Paligjshmëritë në sektorin minerar lënë pas një masakër mjedisore

Më pak se 1% e kompanive të pajisura me leje minerare kanë përmbushur detyrimin ligjor për të kryer rehabilitimin mjedisor në 10 vitet e fundit

499
Foto ilustrim grafik

Nga Vladimir Karaj, Blerina Gjoka – Buzë greminës së krijuar nga shpërthimi i minave dhe puna e ekskavatorëve, pishat duken si të rreshtuara gati për ekzekutim. Në të dy anët e rrugës që të çon drejt qytetit muzeal të Krujës, ekskavatorët gërryejnë malin të pashqetësuar, duke lënë pas një masakër mjedisore të mbuluar nga pluhuri i bardhë.

Kjo copë tokë rreth vendit të njohur si “Gjurma e Sari Salltikut” është prej korrikut të vitit 2019 pjesë e peisazhit të mbrojtur Krastë- Verjon dhe përfaqëson një ekosistem kompleks kodrinor.

Ligjërisht, zona duhej të ishte në proces rehabilitimi mjedisor pas shfrytëzimit të gjatë si gurore dhe revokimit të lejeve në vitin 2019. Por kur këta reporterë e vizituan zonën më 22 tetor, zhurma e makinerive të rënda gërryese dëgjohej prej së largu dhe shfrytëzimi vazhdonte ilegalisht.

Pamje të tilla nuk janë të izoluara vetëm në zonën e Krujës, ndërkohë që dështimi për të rehabiltuar mjedisin e dëmtuar nga aktiviteti i kompanive minerare shkon të paktën një dekadë pas në kohë.

Të dhënat e siguruara përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë që më pak se 1% e kompanive të pajisura me leje minerare e kanë përmbushur detyrimin ligjor për të kryer rehabilitimin mjedisor në 10 vitet e fundit.

Në të njëjtën periudhë, mjedisi nuk ka përfituar gjithashtu asnjë qindarkë nga një fond prej 761 milionë lekësh, i mbledhur nga e ashtuquajtura “garanci mjedisore” përmes Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Shërbimit Gjeologjik Shqiptar.

“Situata është shumë dramatike,” paralajmëron  Aleksander Trajçe drejtor ekzekutiv i Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror, PPNEA  “Nga kërkimet tona në natyrë, përballemi shpesh me imazhet e krijuara prej këtyre ndërhyrjeve në shumicën e rasteve të paligjshme,” shtoi ai.

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, AKBN, pranoi në një përgjigje me shkrim se nuk kishte gati asnjë plan rehabilitimi për zonat e prekura nga aktiviteti minerar, ndërsa shtoi se paratë e mbledhura si garanci mjedisore ishin të depozituara në thesarin e shtetit.

“Vlerat e garancive janë të depozituara në thesarin e shtetit dhe janë të ngurtësuara,” tha AKBN.

Ministria e Infrastrukturës, ajo e Mjedisit dhe Kryeministria nuk iu përgjigjën kërkesave për koment mbi dështimin prej një dekade të skemës së rehabilitimit mjedisor si dhe përgjegjësitë institucionale.

Kompanitë shmangin rehabilitimin mjedisor  

Të dhënat e sipëfaqeve të rehabilituara në raport me sipërfaqet e shfrytezuara. Ilustrim grafik nga Jurgena Tahiri.

Ligji për “Sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë” i detyron kompanitë që zotërojnë leje minerare që të kryejnë rehabilitimin mjedisor në zonat e shfrytëzuara, pas përfundimit të aktivitetit. Ligji detyron gjithashtu Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN, që të mbikëqyrë dhe të monitorojë aktivitetin, përfshirë edhe rehabilitimin mjedisor nga ana e kompanive.

Në legjislacion ka gjithashtu të parashikuar një zgjidhje për rastet kur kompanitë braktisin zonën e lejes minerare, pa e kryer rehabilitimin mjedisor. Në këto raste, rehabilitimi duhet të kryhet nga AKBN dhe shpenzimet përballohen nga fondet e garancisë financiare që kompanitë kanë depozituar në thesarin e shtetit gjatë periudhës së aplikimit për leje minerare.

Megjithatë, të dhënat e siguruara përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se kompanitë e sektorit minerar nuk e zbatojnë në masë detyrimin për rehabilitimin mjedisor, ndërkohë që edhe paratë e mbledhura si garanci financiare nuk shkojnë në dobi të mjedisit.

Sipas AKBN, nga 641 aplikime për leje minerare në dhjetë vitet e fundit, vetëm 13 prej tyre ose dy për qind e totalit kanë dorëzuar raportin përfundimtar të mbylljes së aktivitetit. Por vetëm 5 kompani kanë përmbushur rehabilitimin mjedisor dhe kanë marrë mbrapsht paratë e depozituara si garanci.

Shkeljet masive të legjislacionit në sektorin minerar kanë shkaktuar një bilanc dramatik të  dëmeve mbi mjedisin. Bazuar në një listë të publikuar nga Ministria e Infrastrukturës, deri në shkurt të vitit 2023 ishin dhënë për shfrytëzim minierash dhe karrierash mbi 24,400 hektarë tokë, nga të cilat janë rehabilituar vetëm 17 hektarë në dhjetë vjet.

AKBN e pranon faktin se shumë prej subjekteve private nuk e përmbushin detyrimin e rehabilitimit mjedisor, por thekson se u ka bllokuar atyre në këmbim vlerat e garancisë financiare për mjedisin, për të cilat thotë se “kanë kaluar në favor të shtetit”.

“Shumë nga ish-subjektet zotëruese të këtyre lejeve kanë hequr dorë nga rehabilitimi i zonës dhe vlera e akumuluar ka kaluar në favor të shtetit,” deklaroi AKBN.

Agjencia deklaroi gjithashtu se kishte revokuar një numër të konsiderueshëm lejesh minerare për shkak të mospagesës së garacisë financiare mjedisore. Sipas një liste të vendosur në dispozicion, nga 237 leje minerare të revokuara në dhjetë vjet, 43% e tyre kanë si shkak mospagesën e garancisë mjedisore.

Kontrolli i Lartë i Shtetit fajëson AKBN-në përmes një raporti auditi për faktin që garancia financiare për mjedisin nuk është mbledhur e plotë. Sipas raportit që analizon periudhën 2018-2022 në AKBN, një numër subjektesh nuk shlyenin garancitë financiare vjetore, ndërsa subjekte të tjera kishin vonesa, por mbaheshin me hatër derisa lejet revokoheshin pas dy apo tre vitesh.

KLSH vlerëson gjithashtu se mungesa e rehabilitimit po sillte pasoja të rënda në mjedis, ndërsa miniera të nxjerra jashtë përdorimit ishin duke u shembur, duke krijuar hinka në sipërfaqe.

“Shpeshherë grupi i monitorimit është ndeshur me dalje të hinkave në sipërfaqe në shumë zona si pasojë e hapësirave të krijuara nga shfrytëzimi në vite në këto ish-miniera,” thuhet në raport.

Mes zonave të dëmtuara përmenden miniera Rehovë në bashkinë e Korçës, miniera e Mborje Drenovës në të njëjtën bashki, miniera e Kurbneshit në bashkinë e Mirditës apo miniera e Kripës në Dhrovjan të Bashkisë së Finiqit.

Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i organizatës mjedisore Eco Albania thotë se kompensimi i parashikuar si rehabilitim mjedisi është i papërfillshëm dhe zakonisht i kufizuar në kohë.

“Legjislacioni ka mangësi, duke e lënë rehabilitimin në dorë të subjekteve pa monitorim, ose duke e transferuar rehabilitimin nga mjedisor në social, përgjithësisht duke blerë me investime të vogla heshtjen e banorëve të zonave të prekura,” tha Nika.

“Në jo pak raste, ky parim përdoret si një mjet manipulimi për komunitetet e varfëra…,” shtoi ai.

Ku gjenden paratë?!

Paratë e mbledhura si garanci mjedisore nga AKBN dhe Shërbimi Gjeologjik Shqiptar në 10 vjet. Ilustrim grafik nga Jurgena Tahiri.

Kompanitë private të sektorit minerar nuk janë të vetmet që vjelin frytet në kurriz të dëmeve të shkaktuara në mjedis. Edhe institucionet publike, që kanë përgjegjësinë që të kryejnë rehabilitimin mjedisor pas mbylljes së aktivitetit minerar, nuk kanë shpenzuar asnjë qindarkë për këtë qëllim në dhjetë vitet e fundit.

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe Shërbimi Gjeologjik Shqiptar mblodhën së bashku 761 milionë lekë ose 7.7 milionë euro nga kompanitë minerare si garanci mjedisore financiare gjatë viteve 2014-2023. Por është e paqartë se ky ndodhen aktualisht këto para.

AKBN tha se ky fond ndodhej i ngurtësuar në Thesarin e Shtetit, por Ministria e Financave që menaxhon thesarin nuk e konfirmoi këtë fakt.

E pyetur për fondin e garancive mjedisore, Ministria e Financave pretendoi se “nuk e zotëronte informacionin e kërkuar” dhe ia përcolli kërkesën Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës. Kjo e fundit nuk ktheu asnjëherë përgjigje.

Dy zyrtarë të lartë të Ministrisë së Financave, të cilët kërkuan që të mos citoheshin me emër, thanë se nuk kishin dëgjuar ndonjëherë për një fond të tillë dhe nuk kishin dijeni për të. Fondi i garancisë financiare mjedisore nuk rezulton i pasqyruar as në të dhënat financiare të buxhetit për vitin 2024.

AKBN nuk iu përgjigj në mënyrë të drejtpërdrejtë pyetjes nëse e kishte përdorur ndonjëherë garancinë për rehabilitim, por këmbënguli se paratë ndodheshin “të ngurtësuara në thesar”.

Agjencia u justifikua gjithashtu se nuk kishte aplikuar ende plane për rehabilitim, për shkak se po shihte mundësinë që shumë prej zonave t’i jepte sërish për shfrytëzim.

“Këto zona kanë akoma rezerva minerare të pashfrytëzuara, në të cilat mund të merren përsëri leje nga subjektet e interesuara duke ndjekur të gjitha procedurat ligjore të parashikuara nga legjislacioni minerar,” tha AKBN.

Ekspertët e ekonomisë e shohin me shqetësim paqartësinë institucionale për fondin e krijuar nga ky mekanizëm ligjor dhe mospërdorimin e tij në kohë për rehabilitimin e mjedisit.

Sipas Zef Preçit, drejtor ekzekutiv i Institutit për Studime Ekonomike, paratë mund të jenë shkrirë në buxhet dhe kjo sipas tij tregon shumë për raportin e qeverisë me mjedisin.

“Në këto kushte nuk mund të flitet për dëm në kuptimin financiar të këtij emri, por për dëm në terma ekonomikë nga mosrehabilitimi mund të flitet patjetër”, thotë Preçi. “Shkurt, qeveria ka disponuar dhe vazhdon të disponojë disa miliona Euro më shumë, për t’i shpenzuar kudo tjetër, përveçse në rehabilitimin e ambientit,” shtoi ai.

Eduart Gjokutaj, themelues i organizatës së edukimit financiar, “Altax”, thotë se fondi duhet të ekzistojnë në llogaritë bankare të institucioneve dhe se thesari i shtetit do të duhej të ishte i informuar për të. Por, ai thekson se mospërdorimi i këtyre parave për qëllimin që mblidhen në kohën e duhur sjell pasoja të pamatshme.

“Për mjedisin ka pasoja të pamatshme drejtpërdrejt, cilësinë e ajrit, prishjen e ekosistemit e të tjera. Po ashtu dëmtohet ajo që quhet ekonomia pyjore, e cila shërben për interesa të ndryshme dhe matet me indikatorë të veçantë nga ekspertët e mjedisit,” shtoi Gjokutaj.

Dëmi i pallogaritshëm në mjedis

Aktiviteti i guroreve ka lënë pas një masakër mjedisore në zonën e mbrojtur Krastë-Verjon në Krujë. Foto: Vladimir Karaj

Zona Krastë-Verjon në bashkinë e Krujës u shpall “peizazh i mbrojtur” në vitin 2019 nga Këshilli i Ministrave dhe lejet e shfrytëzimit për gurore u revokuan në të njëjtin vit.

Sipas raportit të hartuar nga AKBN, dymbëdhjetë subjektet që punonin aty u gjetën në shkelje të kushteve teknike të lejeve dhe të paktën pesë prej tyre kishin shfrytëzuar sipërfaqen në thellësi 3 apo 4 herë më shumë nga sa ishin të lejuara.

Në një rast, thellësia e kraterit  të krijuar nga shfrytëzimi ishte 48 metra nga 10-12 metra që është e lejuar për lejet në këtë zonë. Në të gjitha rastet, AKBN vë në dukje se nuk ishin ruajtur parametrat teknike dhe sipërfaqja e shfrytëzuar nuk ishte e përshtatshme për rehabilitim.

Përveç revokimit të lejeve nga AKBN, subjektet u gjobitën më 4 milionë lekë së bashku për mungesë lejesh mjedisore, mungesën e masave antierozive dhe mbjelljen e bimësisë nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit.

Pesë vite më pas, nuk është ndërmarrë asnjë hap për rehabilitimin e zonës, ndërsa makineritë e rënda vazhdojnë të shkaktojnë dëme të reja në mjedis në mënyrë ilegale. Përveç vëzhgimit me sy të lirë në terren, një krahasim historik i imazheve të përftuara nga Google Earth tregon se sipërfaqja e shfrytëzuar, në të majtë të rrugës për në Krujë, u rrit dukshëm nga viti 2020 deri në vitin 2023, periudhë kur lejet ishin revokuar.

E pyetur se pse kompanitë vazhdonin punën edhe pas revokimit të lejeve, AKBN lau duart nga përgjegjësia.

“AKBN nuk e ka tagrin të bëjë konstatime apo verifikime në zonë, për sa kohë subjektet apo personat që shfrytëzojnë nuk janë subjekt i zbatimit të ligjit minerar,” tha Agjencia në përgjigje.

Ndërkohë, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, IKMT tha se kishte ndërmarrë masa administrative dhe gjoba ndaj kompanive në vitin 2023, por fajësoi AKBN-në se nuk e kishte informuar mbi situatën ligjore të subjekteve që vepronin në zonë.

“Sjellim në vëmendjen tuaj që Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në asnjë moment nuk ka patur kërkesa apo/dhe informacione nga AKBN-ja mbi situatën ligjore të këtyre subjekteve”, tha IKMT, ndërsa këmbënguli se subjektet ishin spostuar më në Veri dhe kishin dalë jashtë zonës së mbrojtur. Agjencia Kombëtare e Mjedisit e përjashtoi veten nga përgjegjësia, duke thënë se “nuk kishte kompetenca”.

Pas shumë vitesh shfrytëzimi pa kriter, rehabilitimi mjedisor në zonën e mbrojtur Krastë- Verjon konsiderohet i vështirë dhe një zyrtar i AKBN-së tha se mund të kërkonte ndërhyrjen e ushtrisë. Vetë AKBN i ka llogaritur kostot e rehabilitimit bazuar mbi sipërfaqet e shfrytëzuara dhe jo mbi thellësinë e kratereve të krijuara në kushtet e shkeljes së lejeve.

“Sot thellësia e gropave është shumë e madhe dhe kërkohet ndërhyrje e xhenios për rehabilitim,” tha zyrtari në kushtet e anonimatit.

Por Elvana Tivari, eksperte e legjislacionit mjedisor, tha se dëmet duheshin llogaritur jo vetëm për shfrytëzimin sipas lejes minerare, por edhe për dëmin e shkaktuar nga aktiviteti i paligjshëm. Sipas saj, problemet e përllogaritjes së dëmit vinin nga mungesat në legjislacion.

“Fondi i krijuar nga garancia mjedisore mblidhet për dëmet e shkaktuar brenda kushteve të lejes, për dëmet jashtë kushteve të lejes i duhet kërkuar përgjegjësia atij që ka shkaktuar,” tha Tivari, duke vënë në dukje se përgjegjësitë në këtë rast nuk ishin vetëm administrative, por edhe penale.

Eksperti Gjokutaj nga “Altax” e vë në dyshim faktin nëse garancitë mjedisore të mbledhura nga AKBN janë të mjaftueshme për rehabilitimin e dëmeve të shkaktuara nga aktiviteti i sektorit minerar.

“Asnjëherë nuk mund të përkojë ajo që ke vënë në garanci dhe ke parashikuar në fillim me atë që ka ndodhur në praktikë, për arsye të ndryshme, që nga ndryshimi i peizazhit, gabime në zbatim të punimeve apo dhe faktorë të tjerë që lidhen me rritjen e kostove të rehabilitimit,” tha Gjokutaj.

“Karrierat shfrytëzohen egërsisht, ndosin mjedisin, dëmtojnë cilësinë e jetës së banorëve dhe rrisin kostot ekonomike për zonën,” përfundoi ai.

*Ky artikull u mundësua me mbështetjen nga skema e granteve “BAT Civil Society”, e zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në partneritet me Faktoje dhe Center for Research and Policy Making (CRPM), mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.