BallinaPertejGjyqi për faturat, organizatat e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të njeriut përgëzojnë precedentin pozitiv të vendosur nga Faktoje

Gjyqi për faturat, organizatat e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të njeriut përgëzojnë precedentin pozitiv të vendosur nga Faktoje

Disa organizata me fokus të drejtat dhe lirinë e shprehjes kanë vlerësuar si një precedent shumë pozitiv fitoren e betejës ligjore me pjesën dërrmuese të institucioneve shtetërore të paditura nga Faktoje. Duke vlerësuar se gjyqet me organet publike nuk janë aspak të lehta, KSHH, Unioni i Gazetarëve dhe këshilltarja ligjore në Qendrën Europiane për Lirinë e Shtypit në Leipzig, përshëndetën vënien e tyre para përgjegjësisë për t’iu përgjigjur jo vetëm mediave, por çdo qytetari me informacionin që u takon me ligj.


Pak ditë pas publikimit të artikullit nga Faktoje për betejën e fituar me 8 institucione nga 11 të paditura për shkeljen e Ligjit për të Drejtën e Informimit, kanë reaguar disa organizata me fokus të drejtat dhe lirinë e qytetarëve e medias.

Flutura Kusari, këshilltare ligjore në Qendrën Europiane për Lirinë e Shtypit në Leipzig i ka cilësuar vendimet gjyqësore si një fitore e jashtëzakonshme, duke kritikuar komisionerin për të drejtën e informimit që nuk u pozicionua në krah të transparencës dhe gazetarëve.

Flutura Kusari, këshilltare ligjore në Qendrën Europiane për Lirinë e Shtypit në Leipzig

“Përgëzoj Faktoje.al për luftën e vazhdueshme të saj për qasje në dokumente publike. Vendimet gjyqësore janë fitore e jashtëzakonshme e të drejtës për të ditur nga e cila do të përfitojë publiku duke u informuar në detaje se si shpenzohet paraja e tyre. Shpresoj që edhe në rastin e Kryeministrisë, gjykata do të vendosë në favor të publikimit të dokumenteve të kërkuara.

Institucionet duhet që menjëherë të zbatojnë vendimet dhe t’i ofrojnë qasje gazetarëve në dokumentet e kërkuara. Shpresoj që zyrtarët e këtyre institucioneve të mos i keqpërdorin paratë publike përsëri duke ushtruar ankesa koti kundër këtyre vendimeve.

Komisioneri ka humbur një mundësi të artë që të jetë në anën e transparencës dhe gazetarëve. Ai duhet të tregojë arsyet që e kanë shtyrë të frikësohet nga marrja e vendimeve.” – tha znj. Kusari për Faktoje.

Erida Skëndaj, drejtoreshë ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit e cilëson këtë betejë ligjore aspak të lehtë, duke e vlerësuar si shumë pozitiv vendimin e gjykatës për të ekzekutuar menjëherë vendimin ndaj institucioneve që nuk dhanë informacion. Ajo thekson se janë të paktë shtetasit që kanë mundësinë t’i drejtohen gjykatës administrative kur nuk marrin vendimmarrje pozitive nga institucioni në fjalë.

Erida Skëndaj, drejtoreshë ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit

“Gjykatat tona jo gjithmonë kanë mbajtur të njëjtin qëndrim për çështje me natyrë apo objekt të ngjashëm dhe në sistemin tonë ligjor precedenti nuk është i detyrueshëm. Megjithatë, kjo vendimmarrje e Gjykatës Administrative vlerësoj se përbën një precedent shumë pozitiv referimi për median, por jo vetëm, edhe për aktivistë të të drejtave të njeriut dhe ata qytetarë që luajnë rolin e vëzhguesit aktiv kundrejt veprimtarisë së institucioneve dhe kanë të drejtë të marrin informacion nga organet publike.

Shumë qytetarë apo aktivistë të shoqërisë civile i drejtohen Komisionerit si institucioni i pavarur që shqyrton administrativisht ankesat e çdo personi, kur çmon se i janë shkelur të drejtat e parashikuara nga ligji për të drejtën e informimit, por shumë pak shtetas kanë mundësi t’i drejtohen gjykatës kur nuk marrin një vendimmarrje plotësisht apo qoftë dhe pjesërisht pozitive nga ky institucion. Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka ndjekur disa raste gjyqësisht me palë gjyqësore organet publike apo Komisionerin dhe kjo beteje ligjore nuk është aspak e lehtë, merr kohë të konsiderueshme dhe dërgimi i cështjes në apel tejzgjat procesin. Ndaj vlerësoj se vendimmarrja e Gjykatës Administrative në rastin e Faktoje për të ekzekutuar menjëherë detyrimin për disa nga institucionet që nuk kanë dhënë informacionin është shumë pozitiv. Ankimimi në gjykatë i vendimeve të Komisionerit përbën një instrument të rëndësishëm të kontrollit gjyqësor pasi sikurse dihet janë vendimet gjyqësorë ato që janë finale dhe vendimet e gjykatës kanë sjellë në shumë raste risi pozitive në drejtim të ushtrimit të të drejtave dhe lirive të shtetasve.

Mosdhënia e përgjigjes nga institucionet më të larta të shtetit për faturat e shpenzimeve është një indikator që nënkupton mungesën e transparencës për të publikuar mënyrën se si shpenzohen kontributet e takspaguesve shqiptarë për udhëtime dhe shpenzime jashtë vendit. Publikimi i këtyre informacioneve duhet të ishte një detyrim ligjor automatik që çdo institucion duhet ta publikojë në mënyrë periodike me iniciativën e tij, pasi është një çështje që mbart interes të lartë për publikun se si shpenzohen në këtë drejtim fondet publike. Ky publikim, përveç se tregon transparencë kundrejt publikut, forcon dhe përgjegjshmërinë e institucioneve kundrejt publikut për mënyrën se si shpenzohen fondet publike.” – u shpreh znj. Skëndaj për Faktoje.

Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, e cilësoi procesin gjyqësor të Faktoje si një kazus suksesi na marrëdhënien për informimin publik. Ai e cilëson faktin që institucionet kushtetuese janë palë e akuzuar dhe e denoncuar, si tregues për nivelin e pazbatueshmërisë së legjislacionit për të drejtën për informim.

Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

“Procesi gjyqësor i Faktoje.al me disa institucione të rëndësishme të shtetit, është një sfidë e fituar e medias me administratën dhe me mungesën e ndërgjegjes juridike të nëpunësve të saj. Ky eshtë një kazus suksesi në marrëdhënien për informim publik.

Fakti që në këtë proces janë tek pala e akuzuar dhe e denoncuar, institucione të larta kushtetuese, vlen si tregues se sa i pazbatueshëm është legjislacioni për të drejtën për informim në vendin tonë.

Reporterët e Faktoje.al, duke respektuar parimin e konfirmimit dhe verifikimit, ia kanë dalë të na dëshmojnë se në gati 10 institucione ku përfshihet edhe ai ligjbërës si Parlamenti dhe disa ministri, ligji për të drejtën informuese jo vetëm shpërfillet, por përbën një praktikë të pandëshkuar per nëpunësinë dhe administratën e lartë.

Faktoje.al i ka dhënë praktikës së denoncimit në vend një kazus të ri sfidant dhe njëherësh një histori suksesi për raportimin ballafaques dhe atë të thelluar. Sikundër mund të themi se ka hedhur dritë mbi nevojën për amendime të reja në legjislacionin tonë për informimin publik.” – tha zoti Çipa për Faktoje.

Fondacioni gjerman Konrad Adenauer, në faqen e saj të Facebook dedikuar programeve mediatike në Europën Juglindore ka cilësuar fitoren gjyqësore të Faktoje si një lajm pozitiv nga Shqipëria. Ky fondacion, i cili ka prezencë edhe në vendin tonë e konsideron këtë çështje shumë të rëndësishme, veçanërisht për shkak të marzhit të ulët të përgjigjeve të institucioneve ndaj kërkesave për informacion.

“Lajme pozitive nga Shqipëria: Platforma mediatike Faktoje ka fituar një çështje kundër 11 institucioneve shtetërore, të cilat refuzuan të japin informacion mbi shpenzimet për udhëtimet e ministrave dhe zyrtarëve të qeverisë. Rezultati i kësaj çështjeje është shumë i rëndësishëm për shkak të faktit se në Shqipëri gazetarët kanë në më pak se 50% të rasteve përgjigje për kërkesat për të drejtën e informimit. E drejta e informimit është baza e punës gazetareske.” – shkruan KAS.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img