BallinaPertejEmergjencat Civile, një vit pas tërmetit

Emergjencat Civile, një vit pas tërmetit

Tërmeti i 26 nëntorit, shtoi ndjeshëm faturën e borxheve që shteti u detyrohet qytetarëve, të prekur edhe më herët nga fatkeqësi të tjera natyrore si përmbytjet. Vetëm për periudhën 2017-2019, borxhi ndaj kësaj kategorie është 4.4 milionë euro, pa përfshirë kostot e tërmetit të 26 nëntorit. Kur vjen fjala sesi është menaxhuar situata nga Emergjencat Civile, sidomos pas ligjit të ri për këtë strukturë, ekspertët janë kritikë dhe qëndrimi i tyre përforcohet edhe nga raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Shqipëria është një vend me rrezik relativisht të lartë të goditjes nga fatkeqësitë natyrore.

Rreziqet nga fatkeqësitë natyrore për Shqipërinë përfshijnë tërmete, rrëshqitje dheu, shkëmbinjsh, përmbytje, shira të rrëmbyer, thatësira, zjarre në pyje, epidemi, shpërthim digash e përmbytje.

Si sot një vit më parë, një tërmet me magnitutë 6,4 goditi Shqipërinë. Fill pas këtij tërmeti, një nga pyetjet që u shtruan më shpesh ishte: a mund të përballojë Shqipëria situata të tilla të emergjencave civile?

Pyetjes së A2 CNN nëse ka ndryshuar diçka tek Emergjencat Civile pas tërmetit të 26 nëntorit, së fundmi kryministri Rama iu përgjigj:

“Jemi në nivelin e shumë vendeve dhe në të njëjtin nivel me vendet e rajonit”.

Ndryshimet në strukturë dhe buxheti për Mbrojtjen Civile

Në shtator të vitit 2017, Emergjencat kaluan nga varësia e Ministrisë së Brendshme në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Në fund të vitit 2019, po në varësi të Mbrojtjes, “Emergjencat” u riformatuan në Agjencinë Kombëtare për Mbrojtjen Civile.

Megjithatë, tërmeti i 26 nëntorit i gjeti Emergjencat Civile në fazë tranzicioni, ende të patransformuara në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Nëse shohim buxhetin e këtij institucioni ndër vite, vëmë re se deri në vitin 2017 financimi ishte minimal dhe në trend zbritës. Më pas, nga viti 2018 e në vijim vihet re një rritje e financimit.

Megjithatë, po t’u referohemi të dhënave të detajuara të Ministrië së Financave, shumica e shpenzimeve janë shpenzime korrente, thënë ndryshe për mbulimin e pagave.

Edhe të dhënat e projektbuxhetit për vitin 2021, për këtë institucion flasin për një rritje të vogël të buxhetit vjetor.

Ajo çfarë të bën përshtypje është se nga buxheti prej 1,1 miliardë lekësh i planifikuar për 2021, financimi i jashtëm është plot 300 milionë lekë.

KLSH për Agjencinë e Mbrojtjes Civile

Në fund të vitit 2018 Kontrolli i Lartë i Shtetit në një auditim tek Emergjencat Civile për përmbytjet jepte këtë vlerësim:

Kapacitetet e sistemit të Mbrojtjes Civile mbeten të pamjaftueshme për të menaxhuar numrin në rritje të emergjencave dhe rikuperimin me shpejtësi. Në mënyrë që vendi të jetë i sigurtë për të gjithë qytetarët që jetojnë dhe punojnë në të, në çdo përpjekje për zhvillim lind nevoja të mbajë në vëmendje riskun e fatkeqësive, si dhe të forcohen kapacitetet e Mbrojtjes Civile në çdo nivel”.

Në qershor të vitit 2020, KLSH nxori një raport auditimi tek Agjencia e Mbrojtjes Civile a saporiformatuar.

KLSH theksonte mungesën e identifikimit të risqeve dhe protokolleve të komunikimit për risqet e identifikuara nga emergjencat civile.

Ndër të tjera KLSH vërente se kjo agjenci kishte mungesë stafi, mjetesh dhe trajnimesh në emergjencat civile.

Nga auditimi rezultonte se AKMC nuk dispononte ndonjë databazë ekspertësh me tituj shkencorë dhe kontribute profesionale, të cilët mund të jenë pjesë e emergjencave civile, me qëllim kontributin në parandalimin, zvogëlimin e përmasave të një ngjarjeje të mundshme emergjence.

KLSH theksonte po ashtu se grupi i auditimit gjatë fazës së terrenit kishte zhvilluar intervista me profesionistë të vjetër të emergjencave civile nëpër prefektura dhe një nga pyetjet e ngritura ka qenë në lidhje me pozicionimin e Agjencisë. Përgjigjja e unifikuar e ekspertëve, sipas KLSH ka qenë: “pozicionimi i Agjencisë është i gabuar.

Sipas tyre: “Agjencia duhet të ishte në varësi direkte të Këshillit të Ministrave dhe duhet të kishte në varësi Rezervat e Shtetit dhe Drejtorinë e Koordinimit dhe Planifikimit dhe në përbërje të tyre të kenë logjistikën, buxhetin, sistemet dixhitale të informacionit etj”.

Edhe eksperti i emergjencave civile Shemsi Prençi më herët, duke folur për Faktoje, kritikoi ndër të tjera kalimin e Emergjencave nga Ministria e Brendshme tek Ministria e Mbrojtjes. Kjo shkëputje sipas tij, do të ndikojë në keqkoordinim të strukturave vepruese.

Kemi shkërmoqur Mbrojtjen Civile. Nuk funksionon si duhet. Europa propagandon me të madhe “Civil Protection” dhe jo “Protect Defense”, do të kishim një militarizim të mbrojtes civile. Futja nën kornizën e Mbrojtjes e ngurtëson, ka burokraci të theksuar dhe nuk garanton fleksibilitet dhe shpejtësi. Ushtria duhet të futet e fundit në operacion në mbështetje, vjen e përgatitur kur nuk e përballon struktura e parë që ndërhyn, kjo e ka paralizuar mekanizmin e mbrojtjes civile”- thoshte ai për Faktoje.

Detyrimet e prapambetura, një histori milionëshe

Faktoje pyeti me anë të një kërkese për informacion Ministrinë e Mbrojtjes për detyrimet e prapambetura të shtetit ndaj qytetarëve që janë prekur ndër vite nga fatkeqësitë natyrore dhe mori një përgjigje të pjesshme.

Përgjigja e Ministrisë së Mbrojtjes:

Kompensimi i familjeve të prekura nga fatkeqësitë natyrore bëhet konform dokumentacionit të plotë, të përpiluar nga njësitë e pushtetit vendor dhe konfirmohen me akte ligjshmërie nga Prefekti i Qarkut.

Viti 2019 shënon vitin më të ngarkuar me fatkeqësi natyrore, veçanërisht tërmetet në territorin e vendit tone, ku vlen të sjellim në vëmendje tërmetin e 1 qershorit në qarkun Korçë, tërmetin e 21 shtatorit 2019 dhe tërmetin e 26 nëntorit të po atij viti.

Pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 1 qershorit në Qarkun Korçë, janë rindërtuar 35 banesa, rikonstruktuar 80 banesa dhe janë në proces kompensimi 563 familje.

Pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i datës 21 shtator, janë rindërtuar 169 banesa, është në vlerësim pjesa tjetër e banesave të dëmtuara, kjo për shkak se ka prevaluar tërmeti i 26 nëntorit.

Në lidhje me tërmetin e 26 nëntorit, me vendim të Qeverisë dhe Aktit Normativ nr.9 është vendosur gjendja e fatkeqësisë natyrore për 3 qarqet: Tiranë, Durrës dhe Lezhë, për të cilat po punohet vazhdimisht me 5 kategoritë e përcaktuara sipas ligjit: DS1, DS2, DS3, DS4, DS5 ku DS1, DS2, DS3 janë grante dhe DS4, DS5 janë rindërtim ose rikonstruksion. Ky Proces po ndiqet nga Ministria e Rindërtimit bazuar në vendimin e marrë nga Komiteti Shtetëror i Rindërtimit.

Sa më sipër, kompensimet e dëmeve nga fatkeqësitë janë procese në vazhdim.

Faktoje ka shkruajtur edhe më herët mbi detyrimet e prapambetura të shtetit ndaj të prekurve prej përmbytjeve apo tërmetit.

Vitin që shkoi Faktoje, bazuar në dokumenta zyrtare, raportoi se që nga 2017-a deri në 2019-n, shteti shqiptar u kishte borxh qytetarëve të prekur (mbi 2900 familje) nga fatkeqësitë natyrore së paku 4,4 milionë euro.

Të prekurit kryesisht nga përmbytjet apo tërmeti, ende nuk kishin marrë paratë që u takojnë.

Emergjencat Civile konfirmuan për “Faktoje” vitin e shkuar se shteti shqiptar vetëm për periudhën 2017-2019  u ka një detyrim prej mbi 546 milionë lekë personave të prekur nga fatkeqësitë natyrore ose rreth 4,4 milionë euro.

Emergjencat Civile, në përgjigjen për “Faktoje” thanë se gjatë vitit 2017 e në vazhdim, Ministria e Mbrojtjes ndër të tjera (me fondet e saj) ka kompensuar 521 familje te dëmtuara nga fatkeqësi të ndryshme natyrore, në vlerën 176,550,833 lekë.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img