BallinaAktualitetFredi Beleri në paraburgim. Ja çfarë ndodh me mandatin në Bashkinë e Himarës

Fredi Beleri në paraburgim. Ja çfarë ndodh me mandatin në Bashkinë e Himarës

Lajmin se fitoi garën për kryebashkiak të Himarës, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Fredi Beleri e mori përtej hekurave të qelisë. Policia njoftoi se ai u arrestua në flagrancë për korrupsion aktiv zgjedhor në bashkëpunim, dy ditë para zgjedhjeve vendore të 14 majit. Në 13 maj Gjykata e Vlorës caktoi masën e sigurisë arrest me burg për Belerin, por dosja i kaloi për hetim SPAK-ut.  Verifikimi dhe konsultimi me ekspertë ligjorë tregon skenarët për mandatin e Fredi Belerit, i cili akuzohet nga prokuroria për një krim zgjedhor.

Jona Plumbi

Ngjarja

Fredi Beleri, kandidat i koalicionit të djathtë “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës, u arrestua në flagrance nga Policia e Vlorës, bashkë me perosna të tjerë, dy ditë para zgjedhjeve vendore të 14 majit, sipas njoftimit të policisë, e cila i referohet Dhionisos Alfred Belerit vetëm me iniciale. Ai akuzohet se u ka ofruar qytetarëve shuma parash kundrejt dhënies së votës.

Belerit, i cili është pjesë e minoritetit grek në Himarë, iu caktua masa e arrestit me burg nga Gjykata e Vlorës për akuzën “korrupsion aktiv në zgjedhje”. Sipas njoftimit të policisë, hetimi ishte regjistruar në datën 8 maj. Pjesë e vendimit të gjykatës ishte edhe kalimi i dosjes së hetimit tek Prokuroria e Posaçme, SPAK.

SPAK nis hetimet

Faktoje u interesua pranë Prokurorisë së Posaçme lidhur me regjistrimin e kësaj dosje dhe mori përgjigje zyrtare nga SPAK.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e akteve të dërguara për kompetencë nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka regjistruar në datën 17.05.2023 procedimin penal në ngarkim të shtetasit Dhionisios Alfred Beleri, i dyshuar për veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.

Ndërkohë që ishte në qeli si i paraburgosur, më 14 maj, Fredi Beleri doli fitues i garës për kryebashkiak të Himarës me një diferencë të ngushtë prej 19 votash kundrejt rivalit të Partisë Sociaiste Jorgo Goro.

Por cila do të jetë e ardhmja për Alfred Belerin? A mund ta ushtrojë ai detyrën si kryetar bashkie ndërkohë që është në proces hetimi për një krim zgjedhor? Faktoje bëri një verifikim në lidhje me pengesat dhe hapësirat ligjore në lidhje me këtë çështje.

Mandati i Fredi Belerit

Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi i pyetur lidhur me mandatin e kryebashkiakut të fituar nga Beleri, i cili ndodhet pas hekurave, deklaroi se njëri fakt nuk lidhet me tjetrin, të paktën deri tani.


“Ai është kandidat fitues. Nëse nuk do ketë kontestime dhe do të konfirmohet ky rezultat deri tani ai konsiderohet i mandatuar për të drejtuar bashkinë. Situata e tij juridiko-penale nuk ka të bëjë me procesin zgjedhor, të paktën deri tani. Nëse ka zhvillime të reja do të flasim.”

Ilirjan Celibashi, 15 Maj

Deri në publikimin e këtij artikulli, më 17 maj, Partia Socialiste nuk e ka kontestuar rezultatin e zgjedhjeve në Himarë, sipas informacionit që KQZ i dha Faktojes.

Çfarë parashikon legjislacioni shqiptar për rastin Beleri

Kushtetuta e Shqipërisë përcakton se çdokush quhet i pafajshëm për sa kohë nuk është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Kjo përforcohet në Kodin e Procedurës Penale që thekson se çdo dyshim për akuzën çmohet në favor të të pandehurit dhe se është gjykata ajo që mund të japë vendim fajësie kur i akuzuari rezulton fajtor përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.

Sa i përket ligjit të dekriminalizimit, që ndalon kandidimin e personave me rekorde kriminale, aty përcaktohet se për të ndaluar kandidimin apo zgjedhjen e dikujt në një funksion të lartë publik, kandidati duhet të ketë qënë i dënuar me burg me vendim të formës së prerë.

Afrim Krasniqi, i cili ka ndjekur procesin e dekriminalizimit nga nisja e tij në vitin 2016, nuk e sheh rastin e Himarës të ngjashëm me rastet e mëhershme të heqjes së mandatit për shkak të këtij ligji.


Individi është zgjedhur. Ai së pari duhet të marrë mandatin dhe pasi merr mandatin atëherë në varësi të vendimit të gjykatës mund të vlerësohet vlefshmëria e mandatit të tij.”

— Afrim Krasniqi, studiues

Le të marrim në konsideratë edhe vendimin Nr.2 të datës 03.22.2014 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës Kushtetuese. Me vendim të unifikuar ata përcaktuan se që një vendim të quhet “i formës së prerë” në legjislacionin procedurial penal të Shqipërisë, duhet që Gjykata e Lartë të dalë me vendim, ose pala humbëse të mos paraqesë ankimim brenda afateve ligjore.

Si mandatohen kryebashkiakët

Nisur nga rezultati i zgjedhjeve të 14 Majit, pritet që të plotësohet procedura administrative e marrjes së mandatit për Fredi Belerin.

Sipas ligjit për vetëqeverisjen vendore, mandati i kryetarit të bashkisë vërtetohet nga Gjykata e rrethit brenda 20 ditëve nga shpallja e rezultatit, bazuar në nenin 45 të Kushtetutës dhe vlefshmëria e mandatit shpallet në mbledhjen e parë të këshillit bashkiak përkatës, ku kryetari bën betimin sipas ligjit.

Në rast se këshilli bashkiak nuk mblidhet brenda 30 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, prefekti organizon ceremoninë e betimit të kryetarit të bashkisë.

Sipas këtij skenari, Fredi Beleri i cili aktualisht është në paraburgim, duhet të bëjë betimin brenda afatit ligjor.

Kur shkarkohet një kryebashkiak

Ligji për vetëqeverisjen vendore përcakton se kur mund të shkarkohet një kryetar bashkie. Një prej tyre është rasti kur kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave pasi dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Pra, në zbatim të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, neni 62 shkronja “b” Alfred Beleri mund të shkakrkohet nga Këshilli i Ministrave vetëm pasi merr detyrën e kryetarit të Bashkisë dhe vetëm pas vendimit të Gjykatës së Lartë për fajësinë e tij.

Skenari i shkarkimit

A mund ta shkarkojë Këshilli i Ministrave Fredi Belerin pasi ky i fundit të marrë mandatin?

Afrim Krasniqi shpjegon se qeveria nuk e ka këtë kompetencë për sa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë nga gjykata.

Po ashtu, vendimi i Këshillit të Ministrave nuk është përfundimtar, por duhet të konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese. Kemi pasur rastin e zgjedhjeve të kaluara, ku Këshilli i Ministrave shkarkoi kryebashkiakun e Vaut të Dejës dhe Gjykata Kushtetuese e rrëzoi vendimin e Këshillit të Ministrave.” – thotë Afrim Krasniqi për Faktoje.

Vendimi-i-Gjykates-Kushtetuese-qe-shfuqizon-vendimin-e-KM-per-shkarkimin-e-Zef-Hiles-PDF

Për këto arsye Krasniqi e parashikon procesin të gjatë, nëse vazhdon hetimi. Ndërkohë, Fredi Beleri e ushtron mandatin me prezencë apo në mungesë.

Reagimet e palëve dhe trysnia e Greqisë

Arrestimi i kandidatit minoritar Fredi Beleri ‘ngriti në këmbë’ shtetit grek i cili i kërkoi sqarime qeverisë shqiptare për këtë akt dhe që prej asaj dite reagon rregullisht me deklarata dhe veprime në përkrahje të tij.

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ditën e arrestimit të Alfred belerit njoftoi përmes rrjetit social facebook se informoi Presidenten e Komisionit Ursula von der Leyen për arrestimin e Fredi Belerit dhe se Shqipëria duhet të kuptojë se Greqia dhe Bashkimi Europian nuk do të pranojnë shkelje të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Reagimi i Kryeministrit të Greqisë pas arrestimit të Alfred Belerit

Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë

Pas njoftimit nga Policia për arrestimit të Fredi Belerit në flagrancë, në 12 Maj reagoi ministria e jashtme greke, ku njoftonte se Ambasadorja greke në Shqipëri ka shkuar në Vlorë për të takuar të arrestuarin. Më herët ai ka takuar edhe ministren e jashtme të Shqipërisë si dhe ka informuar ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së në Shqipëri për rastin e arrestimit të Fredi Belerit.

Pas vendimit të Gjykatës së Vlorës në 13 Maj, për caktimin masës së sigurisë arrest me burg për Belerin, Ministria e Jashtme Greke e quajti “skandal, në rast se nuk ka prova të pakundërshtueshme kundër tij”. Reagimin Greqia e shoqëroi me një paralajmërim.


Një vendim i tillë do të ketë pasoja edhe në marrëdhëniet e Bashkimit Europian me Shqipërinë, pasi respektimi i rregullave europiane dhe parimeve të shtetit ligjor është parakusht për këtë rrugë europiane. Vendime si ky i sotmi, që shkelin këto parime, tregon se në praktikë Shqipëria nuk po ndjek rrugën europiane.”

— Ministria e Punëve të Jashtme Greke, 13 Maj

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë

Në përgjigje të reagimit të parë të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Greqi, Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka e nxiti homologun e saj në Athinë që të lejojë drejtësinë shqiptare të bëj punën e saj pa presione të jashtme dhe mesazhe përçarëse.


Është mirë të mbajmë të informuar Brukselin, por duhet të presim edhe shfaqjen e fakteve.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë, 12 Maj

Pas vendimit të Gjykatës, Ministrja e jashtme Olta Xhaçka iu përgjigj reagimit të homologut të saj grek, duke deklaruar se “nuk e kupton se si Greqia mund të kundërshtojë një vendim gjykate kur provat janë kaq të forta”.

Paralajmërimi i Kryeministrit Rama

Mbrëmjen përpara arrestimit të Fredi Belerit, në një intervistë televizive, kryeministri Rama ngriti akuza të drejtpërdrejta në drejtim të tij për blerje votash, duke përmendur edhe emrat e atyre që i quajti bashkëpunëtorë të Belerit.

Më pak se 24 orë më vonë, Beleri u arrestua.

Në reagimin e tij të parë, Kryeministri Rama e quajti sprovë për drejtësinë arrestimin e Belerit përpara zgjedhjeve.

Ndërsa në konferencën për mediat, mbajtur pas publikimit të pjesës më të madhe të rezultateve zgjedhore për 61 kryetarët e rinj të bashkive, Kryeministri Rama i lidhi reagimet e Greqisë me mbajtjen e zgjedhjeve atje. Rama tha gjithashtu se askush nuk mund të kundërshtojë vendimet e drejtësisë Shqiptare.

Edi Rama, Kryeministër

Pas shpalljes së moskompetencës nga Gjykata e Vlorës, është Prokuroria Speciale Antikorrupsion, SPAK ajo që pritet të vijojë hetimin e dosjes dhe dërgimin e saj në gjykatë.

Ky shkrim u publikua në kuadër të projektit “Nxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartë” mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) dhe zbatuar nga Faktoje.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img