BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookLajmi i rremë për vdekjen e aktorit Mirush Kabashi

Lajmi i rremë për vdekjen e aktorit Mirush Kabashi

Aktori i njohur Mirush Kabashi gëzon shëndet të plotë, pavarësisht lajmeve të rreme të shpërndara në mediat online. Reagimet kanë qenë të ashpra nga miq dhe të afërm të aktorit për artikullin dizinformues, mirëpo përpos kësaj, disa prej mediave online vazhdojnë ta kenë të pasqyruar në faqet e tyre.

Në ditën e parë të vitit, kur është edhe më e vështirë që të verifikohen lajme të tilla, portalet raportuan mbi ndarjen nga jeta të aktorit Mirush Kabashi.

Ndërron jetë në moshën 73 vjeçare, aktori i madh shqiptar, Mirush Kabashi”, raporton portali Fokusi.info.

Screenshot, lajmi i publikuar nga portali

Gjithashtu, ky lajm është publikuar edhe në portale të tjera, duke përdorur edhe tituj “prekës”: “Lamtumirë – Mirush Kabashi”. Të shumtë ishin lexuesit që komentuan duke shprehur ngushëllime apo hidhërimin për këtë lajm për aktorin e dashur.

Më 31 dhjetor në mbrëmje, aktori i njohur bëri një postim në rrjetet sociale ku uroi një vit të mbarë për të gjithë shqiptarët.

Urimi i shpërndarë nga zoti Kabashi

Mirëpo, gjatë një verifikimi të thjeshtë në rrjete sociale të besueshme rezulton se artikulli në fjalë është i rremë. Të afërm dhe miq të aktorit e kanë përgënjeshtruar menjëherë lajmin e shpërndarë në mediat online.

I kontaktuar nga mediat në orët në vijim, aktori i njohur Mirush Kabashi u shpreh se gëzon shëndet të plotë, teksa shtoi se nuk ishte hera e parë që përsëritet një lajm i tillë.

Unë jam gjallë, mos u shqetësoni, të paktën këtë shqetësim ia hiqni njerëzve, demantojeni një lajm i cili po përsëritet, që është i rremë, si duket ka efekte”- u shpreh ai.

Edhe në vitin 2021 në mediat online u raportua për ndarjen nga jeta të aktorit, por gjithçka u përngënjeshtrua nga zoti Kabashi.

Një reagim i ashpër për këtë lajm të rremë erdhi edhe nga aktori Çun Lajçi. Nëpërmjet një ironie therëse, ai shkroi ndër të tjera në Facebook: “Edhe nëse vdiqëm, kemi vdekë për vete, jo për juve. Por meqë je artist nderi e mjeshtër fjale, përbije edhe ket shkrim dashakeq, se shpirtzitë e kan për ca lek…”. Në nëntor 2020, vetë aktori Lajçi ishte subjekt i një lajmi të pavërtetë që lajmëronte ndarjen e tij nga jeta.

Postimi i aktorit Çun Lajçi në Facebook

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img