BallinaFaktometerE vërtetëFatkeqësitë natyrore dy vitet e fundit, shteti shqiptar miliona euro detyrim të prekurve

Fatkeqësitë natyrore dy vitet e fundit, shteti shqiptar miliona euro detyrim të prekurve

MERXHAN DACI

Shteti shqiptar u detyrohet të paktën 4.4 milionë euro mbi 2900 familjeve të prekura nga fatkqësitë natyrore dy vitet e fundit. Nga fondi rezervë përgjatë 2017-2019 janë dhënë para për fatkeqësitë natyrore të shteteve fqinje dhe jo vetëm, por ende jo për të prekurit në Shqipëri.

————————————————————————————————————————————————————-

Që nga viti 2017 deri në 2019 shteti shqiptar sipas dokumentave zyrtare u ka borxh qytetarëve të prekur nga fatkeqësitë natyrore së paku 4,4 milionë euro. Të prekurit kryesisht nga përmbytjet apo tërmeti ende nuk kanë marrë paratë që u takojnë.

Nga Fondi Rezervë i qeverisë, dy vitet e fundit në mënyrë kategorike nuk është përdorur asnjë qindarkë për dëmshpërblimet. Ke me qindra familje në Shkodër, Fier, pallatet në Gjirokastër”.

Kështu tha Shemsi Prençi, ish Kreu i Emergjencave Civile në emisionin RealStory në 23 shtator.

Nga kjo deklaratë u nis “Faktoje” për të verifikuar së pari deklaratën dhe për t’i hyrë më në thellësi çështjes.

Emergjencat Civile konfirmuan për “Faktoje” se shteti shqiptar vetëm për këto dy vitet e fundit u ka një detyrim prej mbi 546 milionë lekë personave të prekur nga fatkeqësitë natyrore ose rreth 4,4 milionë euro.

Emergjencat Civile, në përgjigjen për “Faktoje” thanë se gjatë vitit 2017 e në vazhdim, Ministria e Mbrojtjes ndër të tjera ka zbatuar detyrimin ligjor (me fondet e saj) ndaj 521 familjeve te dëmtuara nga fatkeqësi të ndryshme natyrore, në vlerën 176,550,833 lekë.

Megjithatë, ish kreu i Emergjencave Shemsi Prençi të cilin “Faktoje” e kontaktoi për ta pyetur rreth deklaratës së dhënë, thotë se detyrimi i shtetit shqiptar ndaj qytetarëve të prekur është shumë më i madh.

Detyrimi për fatkeqësitë natyrore 2017-2019 pa llogaritur tërmetin e Korçës   (në Floq dhe disa fshatra) dhe atë të fundit është rreth 7,2 milionë euro”, tha për “Faktoje” Prençi duke shtuar se kjo shumë mund të shkojë deri në 20 milionë euro, pa llogaritur ndërtesat e institucioneve shtetërore.

Emergjencat shtuan se numrin më të madh të familjeve ndaj të cilave kanë detyrim me vlerën financiare më të madhe e përbëjnë ato të Bashkisë Krujë të cilat janë përmbytur në dhjetor 2017, si rezultat i daljes nga shtrati të lumit Zezë.

Përgjigja e Emergjencave Civile

Siç shihet edhe nga tabela, detyrimet financiare janë ndarë midis të dëmtuarve nga tërmetet dhe përmbytjet.

Paulin Macaj, përfaqësues i “Shoqatës së Qytetarëve të Përmbytur” konfirmoi se të prekurit nga përmbytjet e dy viteve të fundit nuk janë dëmshpërblyer nga shteti.

Të dëmtuarit nga përmbytjet e viteve 2016-2017 në zonën e Shkodrës por jo vetëm akoma nuk kanë marrë lekët. Mbi të gjitha, banorët nuk kanë marrë sot e kësaj dite paratë e përmbytjeve të vitit 2010”, tha ai për “Faktoje”.

Edhe sipas raportit të Performancës së Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2018 konfirmohet se janë konstatuar parregullsi në shpërndarjen e fondeve si dhe mungesë informacioni për shumat financiare të shpërndara familjeve të dëmtuara nga fatkeqësitë natyrore. Janë konstatuar po ashtu planifikime jo të drejta që kanë çuar në vonesa mbi 2 vite në ekzekutimin e vendimeve për dhënien e ndihmave.

Situatat e emergjencave civile në vendin tonë menaxhohen në mënyrë paradoksale”, shkruante KLSH në raport.

Fondi rezervë

Fondi rezervë është një shumë e caktuar parash që planifikohet nga buxheti i shtetit për t’u përdorur nga Këshilli i Ministrave për nevoja të ndryshme.

“Faktoje” mori në shqyrtim të dhënat e raportit të Ministrisë së Financave për vitin 2017 për mënyrën se si është shpenzuar fondi rezervë. Nga ky raport rezulton se me anë të dy VKM-ve, mbi 73 milionë lekë i janë akorduar Bashkive Patos dhe Roskovec për dëmshpërblimin e disa familjeve në fshatrat Zharrëz dhe Dukas të cilave iu dëmtuan banesat. Lëkundjet e tokës nuk ishin fatkeqësi natyrore pasi erdhën nga shpimet për kërkimin e naftës. Kjo bëri që shteti shqiptar të binte dakort që të paguante dëmin bashkë me kompaninë Bankers Petroleum e cila operon në atë zonë.

Ndërkaq në raportin e vitit 2018 Faktoje nuk gjeti asnjë informacion që bën fjalë për pagesa për dëmshpërblime për ndonjë rast të fatkeqësisë natyrore. Edhe për vitin 2019 deri në tetor, nuk ka ndonjë të dhënë për dëmshpërblime të qytetarëve nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

Ajo që bie në sy, paradoksalisht është se Shqipëria ka dhënë në disa raste ndihmë në vlerë monetare  nga fondi rezervë brenda një kohe të shkurtër për vendet fqinje apo shtete të tjera që kanë përjetuar fatkeqësi natyrore, ndërkohë që  qytetarët shqiptarë ende nuk kanë marrë dëmshpërblimin që u takon, në disa raste edhe prej vitesh.

Edhe pse fondi rezervë ka ardhur në ulje nga viti 2016 deri sot (përveç vitit 2017 kur ishte me rritje), sipas të dhënave nga dokumentet zyrtare që “Faktoje” zotëron rezulton të mos u ketë ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga fatkeqësitë natyrore.

Sa e rrezikuar është Shqipëria nga fatkeqësitë natyrore

Sipas raportit të vitit 2015 për Rreziqet Botërore, i Universitetit për Mjedis dhe Siguri të Njerëzve i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNU-EHS), Shqipëria, Holanda, Greqia dhe Turqia janë vendet e Europës me probabilitet më të lartë për fatkeqësi natyrore.

Raporti përfshin të dhëna për 173 shtete të botës në bazë të probabilitetit për përjetim të fenomeneve si tërmetet, stuhitë, përmbytjet, thatësirat dhe ngritjet e nivelit të detit.

Shqipëria u vlerësua me notë 10,01, Holanda me 8.76, ndërsa Greqia dhe Turqia patën vlerësime më të ulëta (7.36 dhe 5.52).

VERDIKTI:

Duke qenë se kjo temë pati një deklaratë fillestare të ish-kreut të Emergjencave Shemsi Prençi se “këto dy vjet nga fondi rezervë i buxhetit të qeverisë nuk është përdorur asnjë qindarkë për dëmshpërblimet”, “Faktoje do ta konsiderojë këtë deklaratë TË VËRTETË.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img