Pretendimi: Siria njohu shtetin e Kosovës pas ndërhyrjes së udhëheqësit me origjinë shqiptare
Verdikti: E pavërtetë
Njohja e pavarësisë së saj është kthyer në një betejë të ethshme diplomatike mes Kosovës dhe Serbisë, e cila reflektohet edhe në konsumin e brendshëm politik në të dyja vendet. Duke njohur këtë interesim, në rrjetet sociale është ndarë së fundmi lajmi për njohjen e shtetit të Kosovës nga udhëheqësit e rinj në Siri.
Një përdorues në rrjetin social Facebook ka shpërndarë një screenshot të një videoje në “Tik tok”, duke e shoqëruar me tekstin “Lajmi i fundit: “Siria njeh pavarësinë e Kosovës.”.
![](https://faktoje.al/wp-content/uploads/2025/01/image-26.png)
Në mbishkrimin e videos për më tepër thuhet që lideri i Sirisë, Ahmed al-Sharaa e ka prejardhjen nga Shqipëria dhe kjo është arsyeja e njohjes së Republikës së Kosovës.
Ky pretendim nuk është aspak i vërtetë as për njohjen e Kosovës nga Siria dhe as për prejardhjen e liderit të ri të Sirisë.
Duke verifikuar faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, rezulton se kjo njohje nga Siria nuk është e vërtetë. Sipas listës zyrtare, pavarësia e Kosovës është njohur nga 117 shtete që prej 17 shkurtit 2008, kur ajo shpalli pavarësinë e saj nga ajo çka kishte mbetur nga Republika Federale e Jugosllavisë. Njohja më e freskët dhe delikate është në 2021 nga Izraeli.
Ky lajm është verifikuar si i pavërtetë edhe nga kolegët e verifikimit të fakteve në Kosovë të hybrid.info.
Nuk ekzistojnë deri më sot prova për një prejardhje shqiptare të liderit sirian, Ahmed al-Sharaa, ashtu siç pretendohet në postim. Ky pretendim mund ta ketë zanafillën te lajmet për komandantin shqiptar që luftoi në Siri kundër regjimit të Assad, Avdyl Jashari, nga Shkupi i Maqedonisë së Veriut. Jashari është prezantuar në media si një nga komandantët e luftës, por nuk është katapultuar ende në majat e pushtetit të ri në Siri.
I njëjti profil në Facebook ka publikuar gjithashtu pretendimin se Siria do t’i heqë njohjen Serbisë për shkak të gjenocidit të kryer ndaj Kosovës.
![](https://faktoje.al/wp-content/uploads/2025/01/image-27.png)
Edhe në këtë rast, nuk ka ndonjë burim zyrtar për këtë vendim ekstrem ndaj Serbisë dhe duket se bëhet fjalë për një informacion të pavërtetë.