BallinaFaktometerE PavërtetëAsnjë prove bindëse për vrasjen e qëllimshme të shpikësit të makinës me ujë

Asnjë prove bindëse për vrasjen e qëllimshme të shpikësit të makinës me ujë

Një video që qarkullon në Facebook pretendon se njeriu që ka shpikur një makinë që funksionon me ujë është eleminuar për të fshehur shpikjen e tij botës. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se nuk ka prova se Stanley Meyer është vrarë dhe se shpikja e tij është funksionale.

——————————-

Një video 1-minutëshe që ka marrë mbi 100 mijë shikime në rrjete sociale tregon për komplotin rreth vdekjes së një Stanley Meyer, i cili, pretendon video, “në 1996, shpiku një makinë që mund të udhëtonte 180 km me një gallon [3,8 litra] ujë”. Në 1998, gjatë një takimi me dy investitorë, Meyer vdiq papritur. Sipas vëllait të tij, që ishte i pranishëm, ai vrapoi jashtë restorantit ku po mbahej takimi duke thënë: “Më helmuan.”

Eshtë e vërtetë se shpikja e një mënyre për ta bërë ujin të funksionojë si lëndë djegëse do të ishte revolucionare, dhe do të ndikonte te fitimet e biznesit të kompanive të mëdha të hidrokarbureve, ashtu si tek fitimet e kompanive të mëdha të ujit. Të dy llojet e burimeve natyrore globale shfrytëzohen për të nxjerrë fitime nga një grusht kompanish të mëdha.

Një makinë që përdor ujin si karburant do të ishte një shpikje novatore, nëse do të ekzistonte. Stanley Meyer nuk është i vetmi që ka pretenduar se kishte bërë një shpikje të tillë. Pretendime të tilla kanë bërë bujë herë pas here, për gati 100 vitet e fundit. 

Shkencërisht, një makinë që e merr energjinë direkt nga uji do të shkelte ligjin e parë të termodinamikës, që konstaton se energjia as mund të krijohet, as mund të shkatërrohet, por vetëm të shndërrohet nga një formë në një tjetër.

Parimi i shpikjes së Meyer ishte elektroliza, ndarja e ujit në hidrogjen dhe oksigjen, të cilët rikombinohen sërish duke i djegur. Kjo ide ka njëfarë merite, sepse hidrogjeni është një nga elementet ku bazohet vizioni i një ekonomie energjie të pastër. Por, në rastin e përdorimit të ujit, si përbërje elementësh, nxjerrja e hidrogjenit nga uji kërkon më shumë energji se ç’mund të përftohet, më pas, nga djegia e këtij hidrogjeni. Uji nuk mund të funksionojë si lëndë djegëse, sepse uji nuk digjet. 

Shpikja e Stanley Meyer, ajo që ai quante ‘qeliza e karburantit të ujit’, nuk iu duk novatore tre ekspertëve që e inspektuan me kërkesë të një gjykate në Ohio në 1996, kur Meyer u padit nga dy invesititorë. E njejta gjykatë i kërkoi edhe profesorit të inxhinierisë elektrike në Universitetin e Londrës Michael Laughton të ekzaminonte ‘makinën me ujë’, por në ditën kur ky ekzaminim duhet të ndodhte, Meyer nuk e lejoi. Si rrjedhojë, gjykata vendosi se Meyer kishte mashtruar dhe e urdhëroi t’i kthente investitorëve paratë e tyre.

Sa i përket vdekjes së tij, pas një hetimi tre mujor, mjeku ligjor doli në përfundimin se ai kishte vdekur si pasojë e një aneurizmi. Sipas mjekësisë, aneurizma është një zonë e dobët në murin arterial të trurit, e cila fryhet dhe mbushet me gjak, shpesh përshkruhet si një “tullumbace” e enës së gjakut. Aneurizmat, zakonisht janë anomali të lindura, të cilat mund të kthehen në fatale brenda pak sekondash nëse shenjat paraprake nuk zbulohen dhe trajtohen në kohë.

Shpikjet e Meyer janë tashmë pronë intelektuale publike, që do të thotë se mund të përdoren nga kushdo pa pengesë apo pagesë. Megjithatë, asnjë prodhues makinash nuk i ka përdorur deri më sot.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img