BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookDizinformim mbi shkakun e mbylljes së call center të deputetit Shehaj

Dizinformim mbi shkakun e mbylljes së call center të deputetit Shehaj

Një kompani call center e bllokuar nga policia, nën akuzën e mashtrimit të klientëve të huaj, nuk është në pronësi të deputetit Agron Shehaj. Lajmi i publikuar në gazetën Tema është një ngatërrim i dy aksioneve të ndryshme të policisë ndaj call centerave, duke keqinformuar lexuesit.

Nevila Gjata

Deputeti Agron Shehaj nuk e ka fshehur asnjëherë se është bërë pjesë e politikës pas një angazhimi të suksesshëm si biznesmen në sektorin e call center.

Një javë më parë, më 20 tetor, Shehaj shfrytëzoi foltoren e Kuvendit të Shqipërisë për të denoncuar mbylljen e biznesit të tij call center nga policia, sipas tij për shkak të qëndrimeve të tij politike. Një replikë publike e kryeministrit Rama sqaroi ndërkohë se se ndërtesa ku ushtronte aktivitetin kompania e Call Center-it në pronësi të Shehaj ishte pa leje e për pasojë e bllokuar si e paligjshme nga IKMT-ja me mbështetjen e Policisë së Shtetit. Përplasjet e deklaratave për ndërtesën me apo pa leje, reagimet e dyanshme dhe disa dokumenteve shtesë të publikuara nga Shehaj gjetën vend edhe në mediat online.

Një prej tyre është dhe lajmi i publikuar në gazetatema.net, ku në titull njoftohet bllokimi nga policia të aktivitetit të kompanisë në pronësi të deputetit Shehaj, “e cila mashtronte shtetas të huaj”.

(screenshot i lajmit te publikuar nga gazetatema.net)

“Faktoje” verifikoi më tej këtë lajm për të zbuluar se bëhet fjalë për dy ngjarje të ndryshme dhe se autori i artikullit  ka ngatërruar në tekst dy ngjarje të ndryshme në datë 20 tetor, duke i lidhur ato me emrin e Agron Shehaj.

Më konkretisht, ngjarja, së cilës i referohet artikulli, pra për zbulimin e një call centeri që mashtronte qytetarët e huaj me skema investimesh në bursa fiktive, lidhet me aksionin e policisë të emërtuar ‘Last Call 2”, ku në një biznes të paregjistruar në zonën e “Pazarit të ri”, u bllokuan kompjutera dhe prova të tjera që vërtetonin skemën mashtruese. Njoftimi zyrtar i policisë, bëri publik faktin se “…nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi i ndaluar S. N. administronte një subjekt privat call center, me pronar shtetasin B. H., i shpallur në kërkim”.

Pavarësisht këtyre detajeve për aksionin e policisë, artikulli i gazetës Tema, vijon me deklaratën nga foltorja e Kuvendit e deputetit Shehaj për mbylljen e biznesit të tij call center tre javë më parë, duke krijuar idenë të lexuesit se bëhet fjalë për të njëjtin biznes të deputetit demokrat.

Në fund të shkrimit, është vendosur linku referues nga një tjetër portal, Voxneës. Nëse klikohet, ky link të çon në shkrimin e portalit, i cili i përmbahet versionin të saktë të mbylljes së call centerit të Shehajt për godinën pa leje dhe jo për mashtrimin me bursat fiktive.

(screenshot i lajmit te VoxNews qe i referohet gazetatema.net)

Bazuar në këtë verifikim mund të konstatohet se shkrimi i mësipërm është disinformues, në rastin më të mirë një ngatërresë e dy ngjarjeve krejtësisht të ndryshme.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img