BallinaTë pambajturaOficeri i Sigurisë në gjimnaze, premtimi i pambajtur edhe pas dy vitesh

Oficeri i Sigurisë në gjimnaze, premtimi i pambajtur edhe pas dy vitesh

Rasti i abuzimit seksual të një 15-vjeçareje në një shkollë 9-vjeçare në Tiranë, nxiti reagimin dhe kërkesën për vendosjen e oficerëve të sigurisë në këto institucione. “Faktoje” mësoi se një marrëveshje me Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Brendshme, firmosur më1 qershor 2018 parashikonte zbatimin e këtij projekti në gjimnazet e vendit, por dy vite më pas ende nuk janë plotësuar me oficerë as 150 gjimnaze.


Më 1 qershor 2018 ish-ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla dhe ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj nënshkruan marrëveshjen për vendosjen e një “Oficeri Sigurie” në të gjithë gjimnazet e vendit.

Pesë muaj pas marrëveshjes mes dy Ministrive, më 9 tetor 2018 një vendim i Këshillit të Ministrave e kufizoi shtrirjen e oficerëve të sigurisë në vetëm 150 gjimnaze në vend.

Pas vendimit të Këshillit të Ministrave, Ministria e Arsimit Rinisë dhe Sporteve shpalli edhe thirrjen për të punësuar 150 oficerë sigurie.

Siguria në shkollë është një element thelbësor i parandalimit të dukurive negative, si brenda edhe jashtë mjediseve të shkollës. Lufta kundër dukurive të tilla si: episode të dhunës, përdorimi i drogave dhe substancave abuzive, dukuria e bullizmit, siguria fizike në shkolla etj. janë prioritet i Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve dhe i Ministrisë së Brendshme – thuhej në njoftimin e MASR.

Dy vjet nga angazhimi shtetëror për garantimin e sigurisë në shkolla, Ministria e Arsimit nuk ka mundur të plotësojë me oficerë sigurie as këto 150 gjimnaze. Referuar të dhënave nga Ministria e Arsimit, më pak se 135 gjimnaze në vend janë të pajisur me Oficer Sigurie.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë shpall procedurat për 15 vende vakante për oficerë sigurie në institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar – thuhet në njoftimin e MASR.

Vendet vakante për pozicionin “Oficer Sigurie”, burimi: MASR

Në kushtet kur angazhimi shtetëror ende nuk është përmbushur, as për objektivat e përcaktuar më herët, institucioni i Avokatit të Popullit, në një ragim mbi rastin e abuzimit seksual me një 15-vjeçareje, nxënëse e shkollës 9-vjeçare “Azem Hajdari” në Babrru, kërkoi vendosjen e “Oficerit të Sigurisë” edhe në shkollat 9-vjeçare”.

Oficerët e sigurisë që janë vetëm për shkollat e mesme, ne po shohim që këto ngjarje po ndodhin shumë më tepër në shkollat 9-vjeçare, ndaj duhet të ketë patjetër oficer sigurie në këto shkolla – thuhej në reagimin e Avokatit të Popullit.

Ndërkohë që në gjithë vedin janë më shumë se 1,500 institucione arsimore në sistemin parauniverisitar, ku raste të abuzimit seksual janë denoncuar edhe më herët, mungesa e një oficeri sigurie, shton edhe më shumë pasigurinë.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img