BallinaFaktometerE PavërtetëTirana mikpret Samitin e Berlinit më 16 tetor dhe jo në pranverë si kishte paralajmëruar Rama

Tirana mikpret Samitin e Berlinit më 16 tetor dhe jo në pranverë si kishte paralajmëruar Rama

Në fund të vitit 2022, kryeministri Edi Rama lajmëroi se Tirana do të mikpriste për herë të parë në pranverë Samitin e Berlinit, një nga proceset më të rëndësishme për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Por kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz saktësoi se samiti i ardhshëm i Berlinit do të mbahet më 16 tetor. Për ekspertin Afrim Krasniqi, Gjermania është treguar e kujdesshme të caktojë një datë 5 muaj pas zgjedhjeve lokale të pranverës dhe të qëndrojë larg politizimit për mbajtjen e këtij samiti, që në thelb konsidrohet si një tregues i vëmendjes së lartë që Bashkimi Evropian po i jep vendit dhe rajonit.

Esmeralda Topi

 “Jemi krenarë dhe të lumtur që na është kërkuar nga partnerja dhe mikja jonë e madhe Gjermania, që pranverën e ardhshme të mikpresim Samitin e Procesit të Berlinit.”- deklaroi dhjetorin e kaluar Kryeministri Edi Rama përpara përfaqësuesve të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, teksa shtoi: “Mbajtjen e Samitit e shohim si shprehje vlerësimi dhe respekti për atë çka Shqipëria po bën vazhdimisht për të promovuar në mënyrë aktive bashkëpunim rajonal, paqen dhe dialogun, lidhje më të ngushta me fqinjët e saj të Ballkanit Perëndimor, ndërveprimet midis njerëzve dhe bizneseve nga të gjitha vendet tona.”

Por ndryshe nga sa deklaroi Kryeministri Rama, Gjermania vendosi mbajtjen e Samitit të Berlinit më 16 tetor.

Gjatë një vizite zyrtare të Kryeministrit Edi Rama në Gjermani më 7 mars të këtij viti, Kancelari i Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz lajmëroi se Samiti i ardhshëm i Procesit të Berlinit do të mbahej në vjeshtë.  

“Prandaj gëzohem që ti re dakord në tetor të ftosh në Shqipëri Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit. Përgatitjet për këtë kanë përparuar. Në 16 tetor samiti do të të zhvillohet.” – pohoi Scholz.

Samiti i Procesit të Berlinit për herë të parë në historinë thuajse 10 vjeçare të procesit do të zhvillohet në kryeqytetin e një shteti të Ballkanit Perëndimor, zgjedhje kjo e cila përqafohet edhe nga Komisioni Europian.

‘Gjermania vazhdon të jetë katalizatori dhe udhërrëfyesi politik i procesit dhe merr vendime për pritjen, temat dhe formatin e procesit me partnerët. Ndërkohë që samitet e para u mbajtën në shtetet anëtare të BE-së, ka pasur një tendencë graduale për zhvendosjen e samiteve në rajon, e cila filloi me bashkë-kryesimin e procesit në vitin 2020 nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria. Komisioni mirëpret faktin që në vitin 2023 samiti është pritur plotësisht nga një partner i Ballkanit Perëndimor. Kjo është një njohje e rëndësisë që ka Ballkani Perëndimor për BE-në.’– tha në një përgjigje për Faktoje Ana Pisonero, zëdhënësja e Komisionit Europian.

Ndërsa, vetë kryeministri Rama i cili më herët kishte deklaruar mbajtjen e Samitit në pranverë, që përkon me zgjedhjet vendore në Shqipëri, la të kuptohej se vjeshta ishte zgjedhje e Gjermanisë.  

“Edhe njëherë faleminderit dhe më vjen shumë mirë që bashkë me Kancelarin mund të shpallim dhe datën e propozuar nga pala gjermane dhe absolutisht e pranuar prej nesh që është 16 tetori i këtij viti ku do të punojmë së bashku dhe ku zyra e kancelarit do të angazhohet për ta shoqëruar samitin edhe me një forum të rëndësishëm të biznesit, me praninë e bizneseve të rajonit dhe të bizneseve gjermane.” – u shpreh Rama gjatë konferencës së përbashkët me Kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Për polititologun Afrim Krasniqi, mbajtja e Samitit të Procesit të Berlinit në vjeshtë nuk është rastësi.

Thjesht për saktësim dhe kujtesë sesi ne e bëjmë politikën e jashtme: Berlini/BE nuk janë pjesë e fushatës elektorale dhe as nuk bëjnë mbledhje për foto, ndaj Samiti që këtu e donin dhe e premtuan me entuziazëm për në pranverë, do mbahet rreth 5 muaj më vonë, në tetor!”- shkruan Krasniqi në rrjetin e tij social Facebook.

Mbajtja e Samitit të radhës të Procesit të Berlinit në Tiranë, pak kohë pas një Samiti tjetër të rëndësishëm si ai mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, për analistët tregon vëmendjen e shtuar që po merr Shqipëria dhe rajoni nga Bashkimi Evropian.

Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Evropianë në Shqipëri, thotë se ‘Fakti që dhe ky Samit do të jetë i pari që organizohet në një vend të Ballkanit Perëndimor dhe ky vend është përsëri Shqipëria tregon vëmendjen e veçantë që i kushtohet vendit tonë nga BE dhe shtetet kryesore anëtare.’

Po ashtu, sipas tij ‘ecuria pozitive në vitet e fundit në procesin e integrimit, linjëzimi i plotë i politikës sonë të jashtme dhe sigurisë me atë të BE-së, si dhe marrëdhëniet e mira të fqinjësisë në rajon, janë tre faktorët kryesorw që e dallojnë Shqipërinë nga vendet e tjera në këtë moment të procesit, duke sjellë këtë vëmendje dhe mbështetje nga BE dhe vendet më të rëndësishme europiane.’

Edhe ish diplomati Arben Çejku tha për Faktoje: Zhvillimi i këtij samiti në njërin prej kryeqyteteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor – pjesë e Procesit të Berlinit, tregon simbolikisht rëndësinë që i kushton Gjermania këtij procesi bashkë me vendet e tjera të BE-së.” Por ai shton gjithashtu se duke e organizuar samitin në Tiranë, në njërin prej kryeqyteteve që ka harxhuar shumë energji së bashku me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut për të formësuar nismën “Ballkani i Hapur”, BE po synon dhënien e sinjaleve të qarta, se nuk e përkrah këtë nismë të re, ndaj të cilës SHBA-të kanë treguar interesim. Sipas rtij, koha tregoi se “Open Balkan” nuk e rivalizoi dhe zëvendësoi dot “Procesin e Berlinit”, i cili ka një axhendë më përmbajtësore si dhe paketa financiare që mbështesin bashkëpunimin ekonomik mes vendeve duke i përafruar ato me standartet e BE-së.

Samiti i fundit i Procesit të Berlinit u mbajt në nëntor 2022 në Gjermani. Gjatë këtij Samiti unënshkruan tri marrëveshje rajonale mes vendeve të Ballkanit Perëndimor; Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut; Malit të Zi, Bosnje dhe Hercegovina, si dhe Serbisë, përkatësisht:

-Marrëveshja mbi lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor

-Marrëveshja mbi njohjen e diplomave të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor

-Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Europën Qendrore

Procesi i Berlinit u krijua në 2014-n si platformë për vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) për të përshpejtuar përafrimin më të ngushtë me BE-në dhe për të thelluar integrimin dhe bashkëpunimin rajonal, si faktor kyç për zhvillimin ekonomik dhe paqen në Ballkanin Perëndimor. 

Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Gazetare Ajo është diplomuar në fakultetin e Gazetarisë, Universiteti i Tiranës në nivelin “Bachelor” si dhe ka kryer studimet në të njëjtin fakultet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”. Esmeralda ka më shumë se 10 vite që punon si gazetare ekonomie në media të ndryshme, kryesisht televizione. Fillimet e saj kanë qënë në Platformën Tring, si pjesë e kanalit informativ “7 News” ku ka mbuluar raportimet mbi çështjet me karakter social dhe ekonomik. Në mars të 2013, Esmeralda ka punuar si gazetare dhe njëkohësisht si folëse lajmesh në televizionin “Agon Channel”, ndërkohë që nga shtatori i 2015 ka qënë pjesë e redaksisë së lajmeve në RTSH si gazetare ekonomie, folëse lajmesh si dhe pjesë e stafit të emisionit “Përballë” nën autorësinë e Lutfi Dervishit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img