BallinaFaktometerE vërtetëVeliaj: Do kalojmë në regjim të punës me dy turne për rijetësimin e Piramidës

Veliaj: Do kalojmë në regjim të punës me dy turne për rijetësimin e Piramidës

Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi në fillim të shtatorit se do të punohet me dy turne për projektin e “Rijetësimit të Piramidës së Tiranës”. Sipas Velijat, në këtë mënyrë Piramida e re do të jetë gati brenda vitit të ardhshëm, edhe pse afati i përfundimit të objektit është shkurti i vitit 2023. Faktoje verifikoi në terren se aktualisht te Piramida po punohet me orar të zgjatur, saktësisht nga ora 7:30 deri në 18:00.

………..

Gjatë një inspektimi të punimeve tek Piramida më 3 shtator, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ndër të tjera theksoi se do të punohet me dy turne, në mënyrë që ajo të jetë gati brenda vitit të ardhshëm.

“Vitin tjetër, kur do të jemi ‘Kryeqyteti Europian i Rinisë’, të rinjve në Tiranë do t’u japim ndoshta dhuratën më të mirë ndonjëherë, që është një shtëpi e madhe dixhitale në mes të kryeqytetit, në vendin më të lakmuar. Do të kalojmë në një regjim të punës me dy turne për t’u siguruar që kapim edhe kohën e humbur edhe nga shirat, edhe nga vonesat e këtyre dërgesave dhe sigurisht duke i bërë procedurat në një mënyrë të tillë që teksa presim materialet që vijnë nga importi, për çdo gjë që ne mund ta prodhojmë në Shqipëri, të ecim përpara.” – deklaroi Veliaj.

Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Tiranë, ku ndër të tjera pyetëm nëse po punohej aktualisht me dy turne për projektin ‘Rijetësimi i Piramidës Tiranë’.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Tiranë

 Në përgjigjen e Bashkisë, që mbërriti në redaksinë e Faktojes më 28 shtator nuk përmendet në asnjë rast nëse punohet apo jo me dy turne, por na jepet informacion në lidhje me firmat e kontraktuara për ndërtimin e saj.

“Në lidhje me objektin Rijetësimi i Piramidës Tiranë, punimet e këtij objekti po kryhen nga firma sipërmarrëse Fusha sh.p.k.  dhe Edit Al-it sh.p.k. në bazë të kontratës së sipërmarrjes me Bashkinë e Tiranës me nr.25281/10 prot. datë 02.12.2020 si dhe mbikëqyrës punimesh “Illyrian Consulting Engineers” sh.p.k. sipas kontratës së mbikëqyrjes nr, protokolli 25281/11, datë 02.12.2020. Afati për kryerjen e punimeve të këtij objekti është 24 muaj kalendarikë, nga data e fillimit të punimeve”- shkruhet në përgjigjen zyrtare të Bashkisë Tiranë.

Përgjigja e Bashkisë Tiranë për Faktoje

Pas kësaj përgjigjeje, Faktoje verifikoi në terren si po ecte puna për projektin në fjalë.

Nga monitorimi që bëmë në orën 17:00, rezultoi se te Piramida ende punohej. Ndërsa në vëzhgimin e bërë në 19:30, pamë që në atë orë puna ishte mbyllur.

Punimet te Piramda, shtator 2021

Ne biseduam edhe me punonjësit në terren, të cilët na bënë të ditur se puna nis në orën 07:30 dhe përfundon në 18:00.

Punimet te Piramda, shtator 2021 ora 19:30

Në tabelën e punimeve të vendosur në kantier, është përcaktuar edhe afati i nisjes së tyre, saktësisht në 02.02.2021, ndërsa afati i përfundimit të punimeve është 24 muaj kalendarikë. Sipas këtij parashikimi, Piramida e rikonceptuar duhet të përfundojë në shkurt të vitit 2023, por kryebashkiaku Veliaj ka premtuar që mund të jetë gati vitin tjetër. Vlera e punimeve për Piramidën është përcaktuar rreth 1.5 miliardë lekë të reja (me TVSH).

Tabela e punimeve te Piramida

Premtimet e shkelura të Veliajt për Piramidën

Më 9 nëntor të vitit 2020, Faktoje solli në vëmendje premtimet e shkelura të kryebashkiakut, Erion Veliaj në lidhje me transformimin e Piramidës.

Në tetor të 2016-s, ndërsa prezantonte projektet për Tiranën Veliaj tha:

“Besoj do të jetë hera e fundit që ne takohemi tek piramida në këtë gjendje. Bashkia ka një projekt ambicioz për ta kthyer atë në një hapësirë publike, për t’ia kthyer qytetarëve të Tiranës, të aksesueshme për aktivitete publike.”

Në 16 maj të 2018-s, po në ambientet e Piramidës u prezantua projekti për rijetëzimin e saj, një projekt i quajtuar “Tumo Tirana” që do ta shndërronte atë në një qendër inovative.

Dy muaj më pas, në një konferencë ndërkombëtare të zhvilluar në tetor 2018, për ta kthyer piramidën në një qendër teknologjie për të rinjtë, kryebashkiaku premtoi se në fund të po atij viti do të fillonin punimet për rikonstruksionin e Piramidës.

“Do jetë një hapësirë ideale! Punën për transformimin e Piramidës do ta nisim nga fundi i këtij viti dhe vitin tjetër besoj do kemi një hapësirë, siç janë këto programe të hapura edhe një hapësirë me mendje të hapur”- premtoi Veliaj.

 25 prill 2019 në mjediset e Kryeministrisë u prezantua projekti për rijetëzimin e Piramidës nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Edhe këtë herë kryebashkiaku premtoi se punimet për ta ndryshuar dhe për ta bërë atë funksionale tërësisht, do të fillonin në qershor të po atij viti.

Puna për shndërrimin e Piramidës, nisi më 2 shkurt të 2021, ndërsa mbetet për t’I verifikuar nëse do të përfundojë para afatit, siç ka artikuluar Veliaj në premtimin e radhës.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img