BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookMartesa e një 12-vjeçareje, një video e keqinterpretuar

Martesa e një 12-vjeçareje, një video e keqinterpretuar

Video e një vajze të mitur, veshur me fustan nusërie, është keqpërdorur nga mediat online, duke e servisur për lexuesit si një ceremoni martese. “Faktoje” verifikoi se bëhet fjalë për një ceremoni pagëzimi dhe jo dasmë, siç pretendohet nga portalet.

———————————————————————————————————————————

Në një artikull që mban datën 11 tetor, portali attualita21.com njofton lajmin e martesës së një vajze 12-vjeçare, shoqëruar edhe me një video ku shihet e mitura veshur me një fustan nusërie.

“Babai marton vajzen ne moshen 12 vjec: Vajza nuk i mban dote lotet /Ndersa familjaret festojne si te c’mendur”, titullohet lajmi që fton lexuesit të klikojnë më tej.

Screenshot lajmi i publikuar nga portali

“Faktoje” vendosi të verifikojë këtë lajm të publikuar, për të informuar lexuesit si qëndron e vërteta mbi këtë “martesë” që është e ndaluar nga normat ligjore dhe morale të shoqërisë sonë.

Përpos gabimeve drejtshkrimore në titull dhe në brendësi të tekstit, në lajm nuk jepet asnjë detaj ku ka ndodhur kjo martesë. Thjesht kjo media online shkruan se babai ka martuar vajzën 12-vjeçare, por nuk jepet një burim ku është bazuar për raportimin e bërë.

Nëse do të shohim videon, vihet re se ajo është publikuar në Youtube që në maj të vitit 2019 dhe në fillim të jep idenë e një dasme. Por, nëse do vazhdojmë ta shohim është mëse e dukshme që kemi të bëjmë me një pagëzim. Në minutën 11:41 sekonda shfaqen pamje nga kisha, ku duken një grup fëmijësh, vajza të veshura me vello dhe djem me kostume zyrtare.

Mirëpo, edhe vetë përshkrimi në gjuhën sllovene që shoqëron videon e postuar në Youtube tregon se janë pamje nga pagëzimi. “Julka Pollakovzá pagëzimi i parë i shenjtë-pjesa e parë”, shkruhet krahas videos së publikuar.

Gjatë një kërkimi të mëtejshëm në Youtube, pagëzimi i vajzës kishte edhe një pjesë të dytë, ku shfaqen pamje nga festa me familjarët. Por, në asnjë moment nuk duket si një ceremoni martese.

Edhe komentet e bëra nga ndjekësit tregojnë se në fakt bëhet fjalë për pagëzim. “Festa quhet Kungimi i Parë i Shenjtë, vajza shkoi për herë të parë në rrëfim dhe për herë të parë mori Kungimin e Shenjtë. Të gjithë katolikët kremtojnë Kungimin e Parë të Shenjtë”, shkruajnë komentuesit.

Portali në fjalë, nuk ka bërë as verifikimin më minimal në momentin që ka publikuar këtë artikull, për të parë përshkrimin që shoqëronte videon e vajzës. Gjithashtu, nuk dihet se ku është referuar portali për moshën e të miturës, pasi në aanjë pjesë të videos nuk tregohet mosha e saj.

Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img