BallinaAktualitetElbasan, vaksinimi i personelit të turizmit pengohet nga informaliteti

Elbasan, vaksinimi i personelit të turizmit pengohet nga informaliteti

BARDHA NERGJONI

Në Elbasan raportohet numër minimal të vaksinuarish mes punonjësve të turizmit, edhe pse vaksinimi në këtë qark nisi më 1 maj. Pronarët e hoteleve pranojnë se një pjesë të punonjësve e kanë në të zezë dhe stepen të dërgojnë listat e personelit që duhen vaksinuar, pasi ata nuk i kanë të regjistruar në tatime. Formalizimi, sipas tyre do t’i ngarkonte me shpenzime të papërballueshme, në një kohë që kriza e pandemisë vazhdon të godasë turizmin.

Më 15 prill ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi nisjen e vaksinimit të punonjësve të hotelerisë dhe turizmit.

Procesi i vaksinimit të operatorëve turistikë nisi më 18 prill  në Durrës për t’u shtrirë edhe në qytetet e tjera për këtë kategori.

Ky proces nisi edhe në qarkun e Elbasanit, në zonat më të frekuentuara siç është turizmi kurativ.

Në një postim në rrjetin social, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, më 1 maj deklaroi nisjen e vaksinimit për 800 punonjës të hotelerive në zonën e Llixhave.

“Bashkë me Desantilën dhe Xhevahirin pamë sot nga afër fillimin e procesit të vaksinimit të stafit të hoteleve në zonën e Llixhave, në Tregan të Elbasanit.

Në këtë proces do të përfshihen rreth 40 hotele, ku do të garantohet vaksinimi i mbi 800 punonjësve të stafit të tyre”.

Por nga një informacion i marrë nga drejtoria vendore e kujdesit shëndetësor mësohet se numri i të vaksinuarave nga hoteleritë në këtë njësi është shumë i ulët. Konfirmohet zyrtarisht se deri më 21 maj 2021 numri i të vaksinuarve nga sektori i turizmit në Elbasan, me dozën e parë është vetëm 19 persona, ose mesatarisht 1 person i vaksinuar në ditë.

Sipas drejtuesve të sektorit shëndetësor, numri i ulët i vaksinimeve në këtë sektor vjen ngaqë pronarët ose administratorët e hoteleve duhet të dorëzojnë pranë Drejtorisë së Kujdesit Shëndetësor listën e personave për t’u vaksinuar si të regjistruar edhe në tatime.

“Ne jemi të hapur për vaksinimin e punonjësve të hotelerisë, por vetë administratorët duhet të përgatisin listat dhe t’i dorëzojnë tek ne. Ata mbajnë edhe përgjegjësinë e ligjshmërisë për këto lista”- tha për Faktoje Xhevahir Budani, Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kujdesit Shëndetësor.

Një pronar hoteli në Llixhë që nuk donte të identifikohej tha për Faktoje se ata nuk i kanë deklaruar punonjësit për periudhën e këtij sezoni.

“Një vit më parë ne nuk patëm klientë në maj dhe shtator, që njihet si një tjetër periudhë frekuentimi dhe pati shumë pak njerëz. Në këtë mënyrë e kemi të pamundur të paguajmë sigurime për punonjësit kur nuk kemi frekuentim, prandaj punonjësit tanë duhet të ishin pjesë e vaksinimit masiv dhe jo duke vendosur rregullat e deklarimit në sigurime”- tha ai për Faktojen.

Ndërkohë Anita Tashi, një punonjëse 50-vjeçare që punon si sanitare në një nga hotelet e Llixhës, thotë se nuk ka filluar ende punë për këtë sezon pasi pronarët e kanë kërkuar, por duhet të vaksinohet më parë.

“Unë duhet të vaksinohem që të më marrin sërish të paktën në shtator. Shteti duhet të na ndihmojë, në të kundërt mbetëm pa punë”- thotë ajo për Faktoje.

Zona të tjera turistike si Gjinari, hotelet në Elbasan dhe Belsh nuk kanë përfituar ende nga vaksinimi, ndërkohë që më 23 maj Bashkia Elbasan hapi zyrtarisht sezonin turistik të përqëndruar në turizmin kurativ, natyror dhe trashëgiminë kulturore.

Aktualisht qarku i Elbasanit ka të vaksinuar me dozën e parë rreth 40 mijë persona. Vetëm për Bashkitë Elbasan, Cërrik dhe Belsh janë vaksinuar me dozën e dytë rreth 11494 persona. Numrin më të madh të të vaksinuarve ndër profesionet e zë stafi mjekësor i ndjekur nga mësuesit, ku dozën e parë e kanë marrë 1222 persona ndërsa dozën e dytë vetëm 2 prej numrit total.

Raportohet se në qarkun e Elbasanit, pjesa më e madhe e të vaksinuarve kanë marrë vaksinën Coronavac, e cila pati disa ditë mungesë, deri në mbërritjen e kontigjentit prej 60 mijë dozash fundjavën e kaluar.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img