Në rrjete sociale shqipfolëse po qarkullon imazhi i një basorelievi antik ku duket se shkruhet fjala “Besa” me shkronja greke. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se imazhi është i manipuluar dhe në monumentin origjinal nuk ka një mbishkrim të tillë.

———————————

Një imazh që duket se tregon një basoreliev antik mbi të cilin shkruhet “BESA” po shpërndahet sërish në hapësirat online shqipfolëse.

Imazhi që po qarkullon në internet

Ky imazh duket se ka të paktën që në vitin 2019 që qarkullon nëpër faqe në Facebook, të cilat kanë orientim patriotik apo postojnë rreth kulturës, traditave, dhe historisë së popullit shqiptar.

Këto faqe e kanë postuar me ngazëllim imazhin e mësipërm me hovin për të ‘provuar’ lashtësinë e gjuhës dhe zakoneve shqiptare, siç është koncepti i besës.

Megjithatë, një kërkim me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search zbulon se ky imazh është, në të vërtetë, një manipulim.

Basorelievi origjinal, i cili ndodhet në Muzeun e Akropolit në Athinë, nuk e përmban mbishkrimin “BESA”.

Basorelievi origjinal

Stela prej guri në të cilën është gdhendur basorelievi u gjet në vitet 1876-77 në Akropol. Basorelievi tregon perëndeshën Athina (djathtas) duke shtrënguar dorën e një burri, identiteti i të cilit mbetet i diskutueshëm. Teksti është shkruar në alfabetin e Atikës, dhe tregon për arkëtarët (mbajtësit e thesarit) që i shërbenin Athinasë dhe perëndive të tjera gjatë viteve 398-397 Para Erës së Re, pra nuk ka ndonjë lidhje me konceptin e besës. Basorelievi llogaritet të jetë i vitit 397-6 Para Erës së Re.

Qëllimet e atyre që kanë vite që shpërndajnë këtë imazh të manipuluar si dokument i lashtësisë së zakoneve shqiptare janë të admirueshme. Shpresojmë se përgënjeshtrimi i vërtetësisë së tij do të ridrejtojë përpjekjet e tyre tek kërkimi dhe shpërndarja e dokumenteve autentike.

Për shembull, Statutet e Shkodrës, një kod normativ vetëqeverisës i Shkodrës nën sundimin e Venedikut gjatë gjysmës së parë të shekullit XIV e deri më 1479, vitin e pushtimit nga osmanët. Në këtë dokument, të shkruar në një dialekt venedikas, disa akademikë kanë gjurmuar konceptin shqiptar të ‘besës’ në fjalën e vetme të prejardhjes thjesht shqipe “besare”.

Faktoje ka përgënjeshtruar edhe më parë pretendime rreth historisë dhe lashtësisë shqiptare.