BallinaAktualitet“Etja” për të shkuar në Angli, rritet numri i sekserëve dhe kompanive ilegale për këtë shërbim

“Etja” për të shkuar në Angli, rritet numri i sekserëve dhe kompanive ilegale për këtë shërbim

Kompani që mashtrojnë shqiptarët për të shkuar në Londër, sekserë që të sigurojnë dokumente false, por edhe udhëtime të rrezikshme nga deti apo dhe toka. Faktoje ka intervistuar Ronaldon, një djalë 22-vjeçar nga Paskuqani, i cili njeh me detaje të gjitha forma ilegale për të shkuar në Londër. Ai tregon se është e thjeshtë të vihesh në kontakt më këta persona apo edhe kompani që në këmbim të parave të pajisin me dokumente false. Këto para më së shumti merren borxh, ndaj familja apo i riu duhet të sigurojë patjetër një vend pune që sjell të ardhura.

Ilda Hoxha

————————–

Vetëm pak kilometra larg qendrës së kryeqytetit, saktësisht në Paskuqan, jeta e të rinjve ndryshon totalisht krahasuar me bashkëmosharët e tyre në ‘zemër’ në Tiranës. Faktoje ishte në këtë zonë të varfër të kryeqytetit më 28 shkurt, ku bisedoi me të rinj, të cilët kanë vetëm një synim në jetë: “të ikin në Angli”. Një prej tyre është 22 -vjeçari Ronaldo, i cili është kapur në tentativë për të ikur në Britaninë e Madhe. Ai tregon për Faktoje jetën e vështirë në periferi të Tiranës dhe shpreson që një ditë të shkojë në atë që ai e quan “vendin e shumë mundësive, Londrën’.

I riu rrëfen se për shkak të pamundësisë ekonomike ka arritur që të përfundojë vetëm arsimin e mesëm, pasi që në moshën 16-vjeçare i është dashur që të punojë.

“Unë kam përfunduar vetëm shkollën e mesme, sepse familja nuk kishte mundësi ekonomike.  Kam punuar që 16 vjeç. Kam punuar ditë-natë, në orën 5 të mëngjesit shkoja në shtëpi. Si banakier që punoja unë merrja 40 mijë lekë në muaj dhe është e vështirë të jetohet me aq para. Jetoj në një shtëpi të vogël, me prindërit dhe vëllain. Prindërit bëjnë punë të thjeshta, me rroga minimale”, tregon 22-vjeçari.

Më tej ai shton se ndonëse ka punuar prej 5 vitesh, nuk ka arritur që të ndajë lekë mënjanë, pasi sipas tij pagat në Shqipëri janë shumë të ulëta për të përballuar jetesën.

“Ka gjithë këto vite që punoj dhe nuk kam arritur të mbledh lekë për të investuar diçka në të ardhmen. Vitet ikin dhe duhet të krijoj edhe unë familjen time, por me këto paga është e pamundur, sepse edhe çmimet janë të shtrenjta.

Kam kërkuar punë, pres ndonjë përgjigje, sepse nuk dua të punoj më banakier. Kam aplikuar dhe jam i vendosur të bëj edhe dy punë, vetëm që të arrij të mbuloj shpenzimet. Aktualisht kam 2 muaj pa punë.

Punova tre muaj në ndërtim në Gjermani, në tetor, nëntor, dhjetor. Po jetoj me lekët që mora nga puna atje”, shprehet i shqetësuar 22-vjeçari.

I riu i intervistuar nga Faktoje

Në shtator të vitit 2022 ai tentoi të ikte drejt Anglisë, duke përdorur dokumente false. Ai tregon se u pajis me dokumente franceze false te një person në zonën e Bathores, të cilin ia kishte sugjeruar një shok që kishte ikur në Angli duke përdorur të njëjtën rrugë. I riu shprehet se ka marrë kredi për të paguar shpenzimet për dokumentet false dhe udhëtimin.

“Me 1500 euro mora pasaportë franceze dhe patentë, për një javë. Meqë shoku im kishte kaluar me dokumente franceze, mi bëj dhe mua ashtu i thashë. Personi që falsifikonte më sugjeroi që të bëja dokumente suedeze.

Pasi mora letrat, kam ikur me autobus nga Tirana në Verona. Natën e parë kam fjetur te shtëpia e një kushëriri që jetonte atje. Më pas më ka çuar ai në aeroportin e Malpensës në orën 5 pasdite dhe kam qëndruar atje deri në 6 të mëngjesit kur kishin fluturimin. Nuk kisha ku të rrija, hotelet aty afër ishin shumë të shtrenjtë dhe nuk i paguaja dot.

Shkoi orari për të bërë check-in, sapo shkova aty më kapën autoritetet italiane, e dalluan që kisha dokumente false. ‘E di që janë falso, por desha të iki në Angli’-u thashë. Në Shqipëri jam me borxhe, 2 mijë eurot që kisha marrë me vete, i kisha borxh”, rrëfen 22-vjeçari.

Më pasi, ai u detyrua që të kthehej sërish në Shqipëri, por synon që shumë shpejt të ikë sërish drejt Mbretërisë së Bashkuar.

“Do iki prapë, edhe familja më shtyn që të iki, ‘bëj ndonjë gjë për jetën tënde’- më thonë. Këtu jam me borxhe, sepse mora para te një shok për të shlyer një pjesë të kredisë.

Nëse nuk gjej ndonjë mundësi të mirë punësimi këtu do tentoj të iki ilegalisht në verë me gomone, sepse është më lirë. 3 mijë euro paguan me gomone. Me kamion se përballoj dot, shkon 20 mijë euro.

Ka më shumë mundësi punësimi atje, paga më të mira, kam kushërinj që më presin atje. Punën në ndërtim nuk e kam qejf, por do e bëj edhe atë nëse duhet, do punoj në ndërtim muajt e parë që të laj borxhet, pastaj të shoh çfarë të dalë”, tregon 22-vjeçari.

I riu thotë se ka provuar për të ikur në Angli duke kontaktuar edhe kompani, të cilat pretendojnë se ofrojnë punësim të ligjshëm atje. Mirëpo, sipas 22-vjeçarit, kjo kompani ishte fiktive.

“Rashë në kontakt me një kompani që pretendohet se gjente punë në Angli edhe për punëtorë të pakualifikuar dhe që nuk dinin gjuhën angleze

Kjo kompania u merrte njerëzve nga 200-500 paund për aplikimin me idenë që do ua kthente prapë mbrapsht. Ata të mbanin peng për disa muaj dhe pasi mblidhnin lekët ndërronin zyrat.

Por, fola me shokun që është në Angli dhe më tha që është mashtruese, sepse Anglia nuk kërkon punëtorë të pakualifikuar dhe që nuk dinë gjuhën”, mbyll rrëfimin e tij djali nga Tirana.

Arsyet e largimit të të rinjve

Faktoje bisedoi me ekspertë të çështjeve sociale dhe ekonomisë, të cilën na bënë një pasqyrë të plotë të arsyeve dhe shkaqeve që detyrojnë të rinjtë të braktisin vendin e tyre.

Sociologu Gëzim Tushi shpreh shqetësimin se emigracioni tashmë është hetergojen, pasi po largohen nga Shqipëria edhe persona që kanë një punë të qëndrueshme e pagë të mirë.

“Fenomeni i emigracionit këto kohët e fundit ka marrë një transformim të dukshëm nga pikëpamja e tipologjisë së tij. Nuk kemi kemi të bëjmë me atë llojin e emigracionit të mëparshëm që ishte heterogjen të përbërë na shtresa të ndryshme të popullisë, nga grupe të ndryshme moshore dhe profesionistë të ndryshëm, të shkolluar, të pashkolluar, të punë dhe të papunë. Pra ishte në fakt një masë heterogjene që largohej për kushte më të mira pune dhe jetese.

Kohët e fundit emigracioni ka filluar të marrë një karakter të çuditshëm, sepse po ikin dhe largohen dhe njerëz që kanë stabilitet në Shqipëri. Kanë vende pune, kanë pagesa relativisht të mira në kontekstin shqipitar dhe ikin për arsye, sepse kanë pretendime që kanë të bëjnë me cilësinë e jetës në Shqipëri. Kjo lidhet me nivelin e kriminalitetit, nivelin e papunësisë, pagat e ulëta, sistemin e shërbimit social dhe shëndetësor, apo cilësinë e shërbimeve të ndryshme”, thekson sociologu Tushi.

Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj jep disa sugjerime se si mund të frenohet sadopak largimi masiv i qytetarëve nga vendi.

“Ne aspektin ekonomik për të ndihmuar të rinjtë që të qëndrojnë në vendin e tyre e të mos emigrojnë mund të bëhet: a) Financimi i projekteve të të rinjve për hapjen e bizneseve të reja,  për mbështetjen e projekteve të tyre inovatore;  në kualifikimin e tyre profesional (përmes zhvillimit të cikleve të studimit apo trajnimeve); b) Mbështetja e tyre në zhvillimin e karrierave përmes respektimit të meritokracisë; c) Mbështetje fiskale, përmes heqjes së detyrimit tatimor mbi të ardhurat për 5 vitet e para të funksionimit të bizneseve që hapen nga të rinjtë; d) Përmirësimi i klimës së të bërit biznes dhe hartimi i politikave publike që të çojnë:  në zhvillimin e ekonomisë së dijes, gjë e cila sjell zgjerimin e tregut me profesione të mirëpaguara, hapjen e vendeve të reja të punës. e) Përmirësimi i kushteve të punës dhe mbështetja e të rinjve për zhvillim karriere. f) Krijimi i politikave favorizuese për investime për shqiptarët e diasporës, veçanërisht të rinjtë nga diaspora. g) Rritja e bashkëpunimit për angazhimin e diasporës së arsimuar për përcjelljen e përvojës në Shqipëri”, sugjeron ekspertja

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img