Parashikimet për rënie të ekonomisë për shkak të pandemisë nga Covid-19, po kthehen në realitet. Mjafton të përshkosh rrugët më të frekuentuara dhe të mbushura nga dyqanet në Tiranë për ta kuptuar këtë. Nga një vëzhgim në zonën e Bllokut dhe rrugën Myslym Shyri, konstatuam disa dyqane të mbyllura. Edhe shifrat zyrtare tregojnë se kryeqyteti ka marrë goditjen më të madhe tek bizneset e vogla dhe ato familjare.

—————————————————————————————————————————————–

Kur kanë kaluar 3 muaj që shpallja e pandemisë, në Shqipëri pasojat e saj po duken qartë me mbylljen e shumë bizneseve.

Vetëm në Tiranë, gjatë muajve prill dhe maj janë çregjistruar sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit 221 biznese. Në të gjithë vendin, QKB i tha Faktojes se për të njëjtën periudhë janë çregjistruar 408 biznese.

Shifrat vërtetojnë së më shumë se gjysma e bizneseve të çregjistruara janë në kryeqytet. Faktoje bëri  një vëzhgim në dy zonat më të frekuenturara të Tiranës dhe konstatoi se një numër i konsiderueshëm biznesesh kanë mbyllur aktivitetin pas pandemisë.

Vetëm në rrugën Myslym Shyri, janë mbyllur të paktën 20 biznese.

Bizneset e mbylluara janë kryesisht agjenci udhëtimi, dyqane veshjesh, këpucësh, argjendari etj.

Biznes i mbyllur në Bllok

Biznes i mbyllur në Bllok

Dy biznese të mbyllura në Rrugën Myslym Shyr

Biznes i mbyllur në Rrugën Myslym Shyri

 

 

Biznes i mbyllur në Rrugën Myslym Shyri

D.B pronar i një dyqani këpucësh në rrugën Myslym Shyri, ku ka pasur më shumë biznese të mbyllura, i tha Faktojes se po mbijeton me vështirësi.

Kisha dy dyqane, njërin e mbylla sepse nuk arrita ta mbaja hapur. E kisha çik më lart. Po s’ia dolëm do detyrohem ta mbyll edhe këtë. Nuk është si më parë, kjo dihet”- tha ai.

Pak më poshtë, në fund të rrugës Myslym Shyr, edhe N.L, pronar i një biznesi të vogël veshjesh thotë se ka frikë që efektet e pandemisë do ta detyrojnë ta mbyllë biznesin me të cilin ai mban familjen.

Bizneset e mbyllura janë kryesisht biznese të vogla dhe familjare. Edhe pse Tirana mban vendin e parë për bizneset e mbyllura nga pandemia, situata paraqitet pesimiste edhe në qytete të tjera.

Të njëjtin problem ka edhe Kristina në Vlorë. Në fund të majit, Faktoje e gjeti Kristinën duke mbledhur rrobat e mbetura nga dyqani i saj i rrobave diku në Lungomare.

Po i mbledh rrobat në thasë, nuk ka punë, është gjë që duket. Sot kam shitur vetëm një palë rroba banje. Një thes me rroba mund ta kem blerë 400-500 mijë lekë të vjetra po tani po jua jap fabrikave dhe anijeve me 10 mijë lekë thesin, mbaroi çdo gjë. Dikur ka pasur shumë punë. Para virusit nuk qahesha”- tha Kristina për Faktoje.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, mbi 70 mijë persona kanë humbur vendet e punës gjatë muajve mars – prill.

Ndërkaq, Banka Botërore ka paralajmëruar se shkalla e papunësisë në Shqipëri, si e ndikuar nga COVID-19 do të rritet në 25%.