BallinaPertejEdhe këtë vit, qarku Korçë teston forcat për turizmin në pandemi

Edhe këtë vit, qarku Korçë teston forcat për turizmin në pandemi

DANIELA ZISI

Sezoni i verës është në prag të nisjes, por operatorët turistikë dhe zinxhiri i bizneseve në funksion të kësaj industrie gjenden në të njëjtën situatë si vitin e kaluar. Sektori i turizmit në juglindje, i dyti për nga rëndësia pas atij bujqësor, edhe vitin e dytë të pandemisë flet për mundësi mbijetese, ndërsa shpresat për tē kapërcyer shpejt krizën mbeten të vakëta. Bashkitë e mbajnë shpresën tek vaksinimi masiv, ndërsa ekspertët e ekonomisë konstatojnë mungesë strategjie në ndihmë të këtij sektori.

Pasi kaluan një dimër të vështirë, gjatë të cilit operatorët turistikë në Korçë dhe Pogradec punuan me gati 30% të kapaciteteve, kryesisht gjatë fundjavave dhe festave, në muajt e pranverës hotelet dhe bujtinat kanë qenë të zbrazura, ndërsa rezervimet për muajt e verës deri tani janë minimale.

“Kemi shumë pak rezervime për muajt e verës. Kemi punuar vetëm në fundjavë, kryesisht me vizitorë vendas, por edhe me pak grupe të huajsh nga Ukraina, Bosnje-Hercegovina dhe Turqia. Edhe për këtë verë rezervimet e grupeve nga SHBA dhe Japonia janë anuluar për shkak të mungesës së fluturimeve. Sa i takon pushuesve vendas, ata në verë preferojnë bregdetin dhe më pak turizmin malor, ndërsa Korça pret fluks vizitorësh në muajt shtator dhe tetor.”- pohon Eriketa Koçollari, menaxhere e një hoteli në qendër të Korçës.

“Edhe këtë sezon jemi në kushtet e mbijetesës për shkak të pandemisë, e cila u pasua nga mbyllja e kufijve dhe një sërë masash kufizuese që na kanë penalizuar më së shumti ne të sektorit të turizmit. Si të mos mjaftonte mungesa e turistëve, bizneset janë dëmtuar edhe nga masat kufizuese ende në fuqi, sidomos nga ora policore, që na detyron të mbyllim aktivitetin në orën 22:00”- tha ajo për Faktoje.

E ngjashme është problematika edhe në vendet fqinje si Greqia dhe Italia, ku bizneset e turizmit po u bëjnë presion autoriteteve për të hequr orën policore. Edhe ne shpresojmë që vera të na gjejë pa kufizime”- përfundon menaxherja.

Ora policore mbetet shqetësim edhe për bizneset e Pazarit të Korçës, zonë e cila frekuentohet masivisht nga vendasit dhe të huajt.

“Mbyllja e lokaleve në orën 22:00 është e papërshtatshme, sidomos tani që moti është i ngrohtë dhe vizitorët kërkojnë muzikë live” – thotë menaxherja Magi Lena.

Efektet e pandemisë po ndihen ende të forta tek hotelet dhe bujtinat, të cilat deri tani kanë pak rezervime. Shumica e tyre, të paktën deri tani, janë për arsye pune dhe jo turizmi, ndërsa grupet e të huajve i kanë anuluar ato deri në shtator. Situata gjatë muajit të fundit ka ulur pritshmëritë e operatorëve turistikë edhe pse pandemia është zbutur dhe çdo ditë regjistrohen gjithmonë e më pak të infektuar me Covid 19.

“Situata pandemike gjatë javëve të fundit në Korçë është përmirësuar ndjeshëm si pasojë e rënies së kurbës së infektimeve dhe vaksinimit masiv të kategorive të ekspozuara, por edhe grupmoshat në risk”- vlerësojnë Autoritetet e Shëndetit Publik.

“Në javën e fundit të majit Korça numëron 139 persona pozitivë, të cilët kanë shfaqur simptoma të lehta dhe të moderuara të Covid-19 dhe të gjithë po trajtohen në mënyrë ambulatore”- tha për Faktoje drejtori i Shëndetit Publik në Korçë Mikel Llogori.

Sipas tij, deri tani në bashkinë e Korçës janë vaksinuar 32 mijë persona dhe procesi po vijon duke e ulur fashën deri tek grupmoshat 55 vjeç. Deri tani janë vaksinuar më shumë se 400 punonjës të hoteleri-turizmit, duke e mbyllur procesin për këtë sektor para fillimit të sezonit turistik.

Për vizitorët që frekuentojnë Korçën, përmirësimi i situatës së pandemisë dhe vaksinimi masiv duhet të pasohet nga heqja e kufizimeve.

“Një pjesë e mirë e qytetarëve e kanë kaluar Covid-19 dhe pjesa tjetër po vaksinohen. Tani jemi më të sigurt se më parë dhe nuk kemi frikë kur shkojmë në hotele ose lokale, pasi nuk ndihemi më të rrezikuar.”- thotë Flora nga Shkodra.

Vizitorëve besnikë të Korçës u mungon atmosfera e festave masive, të cilat u anuluan për shkak të pandemisë.

“Korça na pëlqen shumë, sidomos në verë, kur festat si Karnavalet apo Festa e Birrës i japin qytetit një atmosferë të veçantë.”- thotë një tjetër pushuese nga Shkodra.

Bashkia e Korçës ka anuluar për këtë sezon veror një pjesë të festave masive, kryesisht ato që promovojnw traditat e fshatrave turistikë, ndërsa festat e tjera do të mbahen duke iu përshtatur kufizimeve të pandemisë.

“Jemi në pritje të vendimit të Komitetit të Ekspertëve për kufizimet, ndërsa për festën e Birrës, e cila mbahet në fund të gushtit, ende nuk është vendosur. Pandemia na kushtëzon në organizimin e kalendarit të festave.”- thotë Larisa Katundi, drejtore e mardhënieve me publikun në bashkinë e Korçës, e cila pranon se efektet e pandemisë në turizëm priten të ndihen edhe këtë sezon.

Edhe pse turizmi mbetet sektori më i goditur nga pandemia, ai sërish konsiderohet si perspektiva kryesore ku po orientohen investimet private. Nga më shumë se 110 struktura akomoduese që operojnë në territorin e bashkisë së Korçës, sipas të dhënave nga bashkia, gjashtë prej tyre mbyllën aktivitetin në pandemi, ndërkohë në të njëjtën periudhë, prill 2020 – prill 2021 u hapën 11 biznese të reja turistike. Nënkryetari i bashkisë së Korçës, Kletjon Kita thotë se gjatë vitit pandemik u hapën 7 bujtina në qytetin e Korçës, 3 në Voskopojë dhe një në Boboshticë. Trendi i investimeve në sektorin e turizmit, sipas tij, po vijon të ketë rritje.

Ndërkohë në Pogradec, operatorët dhe zyrtarët vendorë janë optimistë për rimëkëmbjen e turizmit, edhe pse dimri ishte shumë i vështirë dhe vizitorët munguan edhe gjatë fundjavave. Pak ditë para çeljes zyrtare të sezonit turistik, Pogradecit i janë rikthyer grupe masive turistësh, shumica nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët preferojnë Drilonin dhe Tushemishtin. Një vizitor nga Prizreni thotë se ka mbetur i befasuar nga bukuritë e Pogradecit, pastërtia e qytetit dhe mikpritja e vendasve.

Për Mimoza Shulin, e cila menaxhon një hotel në Pogradec, pritshmëritë për verën janë optimiste, pasi ka më shumë rezervime se vitin e kaluar, sidomos nga të huajt.

“Kam pasur kërkesa nga pushues vendas, ata që i mbeten besnikë Liqenit, por edhe grupe nga Gjermania, Franca, Kosova, si dhe vendet nordike. Po punojmë fort me agjencitë turistike, që të tërheqim sa më shumë pushues në Pogradec, duke ofruar paketa të kënaqshme për çdo buxhet. Këtë verë pushuesit do të gjejnë një Pogradec të ndryshuar dhe më të bukur.”- thotë Shuli.

“Vaksinimi masiv, me synim imunizmin e popullatës, por edhe investimet në infrastrukturën rrugore drejt destinacioneve turistike, ndërhyrja në rrugët e brendshme të qytetit, shtimi i hapësirave të gjelbra si dhe aktivitete të përditshme gjatë verës, japin shpresë për një turizëm të qëndrueshëm.”- thotë Loridela Beqari, drejtore e turizmit në bashkinë e Pogradecit.

Sipas saj, turizmi këtë verë do të rimëkëmbet, edhe pse goditja e pandemisë kërkon kohë të rikuperohet plotësisht, jo vetëm në sektorin e turizmit, por edhe në ekonomi.

“Gjatë javës së fundit, Pogradeci regjistroi 16 raste infektimesh me Covid-19, ndërsa janë vaksinuar rreth 13 mijë persona, 200 prej të cilëve, personel i sektorit të hoteleri-turizmit.”- pohuan burime të Drejtorisë së Shëndetit Publik në Pogradec.

Megjithatë, ekspertët mbeten skeptikë që industria e turizmit mund t’i kthehet normalitetit në një periudhë të shpejtë dhe mund të rikuperojë humbjet nga pandemia. Për eksperten e ekonomisë Sorina Koti, njëkohësisht deputete e ardhshme e PD në Kuvend, ekonomia shqiptare vijon ende të vuajë efektet e pandemisë, por në ndryshim nga vendet e tjera, Shqipëria mbetet e fundit krahasuar me vendet europiane dhe ato te rajonit sa i takon mbështetjes ndaj biznesit me strategji dhe mbështetje financiare.

“Edhe pse vendi po shkon drejt hapjes së plotë, ende bizneset dhe kryesisht sektori i turizmit po vazhdojnë të përballen me vështirësi financare. Prenotimet kanë rënë në mënyrë drastike, pasi shpenzimet e qytetarëve për pushime janë reduktuar ndjeshëm, për shkak të uljes së të ardhurave. Në këto kushte gjatë kësaj periudhe po konsumohet më së shumti turizmi ditor”- thotë ekspertja.

Ajo ngre shqetësimin e mungesës së strategjive efiçente nga ana e bashkive, për të shpëtuar sektorin e turizmit, ndaj sugjeron që qeveria dhe bashkitë të miratojnë ulje të detyrimeve për bizneset, falje të tyre për periudhën që bizneset nuk janë aktive, pasuar nga stimulimi për rritjen e punësimit, paketa të ndihmës financiare dhe po ashtu programe të veçanta për uljen e kostove të biznesit.

Ndërkohë, për ekspertin e ekonomisë Fatmir Ceci, goditja nga pandemia ka qenë shumë e fortë, duke sjellë humbje kolosale për biznesin. Nuk mund të thuhet që ekonomia dhe sektorët e saj janë kthyer në normalitet, pavarësisht se situata pandemike po zbehet dita ditës. Rikuperimi dhe rimëkëmbja e ekonomisë nuk do të jetë një proçes i lehtë, sipas Cecit.

“Megjithatë, sot që flasim, jemi në situatën e ekuilibrit të bilancit financiar kosto-përfitim, ndërsa bizneset po investojnë për rritjen e cilësisë së shërbimeve, me sytë nga turistët dhe vizitorët. Bizneset e turizmit kanë pritshmëri më tepër nga turistët vendas, pasi rezervimet e të huajve janë të pakta dhe vështirë të thuhet që perspektiva mund të jetë pozitive.

Pandemia e zgjatur ka bërë që shumica e subjekteve të ndihen në vështirësi financiare, pasi të gjitha kursimet dhe të ardhurat u shterën nga pandemia”- thotë Ceci.

Sipas ekspertit, në këto kushte, për të siguruar mjete monetare, një pjesë e bizneseve u janë drejtuar bankave për kredi, të tjerë individëve apo edhe marrëveshjeve dhe kompromiseve dypalëshe.

“Një paketë tjetër ndihme finaciare nga shteti do të ishte një surprizë, por që nuk ka gjasa të ndodhë, pasi ndihma e shtetit ndaj biznesit edhe në pikun e krizës ka qenë simbolike”- shprehet Ceci.

LEXO EDHE: A do ta shpëtojnë biznesin në Korçë festat në “format” pandemie?

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img