Një postim i faqes Gazeta Selam në Facebook paralelizon zbarkimin e trupave turke të NATO në Kosovë në Qershor 2023 me Betejën e Kosovës në vitin 1389. Në të dyja rastet, pretendon postimi, ushtria ‘osmane’ ka qenë duke mbrojtur Kosovën nga sllavët. Postimi ka marrë mbi 400 pëlqime deri në botimin e këtij shkrimi.

Postimi i faqes Gazeta Selam

Postimi shoqërohet edhe me flamujt e Turqisë, Shqipërisë dhe Kosovës, dhe përshkrimin “Jemi një umet”. Umet është një fjalë arabe që do të thotë ‘bashkësi’. 

Postimi i mësipërm duket se është një përpjekje për të prezantuar Turqinë si mbrojtëse të shqiptarëve dhe, veçanërisht, të Kosovës, me anë të rishkrimit të historisë.

2023

Si fillim, duhet sqaruar se “ushtria osmane” nuk ekziston më prej më shumë se një shekulli. Në 1 nëntor 1922, Asambleja Kombëtare e Turqisë shfuqizoi Sulltanatin Osman. Çfarë kishte ngelur nga perandoria osmane u ripagëzua si Republika e Turqisë në 29 tetor 1923, me Mustafa Kemal Ataturk si presidentin e saj të parë.

Më tej, zbarkimi i 500 ushtarëve turq, të cilëve duket se i referohet postimi kur thotë “ushtria osmane”, në Kosovë në 5 qershor 2023 ishte me kërkesë të NATO, dhe ata do t’i bashkohen KFOR-it, misionit paqeruajtës së NATO në Kosovë.

“Turqia është një aleat i rëndësishëm dhe shumë i vlerësuar, i cili ka bërë kontribute kyç në NATO. Këto përfshijnë trupa për misionin tonë paqeruajtës në Kosovë, i cili është edhe më i rëndësishëm tani, kur tensionet janë të larta,” tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO Jens Stoltenberg.

Përpara këtij përforcimi, KFOR përbëhej nga 3.762 trupa, 350 prej të cilëve turke, ndërkohë që shteti me pjesëmarrjen më të madhe ishte Italia me 715 trupa. 

1389

Postimi i mësipërm pretendon më tej se ushtria osmane ka qenë duke mbrojtur Kosovën nga sllavët që në vitin 1389.

Lexuesi i familiarizuar me historinë e Ballkanit kujton se në vitin 1389 u zhvillua në Kosovë, ajo që quhet Beteja e Kosovës.

Historianët në përgjithësi bien dakort se kjo betejë u luftua mes ushtrisë pushtuese osmane dhe një force të përbërë nga trupa nga i gjithë Ballkani, të udhëhequr nga princi serb Lazar Hrebeljanović.

Në shekullin e XIV, Ballkani ishte i ndarë në principata marrëdhënia e të cilave varionte nga aleate në armike. Vetë princi serb Llazar ishte përpjekur të lidhte aleanca duke i martuar të bijat me mbretin boshnjak Tvrtko dhe një princ shqiptar nga principata e Balshajve. (Malcolm, 59).

Nga gjërat e pakta të sigurta që dihen për këtë betejë, sipas historianit Noel Malcolm, është se ajo ishte e ashpër dhe të dyja palët vuajtën humbje të mëdha. Të dy udhëheqësit e ushtrive, Llazari dhe sulltan Murati, u vranë në këtë betejë.

Pjesëmarrja e trupave shqiptare në këtë betejë dëshmohet nga një histori familjare e shekullit të XVI e familjes Muzaka. Në të shkruhet se Teodor Muzaka udhëhoqi “një grup të madh shqiptarësh” për t’u bashkuar me ushtrinë e Llazarit, bashkë me “fisnikë të tjerë shqiptarë”. Teodor Muzaka, thotë dokumenti, mbeti gjithashtu i vrarë në Betejën e Kosovës. (Malcolm, 62)

Raportet më të hershme osmane, të shkruara në shekullin XV, gjithashtu numërojnë mes ushtrisë së Llazarit shqiptarë, serbë, boshnjakë dhe hungarezë.

Ndërkohë, siç shpjegon Malcolm, ushtria osmane, në vetvete, ka gjasa të ketë patur në përbërje trupa jo-turq. Dy sundimtarë serbë, Marko Krajlevic dhe Konstantin Dejanovic, ishin vasalë të perandorisë osmane, e si të tillë kishin detyrim furnizimin me trupa në fushata ushtarake. Një kronikë e hershme italiane shënon se mes ushtrisë osmane kishte ushtarë “grekë dhe të krishterë”, ndërsa një kronikë serbe shënon se ushtria e sulltan Muratit përmbante grekë, bullgarë, dhe shqiptarë.

Si përfundim, të dhënat historike tregojnë se ushtria osmane, e përbërë nga turq, por edhe etnicitete të tjera ballkanase, mbërriti si pushtuese në Kosovë në vitin 1389, jo si mbrojtëse e Kosovës kundër sllavëve. Ushtria me të cilën u përball ajo ishte e përbërë gjithashtu nga një sërë etnicitetesh ballkanase, duke përfshirë si sllavë, edhe shqiptarë.