BallinaPertejÇfarë do të ndryshojë "rikthimi" i Urës Vajgurore në Dimal

Çfarë do të ndryshojë “rikthimi” i Urës Vajgurore në Dimal

Nisma për ndryshimin e emrit të Bashkisë së Urës Vajgurore, në Dimal, pritet të formalizohet me votimin në Kuvend. Ky hap synon rikthimin e madhështisë së dikurshme këtij rajoni që mori emrin Ura Vajgurore, pak kohë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, për shkak të vendosjes së çisternave të vajgurit. Bashkia thotë se po punohet për përgatitjen e procesit të rijetëzimit të zonës. Por a do t’i mjaftojë rikthimi i emrit të lashtë, kësaj bashkie që përballet me sfida që nisin nga infrastruktura e dobët, mungesa e ujit, borxhet e qeverisë vendore dhe emigracioni?

Çfarë ishte Dimali dhe çfarë është Ura Vajgurore

Dimali ka qenë një nga qytetet më të fortifikuara të Ilirisë dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në luftërat iliro-romake.

Siti arkeologjik i Dimalit, shtrihet nën kodrinat në kufi me fshatrat Bistrovicë dhe Krotinë, në Bashkinë e Urës Vajgurore.

Një pjesë e Kalasë së Dimalit/ Foto:M.Daci

Autorët Polibi dhe Livi, gjatë luftërave iliro romake dhe romako-maqedonase përmendin Dimalin, si një qytet me pozicion startegjik dhe të vështirë për ta nënshtruar.

Gjatë gërmimeve të viteve 1964 – 1978 dhe 2013 – 2014, janë gjetur artifakte të ndryshme që flasin për madhështinë e dikurshme të këtij qyteti antik ilir.

Qeramikë në Kalanë e Dimalit/ Foto: M.Daci

Ndërkohë Ura Vajgurore është një bashki që bën pjesë në Qarkun e Beratit. Ajo u formua në reformën e qeverisjes vendore 2015 nga bashkimi i ish-komunave Cukalat, Kutalli, Poshnjë dhe Ura Vajgurore.

Qendra e Urës Vajgurore/ Foto: M.Daci

Ura Vajgurore kufizohet me bashkitë Lushnjë, Kuçovë, Berat dhe Roskovec.

Sipas Censusit të vitit 2011, kjo bashki numëron 27,295 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil ajo numëron një popullsi prej 39,551 banorë.

Bashkia e re shtrihet në një zonë të pasur me toka bujqësore. Burimet kryesore të të ardhurave për banorët e kësaj zone janë shfrytëzimi i burimeve natyrore, sidomos përpunimi i gurit, përpunimi agro-industrial, plantacioneve me ullinj, vreshta, perimeve, etj.

Bujk në Urë Vajgurore/ Foto: M.Daci

Megjithatë, Bashkia e Urës Vajgurore përkundër madhështisë së dikurshme të qytetit antik të Dimalit ka jo pak vështirësi dhe sfida.

Sipas raportit më të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Ura Vajgurore është një nga shtatë bashkitë në vend me “vështirësi serioze financiare”.

Stoku i lartë i detyrimeve e bën këtë bashki vulnerabël sa i takon financave.

Emër i ri…zhvillim i ri?

Agush B, banor i Urës Vajgurore, i tha Faktoje se është kundër idesë për ndryshimin e emrit të Urës Vajgurore në Dimal dhe se e ka të paqartë këtë proces.

Unë jam kundër, është gabim. Se do ndërrohen letrat nga e para. Këtu s’ka investime njëherë, s’ka ujë akoma”.

Djaloshi i Dimalit, simbol i qytetit të vjetër/ Foto: M.Daci

Ardit Hoxha, me profesion gazetar, banor i fshatit Krotinë, fshati më i afërt me Dimalin, thotë se ky është një hap pozitiv dhe që mund të sjellë përfitim për zonën.

Kalimi nga Ura Vajgurore në Dimal është një hap pozitiv, pasi emri Bashkia Ura Vajgurore nuk thotë asnjë gjë në vitin 2021. Bashkia Dimal mund të jetë një shtysë për komunitetin atje për të përfituar nga një sektor që deri tani ose ka qenë në gjumë ose nuk ka ekzistuar fare, e kam fjalën për turizmin.”-tha ai për Faktoje.

Po të shkosh në zonë, vërehet potencial turistik shumë i madh. Por sa po punohet nga pushteti vendor dhe qëndror për zonën në drejtim të marketimit dhe zhvillimit?

Pjesë nga Kalaja e Dimalit/ Foto: M.Daci

Qyteti i Dimalit nuk ka asnjë status sot, është paradoksale. Me përjashtim të zonës së Akropolit. Pjesa tjetër është e shpërndarë me ligjin 7501, banorët e fshatrave Krotinë e Bistrovicë, i kanë marrë tokat dhe kanë mbjellë pemë, psh mbi teatrin e Dimalit janë mbjellur një bllok qershishë (qesharake)”- thotë Hoxha.

Problemet e infrastrukturës duket se janë më të mëdhatë, që pengojnë zhvillimin e zonës dhe njohjen nga afër të qytetit antik të Dimalit, sipas Hoxhës.

Përveç atyre që kanë studiuar histori, askush tjetër nuk e di ku i bie Dimali dhe cfarë është. Duhet bërë diçka si fillim që njerëzit ta dinë ku është. Një pikë në hartë minimumi. Rruga është gjëja kryesore dhe problemi kryesor. Turistët nuk e marrin fare mundimin, se është tw paktwn një orë me këmbë. Nëse bashkia merr emrin e Dimalit për të zhvilluar zonën atëherë duhet të zhvillosh si fillim Dimalin si sit arkeologjik. Duhet çuar rruga nga të dyja krahët. Duhet rruga që lidh dy fshatrat e Krotinës me Bistrovicë. Pastaj duhet rruga e fshatit Krotinë me rrugën nacionale Berat-Fier se është në gjendje katastrofike”- thotë ai.

Paradoksalisht, edhe pse Bashkia Ura Vajgurore do të marrë emrin Dimal, zona e Dimalit me dy fshatrat e Krotinës dhe Bistrovicës nuk u përfshinë në projektin e 100 fshatrave.

Kthesa nga fshati Bistrovicë për në Kalanë e Dimalit/ Foto: M.Daci

Fshati Krotinë ka rreth 70 shtëpi. Problemet kryesore për banorët janë energjia elektrike (me 170 volt), uji, infrastruktura rrugore dhe emigracioni.

Rruga për në Kalanë e Dimalit/ Foto: M.Daci

Cilat janë planet për të ardhmen e Dimalit?

Juliana Memaj, kryetare e bashkisë Ura Vajgurore i tha Faktoje se janë bërë disa hapa të parë për rijetëzimin e zonës, por ajo thekson edhe problematikat ekzistuese që e vështirësojnë këtë proces.

Në bërjen të vizitueshëm të sitit arkeologjik kemi punuar për përfundimin e Studimit të Fizibilitetit për projektin e rijetëzimi të sitit arkeologjik të Dimalit, projekt ky i hartuar nga ekspertë të fushës.

Ajo i tha Faktoje se për disa nga problematikat po punohet.

Dy nga problematikat kryesore të evdidentuara, që lidhen me infrastrukturën do marrin zgjidhje shumë shpejt. Kemi arritur të sigurojmë fondet për finnacimin e ujësjellësit të fshatrave Bistrovicë dhe Krotinë (në këto momente është drejt përfundimit rrjeti i ujësjellësit drejt sitit të Dimalit). Në buxhetin afatmesëm të bashkisë, kemi planifikuar që në vitin 2021, të sistemojmë rrugën që të çon nga Bistrovica në Dimal, rreth 2 km.”- tha Memaj për Faktoje.

Faktoje do t’i verifikojë në një moment të dytë këto angazhime të marra për Dimalin.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img