Klikimet riciklojnë pas 3 vitesh shpërthimin e portit në Beirut 

874

Video e një shpërthimi të publikuar më 20 shtator nga një portal shqiptar është nxjerrë jashtë konteksti. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se këto pamje tregojnë shpërthimin që ndodhi në Gusht 2020 në Beirut, Liban.

————————————

Video e një shpërthimi e publikuar nga faqja Portali Çkemi.Net ka marrë mbi 11 milionë shikime dhe 47 mijë pëlqime në Facebook. Ajo është postuar më 20 shtator 2023, shoqëruar vetëm me përshkrimin “Çfarë po ndodh”. Duke krijuar përshtypjen tek lexuesi se video është e kohëve te fundit, postimi synon të mbledhë sa më shumë reagime e vëmendje.

Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se video e mësipërme nuk tregon ndonjë shpërthim të ndodhur rishtazi, por një të 3 viteve më parë. 

Shpërthimi i treguar në video ka ndodhur më 4 gusht 2020, në portin e kryeqytetit të Libanit, Beirut. Një nga shpërthimet më të fuqishme jo-bërthamore, ai shkaktoi vdekjen e 218 personave, plagosjen e 7.000 të tjerëve, shkaktoi dëme materiale me vlerë 15 miliardë dollarë, dhe la rreth 300 mijë njerëz të pastrehë.

Ky shpërthim shkatërroi dhe shumicën e portit të Beirutit, i cili shërbente si pika kryesore e hyrjes në Liban, duke e rrënuar edhe më shumë gjendjen e ekonomisë së vendit, e cila ishte tashmë në krizë, me shkallën e varfërisë që kishte kaluar 50%.

Shpërthimi u shkaktua si pasojë e një zjarri në një magazinë të portit, ku, prej 6 vitesh dhe pa kushte të përshtshme sigurie, mbaheshin gjithashtu 2.750 tonë nitrat amoniumi, një substancë plehëruese e cila përdoret edhe në prodhimin e lëndëve plasëse, si pasojë e vetive të saj shpërthyese nën temperatura të larta.

Sipas një raporti të Human Rights Watch, një numër zyrtarësh të lartë, ministra nga parti të ndryshme politike, kryeministra, dhe presidenti libanez, ishin të gjithë në dijeni të pranisë së mijëra tonëve të lëndës plasëse, dhe të rrezikut që kanosej por askush nuk ndërmori masa për të.