BallinaFaktometerE vërtetëDy vjet nga nisja e pandemisë, testet e shpejta vetëm në qendra shëndetësore ose te privati 

Dy vjet nga nisja e pandemisë, testet e shpejta vetëm në qendra shëndetësore ose te privati 

Vala e re e infektimeve nga nënvariantet e Covid, ka shënuar sërish radha rë gjata nëpër qendra shëndetësore.   Personeli mjekësor në disa qendra të Tiranës, konfirmon se  nga testimet po rezultojnë të infektuar shumë fëmijë të grupmoshës 1-3 vjeç.  Mesatarisht 40% e të testuarve rezultojnë pozitivë me Covid. Nga ana tjetër, ekspertët ngrenë shqetësimin për çmimet e larta të testeve të shpejta në laboratorë privatë dhe bëjnë thirrje që ‘rapid test’ të ofrohet në çdo vend që aksesohet nga qytetarët, me një kosto minimale.

——————————————————————————————

Në dhjetor të vitit 2020, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi mbërritjen në Shqipëri të testeve të shpejta.

“Prej datës 20 dhjetor testimi i shpejtë i antigenit do të shtrihet dhe në disa pika testimi të përcaktuara në disa qendra shëndetësore në Tiranë”, deklaroi Manastirliu një vit e gjysmë më parë.

Por, duke qenëse aktualisht ka një rritje të testimeve dhe të prekurve me Covid-19, Faktoje vendosi të bëj një verifikim në disa qendra shëndetësore në Tiranë për të parë nëse ofrohet testimi me “Rapid test” dhe si është fluksi në këtë periudhë.

Verifikimi në qendrat shëndetësore 

Faktoje ishte në tre qendra shëndetësore në kryeqytet, në atë numër 1, 2 dhe 9.  Në qendrën shëndetësore numër 1 ishte ngritur një tendë e posaçme në oborr për të testuar personat e dyshuar.

Faktoje mëson se mesatarisht aty bëhen rreth 100 testime në ditë, nga të cilat 40 dalin pozitive, pra 40% e të testuarve. Ndërkohë, ajo që është shqetësuesve sipas stafit të kësaj qendre është fakti që po rezultojnë pozitivë shumë fëmijë të moshës 1-3 vjeç.

Qendra shëndetësore numër 1 në Tiranë

“Janë grupmosha të ndryshme që dalin pozitivë, që nga fëmijë e deri tek të moshuarit. Një pjesë e mirë e të infektuarve janë edhe persona që për shkak të sëmundjeve kronike nuk janë vaksinuar kundër Covid. Disa nga simptomat që paraqesin janë këputje trupi, dhimbje fyti dhe së fundmi edhe dhimbje koke”, tregon stafi mjekësor.

Më tej ata shtojnë se teste të shpejta ka plot dhe nuk është refuzuar askush që ka kërkuar të testohet.

Qendra shëndetësore numër 1 në Tiranë

“Para 3 javësh nisi edhe vala më e madhe. Më parë testonim rreth 15 persona në ditë. Ka një problem të madh me njerëzit, sepse menduan se iku Covidi dhe nuk u treguan të kujdesshëm. Por edhe ardhjet e turistëve, lëvizjet e shqiptarëve jashtë vendit kanë ndikuar në shtimin e të prekurve”, theksoë stafi mjekësor i kësaj qendre.

Në qendrën shëndetësore numër 2 në Tiranë gjithashtu ofrohej testimi i shpejtë. Një dhomë e vogël, në hyrje të qendrës ishte ndarë enkas për këtë proces. Një prej infermiereve tregon se mesatarisht bëhen 60 testime në ditë, nga ku 22 rezultojnë pozitivë.

Qendra shëndetësore numër 2 në Tiranë

“Tani ka rënë pak fluksi në qendrën tonë. Nga mesi qershorit ishte piku. Covid-i i ka prekur të gjithë, pa dallim, fëmijë dhe të rritur. Ka edhe njerëz që janë vaksinuar dhe kanë rezultuar pozitivë”, shprehet infermierja. 

Qendra shëndetësore numër 2 në Tiranë

Gjatë verifikimit në qendrën shëndetësore numër 9  kishte një numër më të madh njerëzish që prisnin në radhë.  Një prej infermiereve i tha Faktoje se bëhen 150 teste të shpejta në ditë, nga ku mesatarisht 60 dalin pozitivë.

“Kjo periudhë ka qenë plot, ja shihni njerëzit te dera, të gjithë janë për të bërë testin e shpejtë”, tregon infermierja.

Qendra shëndetësore numër 9 në Tiranë

Në këtë qendër shëndetësore, ndryshe nga dy të tjerat, nuk bëhen testime për personat që nuk kanë një rekomandim nga mjeku i familjes. 

Testet e shpejta në laboratorë privatë

Ne kontaktuam disa laboratorë privatë për të pyetur sa varionte çmimi për të kryer një ‘rapid test’. Laboratorë të ndryshëm kishin çmime të ndryshme, por mesatarisht shkonte nga 1400-1500 lekë te reja. Ndonëse me një pagesë të lartë shumë persona zgjedhin privatin, qoftë edhe për të shmangur radhat në shtet.

Testet e shpejta në farmaci

Faktoje pyeti edhe në disa farmaci, nëse kanë në shitje teste të shpejta. 3 nga 4 farmacitë ku ne pyetëm, nuk kishin teste, . 

“Nuk kemi teste të Covid, nuk lejohet të shiten në farmaci”, thanë ata. Ndërsa, në një prej farmacive në Tiranë ku ne pyetëm kishte teste të tilla në gjendje, por kushtonin 1200 lekë të reja, një kosto kjo  e lartë. 

I pyetur nga Faktoje për këtë fenomen, eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho thotë se testet e shpejta duhet të ofrohen në çdo vend që mund të aksesohet nga qytetarët dhe me një çmim 50-100 lekë të reja. 

“Fakti që qytetarët shqiptarë paguajnë testet e shpejta është një skandal. Është pjesë e asaj që unë e kam quajtur ‘rrjepja’ e qytetarëve nga qeveria dhe nga Ministria e Shëndetësisë. Është e papranueshme që në këtë moment që ne jemi në pandemi, testet e shpejta ende nuk janë të disponueshme për vetëtestim ashtu siç janë në vendet e tjera të botës dhe qytetarët detyrohen të paguajnë shuma të tilla. Testet normalisht duhet të ishin falas në të gjitha instutucionet shëndetësore të vendit dhe natyrisht t’i ofrohej edhe mundësia për t’i blerë me çmim 50 ose 100 lekë të reja për test, në supermarket, farmaci apo kudo ku qytetarët kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë”, argumenton Dasho. 

Më 18 korrik, shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino tha se nisur nga simptomat që shfaqin qytetarët, BA 5 qarkullon në popullatë, ndonëse pritet përgjigjia nga laboratori i referencës. 

Por, a identifikohen nënvariantet e Covid nga testet e shpejta? Eksperti Dasho shprehet: “Me njohuritë që kam unë, nënvariantet nuk identifikohen nga testet e shpejta. Për të identifikuar nënvariantet kërkohet analizë gjenetike, e cila deri vjet nuk bëhej në Shqipëri. ”. 

Sipas përditësimit të Ministrisë së Shëndetësisë të datës 19 korrik, në spitalin COVID3 po marrin trajtim 30 pacientë të prekur nga koronavirusi. 

Lija e majmunit 

Përpos Covid-it, një tjetër virus që po qarkullon në botë është lija e majmunit. Në lidhje me këtë, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë më 30 qershor, ku ndër të tjera e pyetëm nëse kishte raste të identifikuara në vendin tonë me linë e majmunit. 

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, 30 qershor 2022 

Në përgjigjen zyrtare, Ministria e Shëndetësisë sqaron: “Të gjithë personat e dyshuar nga mjeku specialist sipas përkufizimit të rastit do të testohen për linë e majmunit”. 

Gjithashtu bëhet e ditur se ISHP i ka kapacitetet për të testuar rastet e dyshuara me linë e majmunit.

Përgjigjia e Ministrisë së Shëndetësisë, 1 korrik 2022

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img