Pretendimi: Cristiano Ronaldo mbështet Palestinën nëpërmjet kësaj fotoje më flamurin palestinez

Verdikti: E pavërtetë / Foto e gjeneruar

Prej 7 tetorit 2023, me nisjen e operacioneve masive ushtarake të Izraelit ndaj Hamas, të cilat kanë shkaktuar mbi 43 mijë viktima në popullsinë palestineze, ekziston një ndasi e theksuar në opinionin global. Përballë shumë argumentave pro dhe kundër, të shumtë janë figurat publike që shprehin mbështetje për popullin palestinez në çdo skaj të botës.

Mes këtyre figurave, Cristiano Ronaldo mbetet padyshim një nga personazhet më të dashur dhe me ndikim në rrjetet sociale.

Së fundmi, një foto e tij është shpërndarë në rrjetet sociale, duke tërhequr vëmendjen e fansave dhe mbështetësve të Palestinës. Fotoja tregon yllin portugez të futbollit duke mbajtur në fushë një flamur të Palestinës me mbishkrimin “Liri për Palestinën – C.Ronaldo qëndron me Palestinën”.

Shumë fansa e kanë shpërndarë këtë imazh duke e lidhur me mbështetje për kauzën palestineze, por ka detaje të rëndësishme që tregojnë që fotografia nuk është autentike dhe duket se është krijuar nga inteligjenca artificiale.

Duart e Cristiano Ronaldos janë të deformuara në këtë foto. Njëra dorë ka një formë jo normale mbi flamur, ndërsa tjetra është mbuluar nga një flamur më i vogël palestinez, që nuk është pjesë e natyrshme e fotos. Deformimi i pjesëve të trupit është një shenjë e zakonshme e krijimeve të inteligjencë artificiale.

Një nga detajet më të dukshme që e bën të dyshueshme këtë foto është dhe pamja e syve të Ronaldos, të cilët nuk kanë ngjyrën dhe pamjen normale të një fotografie origjinale.

Cristiano Ronaldo është një figurë publike që shpesh përdor platformën e tij për të shprehur mendime dhe mbështetje për kauza të ndryshme. Por në rastin e konfliktit në Palestinë nuk ka vendosur të shprehet ende publikisht edhe pse është duke u aktivizuar aktualisht në një ekip arab si Al-Nassr.