Kjo video nuk tregon mobilizimin e artilerisë së shtetit amerikan Texas. Verifikimi i Faktoje zbuloi se video është xhiruar në Kili, jo më vonë se 2023.

——————————————

Më 22 janar 2024, Gjykata e Lartë në ShBA vendosi në favor të administratës Biden, duke lejuar prerjen e telit me gjemba të vendosur përgjatë kufirit me Meksikën nga shteti amerikan i Texas për të parandaluar emigrimin. Guvernatori i Texas, Greg Abbott e sfidoi vendimin e gjykatës duke urdhëruar zgjatimin e telit me gjemba. Kjo ka çuar në tensione mes forcave ushtarake të shtetit të Teksasit dhe agjentëve federalë të Patrullës Kufitare.

Në mes të këtyre zhvillimeve, përdoruesit e rrjeteve sociale po shpërndajnë një video ku pretendohet se tregohen “lëvizje të shumta të artilerisë së forcave teksiane” në Texas. Në video shfaqet një pamje e ngjashme me terrenet e thata të Texasit dhe disa tanke ushtarake që i presin rrugën makinave në një rrugë të asfaltuar. 

Video që qarkullon në rrjet

Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit të imazheve Reverse Google Image Search, Faktoje zbuloi se video e mësipërme është postuar në TikTok që në Nëntor 2023, përpara se të nisnin tensionet në Texas.

Video është postuar në TikTok më 7 nëntor 2023

Në TikTok, video shoqërohej me fjalët kyçe “Kili” dhe “ushtria e Kilit”

Në videon me cilësi më të lartë në TikTok, dallohen emrat e vendeve në tabelën e gjelbërt të qarkullimit: “Est. Ohiggins” dhe “Calama”. 

Calama është një qytet në veri të Kilit, ndërsa O’Higgins është një nga 16 njësitë administrative të vendit. Mbishkrimi “Est. O’Higgins” mund të nënkuptojë stadiumin O’Higgins (“Estadio O’Higgins”) ose stacionin O’Higgins (“Estacion O’Higgins”).

Duke qenë se stadiumi i klubit të futbollit mban emrin Estadio El Teniente, gjasat janë që tabela rrugore i referohet stacionit O’Higgins.

Me anë të Google Maps, lokalizojmë “Estacion O’Higgins” në hartë. Vëmë re se nëse udhëtojmë nga jugu në veri, kthesa për në Estacion O’Higgins do të jetë në të djathtë, siç tregon tabela në video.

Kështu, me anë të Google Maps Street Vieë, nisim të ‘ecim’ përgjatë autostradës Panamerikane në një përpjekje për të gjetur vendin ekzakt ku është xhiruar video e mësipërme.

Përveç tabelës rrugore, në këtë vendndodhje njohim nga video edhe godinat e bardha në formë trekëndore.

Godinat e bardha trekëndore në video

Më tej, në video dallohet edhe targa e një makine: “SB TJ 70”. Kjo përkon me formatin e targave të përdorur në Kili: 6 karaktere të ndara në 3 çifte, ku 4 të parët janë shkronja dhe 2 të fundit numra. 

Formati i targave në Kili

Formati i targave në Texas është i ndryshëm, me një treshe shkronjash që pasohet nga 4 numra.

Formati i targave në Texas

Më tej, një automjet tip kamionçinë që shfaqet në fillim të videos ka të njejtën pamje si automjetet e përdorura nga policia e Kilit.

Si përfundim, treguam se video që qarkullon në rrjet si të ishte mobilizimi i artilerisë së Teksasit në 2024 është xhiruar në të vërtetë në Kili dhe përpara Nëntorit 2023.