BallinaPertejEmergjencat Civile, buxhet i varfër, borxhe dhe ligji i ri

Emergjencat Civile, buxhet i varfër, borxhe dhe ligji i ri

MERXHAN DACI & FJORI SINORUKA

Tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri, përveç ndërtesave testoi edhe Emergjencat Civile. Fatkeqësia natyrore e gjeti këtë strukturë në fazë tranzicioni, pas miratimit të ligjit “Për Mbrojtjen Civile”. Emergjencat kanë një buxhet të varfër dhe një borxh prej më shumë se 546 milionë lekësh ndaj të prekurve nga fatkeqësitë natyrore të dy viteve të fundit, pa përfshirë 26 nëntorin.  

————————————————————————————————————————————————————-

Buxheti për emergjencat

“Faktoje” ka analizuar buxhetin për Emergjencat Civile për pesë vitet e fundit. Të dhënat flasin për një buxhet në ulje nga viti 2015-2017 dhe në rritje për vitet 2018 dhe 2019, por që nuk arrijnë as nivelin e vitit 2015.

Shemsi Prençi, ish kreu i Emergjencave Civile, i cili ka shërbyer nga 2013 në 2018  tha për “Faktoje” se buxheti i alokuar ndër vite për emergjencat civile ka qenë i pamjaftueshëm.

Nuk është menduar për një buxhet të mjaftueshëm për të menaxhuar gjithë sistemin e mbrojtjes civile, është një buxhet qesharak, është skandaloz, pra imagjino që me këtë buxhet ti duhet edhe të kompensosh familjet e dëmtuara nga fatkeqësitë gjatë një viti, por edhe të ndërhysh në infrastrukturë kritike kur prishet një urë përshembull.

Prençi kritikon ndër të tjera kalimin e Emergjencave nga Ministria e Brendshme tek Ministria e Mbrojtjes, duke vënë theksin në decentralizimin e strukturave të cilat duhet të reagojnë të parat në raste emergjente. Kjo shkëputje sipas Prençit do të ndikojë në keqkoordinim të strukturave vepruese.

“Kemi shkërmoqur Mbrojtjen Civile. Nuk funksionon si duhet. Europa propagandon me të madhe “Civil Protection” dhe jo “Protect Defense”,  do të kishim një militarizim të mbrojtes civile. Futja nën kornizën e Mbrojtjes e ngurtëson, ka burokraci të theksuar dhe nuk garanton fleksibilitet dhe shpejtësi. Ushtria duhet të futet e fundit në operacion në mbështetje, vjen e përgatitur kur nuk e përballon struktura e parë që ndërhyn, kjo e ka paralizuar mekanizmin e mbrojtjes civile”, tha ai.

Ligji i ri për “Mbrojtjen Civile” 

Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin e ri “Për Emergjencat Civile” në 18 korrik të këtij viti, i cili sipas ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka parashikon riformatimin në mënyrën e funksionimit të këtij sektori.

Por, nga koha e miratimit të këtij ligji deri sot Shqipëria është përballur me dy sfida natyrore, tërmetin e datës 21 shtator 2019 dhe atë të 26 nëntorit. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile e parashikuar nga ky ligj është hapur ( të paktën me VKM) në datën 20 nëntor, rreth 2 muaj pas tërmetit të parë dhe pak ditë para tërmetit të nëntorit.

Ky është një nga elementët që sjell ligji i ri për “Mbrojtjen Civile”, transformimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile në agjenci.

Agjencia  ka  për  mision  zvogëlimin  e  riskut  nga fatkeqësitë  dhe  sigurimin  e  mbrojtjes  civile  në  të  gjithë territorin e Shqipërisë.

Agjencia ka përgjegjësi:

  1. Vlerësimin e riskut nga fatkeqësitë;
  2. Mbrojtjen civile në nivel kombëtar;
  3. Trajnimin e vazhdueshëm të strukturave shtetërore, i subjekteve private dhe vullnetarëve;
  4. Inspektimin e zbatimit të dispozitave të legjislacionit për   mbrojtjen   civile   në   institucionet   e   strukturat shtetërore dhe subjektet private.

Megjithatë tërmeti i gjeti Emergjencat Civile në fazë tranzicioni, ende të patransformuara në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Borxhi nga fatkeqësitë

Emergjencat Civile konfirmuan për “Faktoje” në tetor të këtij vit se shteti shqiptar vetëm për këto dy vitet e fundit u ka një detyrim prej mbi 546 milionë lekë personave të prekur nga fatkeqësitë natyrore ose rreth 4,4 milionë euro.

Përgjigja e Emergjencave Civile

Emergjencat shtuan se numrin më të madh të familjeve ndaj të cilave kanë detyrim me vlerën financiare më të madhe e përbëjnë ato të Bashkisë Krujë të cilët janë përmbytur në dhjetor 2017, si rezultat i daljes nga shtrati i lumit Zezë.

Siç shihet edhe nga tabela, detyrimet financiare janë ndarë midis të dëmtuarve nga tërmetet dhe përmbytjet.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img