Në qershor të këtij viti, Gazeta Selam, një faqe online me qëndrim të qartë proturk, postoi një kolazh fotosh ku binte në sy propagandimi i ‘ushtrisë osmane’ si shpëtimtare e “Shqipërisë së Madhe”. Kjo narrativë dizinformuese u pompua në ditët e incidenteve mes Kosovës dhe Serbisë, ku u desh ndërhyrja e trupave të KFOR-it. Postimi në fjalë, përmes referencave nostalgjike për ushtrinë otomane, është i pasaktë, krijon perceptim të gabuar dhe është propagandë për interesa gjeo-politike, që vetëm pëkeqësojnë situatën në situata konflikti.

Patris Pustina

Një postim i faqes online e quajtur Gazeta Selam në Facebook paralelizon zbarkimin e trupave turke të NATO-s në Kosovë në Qershor 2023, me Betejën e Kosovës në vitin 1389. Në të dyja rastet, siç pretendon postimi në fjalë, ushtria ‘osmane’ ka qenë duke mbrojtur Kosovën nga sllavët. Ky postim ka marrë mbi 400 pëlqime deri në botimin e këtij shkrimi verifikues.

Postimi i faqes Gazeta Selam

Postimi shoqërohet edhe me flamujt e Turqisë, Shqipërisë dhe Kosovës, dhe përshkrimin “Jemi një umet”. Umet është një fjalë arabe që do të thotë ‘bashkësi’. 

Postimi i mësipërm duket se është një përpjekje për të prezantuar Turqinë si mbrojtëse të shqiptarëve dhe veçanërisht, të Kosovës, me anë të rishkrimit të historisë.

Ky interpretim i Betejës së Kosovës haset edhe në faqe të tjera pro-Turqi apo pro-Erdogan në Facebook.

Realiteti në 2023

Postimi i mësipërm u bë pikërisht në ditët e tensionuara në fillim të Qershorit 2023, kur në Mitrovicën e Veriut u mbajtën protesta nga banorët serbë kundër vendosjes së kryetarëve shqiptarë që ishin zgjedhur në zgjedhjet vendore që u bojkotuan në masë nga serbët e këtyre komunave. Në këto protesta pati përleshje me KFOR, nga mbetën të plagosur dhjetëra ushtarë të misionit paqeruajtës. Në këtë situatë tensioni, një postim i tillë me nota nostalgjie për ushtrinë osmane vetëm sa i hedh benzinë zjarrit të nacionalizmit.

Si fillim, duhet sqaruar se “ushtria osmane” nuk ekziston më prej më shumë se një shekulli. Në 1 nëntor 1922, Asambleja Kombëtare e Turqisë shfuqizoi Sulltanatin Osman. Çfarë kishte ngelur nga perandoria osmane u ripagëzua si Republika e Turqisë në 29 tetor 1923, me Mustafa Kemal Ataturk si presidentin e saj të parë.

Më tej, zbarkimi në Kosovë në 5 qershor 2023, i 500 ushtarëve turq të cilëve duket se i referohet postimi kur thotë “ushtria osmane”, ishte me kërkesë të NATO-s, që ata t’i bashkoheshin KFOR-it, për misionin paqeruajtës në Kosovë.

“Turqia është një aleat i rëndësishëm dhe shumë i vlerësuar, i cili ka bërë kontribute kyç në NATO. Këto përfshijnë trupa për misionin tonë paqeruajtës në Kosovë, i cili është edhe më i rëndësishëm tani, kur tensionet janë të larta,” tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO Jens Stoltenberg.

KFOR, për momentin, përbëhet nga 3762 trupa, 350 prej të cilëve janë turq, ndërkohë që shteti me pjesëmarrjen më të madhe është Italia me 715 trupa. 

Të dhënat për vitin 1389

Postimi i mësipërm pretendon më tej se ushtria osmane ka qenë duke mbrojtur Kosovën nga sllavët që në vitin 1389. Lexuesi i familjarizuar me historinë e Ballkanit kujton se në vitin 1389 u zhvillua në Kosovë, ajo që quhet Beteja e Kosovës.

Historianët në përgjithësi bien dakord se kjo betejë u luftua mes ushtrisë pushtuese osmane dhe një force të përbërë nga trupa nga i gjithë Ballkani, të udhëhequr nga princi serb Lazar Hrebeljanović.

Në shekullin e XIV, Ballkani ishte i ndarë në principata marrëdhënia e të cilave varionte nga aleate në armike. Vetë princi serb Llazar ishte përpjekur të lidhte aleanca duke i martuar të bijat me mbretin boshnjak Tvrtko dhe një princ shqiptar nga principata e Balshajve. (Malcolm, 59).

Nga të paktat gjëra të sigurta që dihen për këtë betejë, sipas historianit Noel Malcolm, është se ajo ishte e ashpër dhe të dyja palët vuajtën humbje të mëdha. Të dy udhëheqësit e ushtrive, Llazari dhe sulltan Murati, u vranë në këtë betejë.

Pjesëmarrja e trupave shqiptare në këtë betejë dëshmohet nga një histori familjare e shekullit të XVI e familjes Muzaka. Në të shkruhet se Teodor Muzaka udhëhoqi “një grup të madh shqiptarësh” për t’u bashkuar me ushtrinë e Llazarit, bashkë me “fisnikë të tjerë shqiptarë”. Teodor Muzaka, thotë dokumenti, mbeti gjithashtu i vrarë në Betejën e Kosovës. (Malcolm, 62)

Raportet më të hershme osmane, të shkruara në shekullin XV, gjithashtu rendisin mes ushtrisë së Llazarit shqiptarë, serbë, boshnjakë, dhe hungarezë.

Ndërkohë, siç shpjegon Malcolm, ushtria osmane, në vetvete, ka gjasa të ketë patur në përbërje trupa jo-turke. Dy sundimtarë serbë, Marko Krajlevic dhe Konstantin Dejanovic, ishin vasalë të perandorisë osmane, e si të tillë kishin detyrim furnizimin me trupa në fushata ushtarake. Një kronikë e hershme italiane shënon se mes ushtrisë osmane kishte ushtarë “grekë dhe të krishterë”, ndërsa një kronikë serbe shënon se ushtria e sulltan Muratit përmbante grekë, bullgarë, dhe shqiptarë.

Miti i Kosovës

Beteja e Kosovës, përtej ndikimit të saj në rrjedhën e historisë, është në zemër të të ashtuquajturit “miti i Kosovës”. Sipas akademikes Julie Mertus, nacionalistët serbë vazhdojnë të pretendojnë Kosovën si Jeruzalemin e tyre, thelbin e identitetit serb (Mertus, 11). 

Përgjatë shekujve, figura e Llazarit u lartësua si martir dhe rreth saj u krijua një kult fetar I ngjashëm me atë të një shenjtori. Megjithatë, miti mori formën e tij moderne në shekullin e XIX me botimin e poemave folklorike serbe të mbledhura nga filologu serb Vuk Karaxhiç. Në këtë version, i cili ka qenë në themelet e formimit të identitetit etnik dhe kombëtar serb, Kosova është “djepi” i kombit serb, dhe beteja e 1389 simbolizon fundin e periudhës së lavdishme të Serbisë mesjetare dhe fillimin e zgjedhës osmane.

Sipas Sabrina P. Ramet, beteja e Kosovës simbolizon për nacionalizmin serb “shpirtin e rezistencës, armiqësi ndaj myslimanëve, dhe së fundmi të ashtuquajturën luftë ‘të përjetshme mes serbit dhe shqiptarit’” (Ramet, 290). Ramet gjithashtu shpjegon se, pas ardhjes në fuqi të Sllobodan Millosheviçit, kulti i Princit Llazar dhe Betejës së Kosovës u rigjallërua gati menjëherë, me libra, këngë, madje edhe një linjë parfumesh të quajtur “Miss 1389”. (Ramet, 291). 

Formimi i kësaj ‘memorjeje kolektive’ të Betejës së Kosovës ishte i dobishëm për regjimin e Milloshevicit, sepse ndjenjat e hatërmbetjes, padrejtësisë, fyerjes dhe zemërimit që ngjall ky mit ishin të dobishme në mobilizimin për luftë. Siç vëren Ramet, “nëse serbët mund ta shihnin veten si viktima, atëherë do të ndiheshin të justifikuar në atë që ata e konsideronin hakmarrje” (Ramet, 291). 

Në 600-vjetorin e kësaj beteje, më 28 qershor 1989, një milion serbë nga gjithë Jugosllavia u mblodhën në pelegrinazh në Kosovë, ku ngrihej edhe një monument i princit Llazar, në vendin ku ai pretendohet se kishte vdekur, me mbishkrimin e mallkimit të tij legjendar kundër “atyre që nuk bashkohen në betejën e Kosovës.” 

Siç vëren edhe Mertus, në 1989, përkujtimi i “humbjes së madhe” të 1389 ndillte kujtime të vuajtjeve serbe dhe nevojën për të mbrojtur atdheun serb, zemra e të cilit vendoset, brenda kësaj narrative, në Kosovë. Narrativa bënte të lehtë edhe paralelizmin mes Osmanëve armiq dhe shqiptarëve myslimanë.

Sllobodan Milloshevic, në atë kohë president i Republikës Socialiste të Serbisë, mbërriti në ceremoni me helikopter, hipi në skenën e zbukuruar me emblemat e nacionalizmit serb, dhe deklaroi para turmës: 

“Serbët në historinë e tyre kurrë nuk kanë pushtuar apo shfrytëzuar të tjerët. […] Heroizmi në Kosovë nuk na lejon të harrojmë se dikur ne kemi qenë të guzimshëm dhe dinjitozë dhe një nga të paktët që hynë në luftë të pamposhtur. Gjashtë shekuj më vonë, jemi sërish në beteja dhe zënka. Nuk janë beteja të armatosura, megjithëse gjëra të tilla nuk mund të përjashtohen ende.”

Në 2007, kreu i Kishës Ortodokse Serbe në atë kohë, Patriark Pavle paralajmëroi se “re të zeza” po shfaqeshin mbi Kosovë dhe theksoi se serbët nuk po mbronin veç interesat e tyre në Kosovë, por po mbronin “shenjtërinë e njerëzimit të ndriçuar”.

Në 2022, mediat serbe raportuan se presidenti serb Aleksandar Vucic i kishte kërkuar Patriark Porfirijes t’i jepte bekimin e tij për të mbrojtur Kosovën siç kishte bërë Princ Llazari në Betejën e Kosovës në 1389.

Maj 2023, tenisti serb Novak Djokovic e ringjalli mitin e Kosovës kur shkroi mbi kamera gjatë një kampionati tenisi: “Kosova është zemra e Serbisë. Stop dhunës.” Sipas mediave serbe, ai shtoi më vonë: “Kosova është djepi ynë, fortesa jonë, qendra e gjërave më të rëndësishme për vendin tonë.”

Kushtetuta e Serbisë, e miratuar në 2006, vazhdon ta quajë Kosovën si “një pjesë themelorë të territorit serb”.

Përfundim

Interpretimi i Betejës së Kosovës si një shembull i mbrojtjes që turqit i kanë dhuruar shqiptarëve dhe Miti i Kosovës, megjithëse ndryshojnë në interpretimin përkatës të ‘të mirëve’ dhe ‘të këqinjve’ bien dakord në fshirjen e rolit apo edhe ekzistencës së shqiptarëve. Të dyja versionet i karakterizojnë shqiptarët vetëm si myslimanë, duke i llogaritur ata automatikisht si palë me osmanët.

Identifikimi i shqiptarëve myslimanë si turq apo osmanë jo vetëm që fsheh kontributin e tyre në historinë e Ballkanit, por është përdorur dhe vijon të përdoret ende nga aktorë të ndryshëm për interesat e tyre politike, nganjëherë me pasoja të rënda.

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli