shëruar nga Covidi, njeh personat e vaksinuar ose ata që testohet periodikisht. Në këto kushte gjykoj se aplikimi i ‘green pass’ është një masë e dobishme në kontekstin e masave të shëndetit publik për parandalimin dhe kontrollin e Covid-it dhe sigurisht do ta rekomandoja edhe për Shqipërinë” – thotë Dasho për Faktoje.

“Në Gjermani ku unë jetoj, green pass nënkupton ose shërimin, ose faktin që është një person i vaksinuar dhe kanë kaluar 14 ditë nga kryerja e dozës së dytë, ose personi shkon në një nga shumë qendrat e testimit (në Gjermani janë disa në çdo qytet) dhe aty kryen testin falas dhe merr atë përgjigjen negative, e cila ka të njëjtën vlerë si vaksinimi ose të qenurit person i shëruar nga Covidi” – shton Dasho.

Cilat shtete aplikojne green pass-in?

 Serbi

Në Serbi u diskutua mundësia që të kërkohej certifikata e vaksinimit në vende ku qëndrimi nuk është i detyrueshëm si për shembull në kafene, restorante, klube.

Kryeministrja Ana Brnabiç tha më 12 shtator se futja e ‘Covid Pass’ po përgatitej për vendet publike me potencial të lartë për t’u infektuar.

Dr. Mirsad Đerlek, sekretar i shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë, tha për mediat serbe se gjithçka ishte gati, teksa shtoi se ishin të pritje të një vendimi përfundimtar.

Mirëpo, pasi e vlerësoi idenë për javë të tëra, kryeministrja e hodhi poshtë atë, duke theksuar se ‘nuk ka mënyra për të imponuar disiplinë’. ‘Kalimet janë të pamundura për t’u kontrolluar, ashtu siç është e pamundur të kontrollosh mbajtjen e maskave në ambiente të mbyllura”, tha ajo për mediat serbe.

“Ne e kemi një kurë për këtë dhe ajo është vaksinimi”, shtoi kryeministrja.

Holandë

Pasaporta e vaksinimit në këtë shtet është një garanci shtesë. Ajo paraqitet në vende ku ka grumbullime, pas heqjes së distancës 1.5 m. Nga 25 shtatori ky dokument po kërkohet në bare dhe restorante, por jo në takeaways (vende ku merr ushqime dhe ikën).

Pasaporta e vaksinimit kërkohet në festivale, koncerte, ndeshje profesionale sportive apo kinema dhe teatro. Pavarësisht nëse janë në ambiente të brendshme ose të jashtme, çdo person mbi 13 vjeç duhet të ketë një ‘entry passes’ “Coronavirus entry pass’ mund ta marrin personat plotësisht të vaksinuar, ata që kanë dëshmi të vlefshme të shërimit ose një rezultat negativ nga një test koronavirus, 24 orë para hyrjes në aktivitetet e lartpërmendura.

Rreth 13 milionë njerëz në Holandë kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës së COVID-19 dhe më shumë se 11 milionë janë të vaksinuar plotësisht.

Ndërkohë maskat janë të detyrueshme në transportin publik dhe në aeroporte, por jo në korridoret e shkollave dhe sallat e leksioneve në institucionet e arsimit të mesëm dhe të lartë.

Itali

Sipas një artikulli të “Euronews”, ‘Green pass’ kërkohet në të gjitha vendet e mbyllura publike. Ai dëshmon se personi ose ka marrë të paktën një dozë të vaksinës, është shëruar nga virusi ose është testuar negativ në 48 orët e fundit.

Ajo vepron si një zgjerim i EUDCC (EU Digital COVID Certificate) dhe lejon njerëzit mbi moshën 12 vjeç të marrin pjesë në aktivitete dhe grumbullimet e mëdha.

Dokumenti kërkohet në ambientet e brendshme të bareve e restoranteve, kinema, muze, teatro, palestra, pishina, kënde lojërash, llixha, qendra ‘wellness’, festivale, panaire, kazino, salla bingo dhe stadiume sportive.

Duke filluar nga 15 tetori, kushdo që shkon në punë pa një certifikatë të gjelbër do të marrë mungesë dhe do të mbetet pa pagë. Masa vlen edhe për të vetëpunësuarit. Ndwrkohw për ata që kanë një arsye mjekësore për të mos u vaksinuar, tamponët do jenë falas.

Turqi

Pasaporta e vaksinimit është lëshuar në Turqi që prej muajit maj tw kwtij viti. Ato janë të disponueshme përmes aplikacionit HES dhe lëshohen pasi personi i ka marrë të dyja dozat e vaksinës anti-Covid.

Prej 6 shtatorit, dëshmia e vaksinimit ose testi negativ i PCR është i detyrueshëm për të gjitha udhëtimet ndërqytetase, hyrjen në të gjitha hapësirat e brendshme, koncerte, kinema, qendra tregtare.

Danimarkë

Para 10 shtatorit, Danimarka kërkonte një “Coronapas” në të gjitha ambientet e brendshme si bare e ristorante, apo ato ku zhvillohen aktivitete me pjeswmarrje masive. Dokumenti përmban të njëjtat elementw tw EUDCC ((EU Digital COVID Certificate)

“Coronapas” është në dispozicion në formëtw printuar ose mund të shkarkohet përmes një aplikacioni, i pari i zhvilluar jashtë EUDCC, që në muajin mars.

Më 10 shtator, qeveria daneze anuloi çdo kufizim të COVID-19 përfshirë përdorimin e “Coronapas” për të hyrë në klube nate, restorante dhe aktivitete sportive.

Kufizimet e vetme të mbetura janë mbajtja e maskave në aeroporte dhe disa rregulla të hyrjes në kufij, siç është paraqitja e testit të Covid-19.

Izrael

Në Izrael kërkohet ‘green pass’ në teatër, kinema, ambientet e brendshme në restorante, palestër, evente ku ka grumbullime. Ndërkohë, duke nisur nga 3 tetori, Ministria e Shëndetësisë sw kwtij shteti ka kërkuar që edhe personat, të cilët e kanë kaluar Covid-19, duhet të marrin një dozë të vaksinës, në mënyrë që të pajisen me ‘Green Pass’.

Gjermani

Nëse dëshironi të futeni në ambiente të brendshme, si restorante apo të merrni pjesë në aktivitete kulturore, duhet të jeni i vaksinuar, të keni një dokument ku vërtetohet që e keni kaluar Covid-19 ose të keni një test negativ të kryer së fundmi.

Fëmijët nën moshën 6 vjeç dhe ata që testohen rregullisht si nxënësit, përjashtohen nga ky detyrim.

Politikëbërësit gjermanë deklarojnë se “green passes’ janë të detyrueshme në zonat ku ka 35 raste me Covid për 100 mijë banorë.

Kjo vjen pasi shefi i kabinetit të kancelares Angela Merkel pranoi në fillim të këtij muaji se do të jetë shumë më e lehtë në të ardhmen për njerëzit e vaksinuar të “kenë më shumë liri”, kur marrin pjesë në ngjarje të mëdha si koncerte dhe ndeshje sportive.

Greqi

Aplikacioni grek “Covid Pass” verifikon nëse një individ është vaksinuar, shëruar nga COVID ose ka rezultate të fundit negative të PCR ose testit të antigjenit. Aplikacioni “Covid Pass” kërkohet në restorante dhe bare.

Gjithashtu, qeveria greke ka një skemë të veçantë, “Freedom Pass”, e krijuar për të inkurajuar grupmoshën 18-25 vjeç që të vaksinohen.

Francë

Që prej 9 gushtit, njerëzit që jetojnë në Francë duhet të kenë një “green pass” për të marrë pjesë në ngjarje me një kapacitet mbi 1 mijë persona. Ky dokument u lëshohet atyre që janë vaksinuar plotësisht nga Covid-19 ose atyre që shëruar në 6 muajt e fundit. Gjithashtu, edhe personat me PCR negative dhe testet e antigjenit të 48 orëve të fundit, mund të kenë aksesin e “green pass”.

9 gusht, Reuters publikoi një artikull ku theksohej se në Francë nuk merrje dot një kafe apo briosh nëse nuk ishe i vaksinuar ose nëse nuk paraqisje një test negativ të Covid-19. Kjo konsiderohet një përpjekje e qeverisë franceze për të shmangur një valë të katërt të virusit.

Belgjikë

Turistët dhe banorët belgë, të cilët marrin pjesë në aktivitete në natyrë me mbi 1500 persona, mund të aplikojnë për një “COVID safe ticket” (biletë të sigurt COVID) që do t’i përjashtonte ata nga mbajtja e maskave ose distancimi fizik.

Për të marrë këtë biletë, duhet të jeni vaksinuar plotësisht, të keni dëshmi që e keni kaluar COVID-19 në gjashtë muajt e fundit, të keni një test negativ PCR (i vlefshëm në ditën e testit dhe dy ditë pas tij) ose një test antigjen negativ (i vlefshëm në ditën e testit dhe për një ditë pas kryerjes).

Nga 1 shtatori, “COVID safe ticket” nisi të aplikohet edhe për aktivitete në ambiente të brendshme me mbi 1500 persona.

Spanjë

Qeveria spanjolle këmbëngul që “green pass” do të përdoret vetëm për qëllime udhëtimi, duke argumentuar se përdorimi për kufizime lokale do të promovonte pabarazinë.

Vendi po kalon valën e 5 -të të infeksionit dhe rajone të ndryshme autonome kanë lehtësuar shumë nga kufizimet e tyre të COVID.

Spanja po lejon udhëtime nga vende të ndryshme në Evropë dhe zonws Shengen. Udhëtarët e BE -së nuk i nënshtrohen kufizimeve të karantinës.

Të gjithë udhëtarëve u kërkohet gjithashtu të plotësojnë një deklaratë dixhitale të shëndetit para se të hyjnë në Spanjë. Formulari shëndetësor spanjoll i udhëtimit do të gjenerojë një kod QR, i cili do të kërkohet gjatw kontrollit nw kufi.

Në 20 shtator, ka hyrë në fuqi një urdhër për shqiptarët që duan të udhëtojnë drejt Spanjës: “Të kenë një certifikatë të plotë vaksinimi (doza e fundit e marrë të paktën 14 ditë para udhëtimit). Vaksinat e pranuara janë ato të autorizuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe OBSH.

Madridi ka bërë një hap të madh drejt normalitetit, duke lejuar që ambientet e brendshme të funksionojnë me 75% kapacitet dhe hapësirat e jashtme me 100%. Restorantet gjithashtu mund të funksionojnë deri në 2 të mëngjesit, ndërsa klubet e natës dhe baret deri në 6 të mëngjesit, ashtu si para pandemisë. Mirëpo, rajone të ndryshme kanë rregulla të tjera.

Lituani

Në Lituani që nga pranvera po aplikohet “Pass of Possibilities” (Pasaporta e Mundësive) e cila deri në shtator nuk ishte e detyruar dhe u bë e tillë, pas 13 shtatorit.

Pa pasaportën e vaksinimit dhe testin PCR lejohet të bëni pazar në dyqane ushqimore të vogla, deri në 1500 m2, në tregje, të merrni disa shërbime dhe të vizitoni muzetë dhe bibliotekat. Ndërsa shërbimet veterinare dhe funerale janë të hapura për të gjithë.

Ndërkohë, në të gjitha supermarketet, dyqanet më të mëdha, parukeritë, klubet, koncertet dhe ngjarjet e tjera, kinema, klubet sportive, kërkohet pasaporta e vaksinimit.

Britani

Britania ka hedhur poshtë për momentin planin për të kërkuar pasaportën e vaksinimit për hyrje në dyqane, klube nate apo vende me grumbullime masive.

Duke përcaktuar planet e dimrit të qeverisë për Covid, Sekretari i Shëndetësisë Sajid Javid tha se ideja mund të rishqyrtohet, nëse do të ketë rritje të rasteve.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img