BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookGoditja e Papës me çekiç në kokë, një praktikë që nuk përdoret në kohët moderne

Goditja e Papës me çekiç në kokë, një praktikë që nuk përdoret në kohët moderne

Goditja në kokë e Papës me një çekiç argjendi për të konfirmuar vdekjen e tij, ashtu siç njoftohet të ketë ndodhur me Benediktin XVI, është një praktikë e hershme që nuk praktikohet më nga Vatikani.

Jona Plumbi

Prej datës 5 janar 2023 kur ndërroi jetë Papa Benedikti XVI, në rrjet kanë qarkulluar tituj në gjuhë të ndryshme ku njoftohet një traditë e vjetër e Vatikanit si pjesë e protokollit që zbatohet në rast se ndërron jetë një Papë. Lajmi është shpërndarë edhe në Shqipëri nga portali shtypketu.com me titullin qe terheq vëmendjen e kujtdo që e lexon “Papën e godasin 3 herë me çekiç argjendi kokës për të vërtetuar që ka vdekur. Kështu është tradita”.

Në fakt, ky lajm qarkullon prej vitesh në internet edhe pse është përgënjeshtruar më herët nga Vatikani. Edhe vetë artikulli i portalit të sipërpërmendur, në brendi nuk e sqaron nëse ky është një ritual që praktikohet vërtetë.

“Normalisht, kamerlengo ka rolin e konfirmimit zyrtar të vdekjes së papës, tradicionalisht duke i goditur kokën tri herë me një çekiç të vogël argjendi dhe duke thirrur emrin e tij. Kjo në të shkuarën bëhej për të konfirmuar vdekjen sepse ka patur raste kur dikush varrosej i gjallë.” – shkruan artikulli.

“Faktoje” bëri një kërkim në rrjet dhe zbuloi se publikimi i parë i këtij pretendimi është bërë në 1 Janar 2023 në Twitter ku është shpërndarë një fotografi e një çekiçi me dorezë të bardhë e të verdhë, me pamje ceremoniale me shkrimin “Faktoidi im i preferuar është se papa i vdekur goditet tre herë në kokë me një çekiç të posaçëm vetëm për t’u siguruar që ata janë, në fakt, të vdekur.”

Kjo foto rezulton se është shpërndarë dy vite më parë në rrjet me shpjegimin e një objekti të ekspozuar në muzeun e Vatikanit.

Në vitin 2003 një artikull i “The Guardian” mbi përzgjedhjen e kardinalëve nga Papa Gjon Pali i Dytë, përmendte kalimthi ritualin e goditjes me çekiç, pa sqaruar nëse ky është një ritual që përdoret ose jo.

Por, një tekst i vogël në krye të artikullit shpjegon se ai ka pasur një korrigjim në datën 25 Nëntor 2003. Edhe pse gjetja e një adrese ekzistuese në rrjet ku shfaqet korrigjimi i artikullit ishte i pamundur, “Faktoje” arriti të nxjerrë nga arkivat e rrjetit artikullin e korrigjuar të The Guardian, ku sqarohet se “artikulli përfshinte pohimin se kufoma e një pape goditet në kokë me një çekiç si pjesë e një rituali, për të konstatuar se nuk ka asnjë shenjë jete. Sipas Vatikanit, ky është një mit.

Një tjetër informacion që sugjeron se Papa në të vërtetë nuk goditet në kokë tre herë me çekiç pas vdekjes, është informacioni i bërë publik në vitin 2005 nga Britannica.com, grupit ndërkombëtar të hulumtuesve. Sipas studiuesve, procedura parashikon se “Nëse papa ndërron jetë, kardinali camerlengo verifikon vdekjen përmes një rituali të lashtë. Tradicionalisht, ai godet lehtësisht kokën e papës duke thirrur tre herë emrin e tij të pagëzimit; kur nuk merr përgjigje, ai njofton vdekjen e papës.” Artikulli vijon duke shpjeguar se në rastin e Papës Gjon Pali i Dytë, u përdor një elektrokardiogramë për të konfirmuar vdekjen.

Mos përdorimi i kësaj mënyre njoftohet edhe në faqen zyrtare tëorganizatës fetare jofitimprurëse e cila mirëmban koleksionet dhe ndërtesat e Vatikanit. Atje, shpjegohet se ky çekiç përdorej vërtetë për të konfirmuar vdekjen e papës.

Në epokën moderne të mjekësisë, edhe papa duhet të ketë një çertifikatë vdekje, e cila lëshohet nga një mjek që nevojitet të kryejë procedurat normale për të konfirmuar vdekjen.

Bazuar mbi këto informacione, titulli i përdorur nga portali “shtypketu.com” është nxjerrë jashtë konteksti duke keqinformuar lexuesit.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img