BallinaTë pambajtura‘Bursa Shqiptare e Prodhimit Bujqësor’ premtim i pambajtur që nga 2016-a

‘Bursa Shqiptare e Prodhimit Bujqësor’ premtim i pambajtur që nga 2016-a

ILDA KURTI

Në 2016 ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti premtoi krijimin e Bursës së Parë Bujqësore Shqiptare. Edhe pse ky premtim përsërit edhe gjatë viteve që pasuan, në të vërtetë nuk u realizua. Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural pranoi nëpërmjet një komunikate zyrtare mosrealizimin e këtij projekti. Faktoje kontaktoi me ekspertë financiarë për të kuptuar më mirë pasojat e mosrealizimit të këtij premtimi.


 

Më 17 tetor 2016, ministri në detyrë, Edmond Panariti, deklaroi në Lushnje: “Bursa e parë shqiptare bujqësore do të hapet brenda këtij viti në Lushnje, si platforma që do ta vendosë Shqipërinë në pozita të favorshme për rritjen e eksporteve dhe perspektivën e zhvillimit.”

Ky premtim është ripërsëritur shumë herë nga zoti Panariti përgjatë periudhës së tij të shërbimit  si ministër në Ministrinë e Bujqësisë. (02.09.2013-13.09.2017)

Në mars të 2017-s, gjatë Forumit të Agrobiznesit Shqipëri-Turqi, ish-ministri Panariti theksoi sërish domosdoshmërinë e krijimit të Bursës Bujqësore Shqiptare në prezencën e homologut turk Faruk Çelik, duke i dhënë kështu ngjarjes rëndësi edhe në nivel ndërkombëtar, sikundër u dokumentua në media asokohe.

Faktoje dërgoi një kërkesë për informacion pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për ta pyetur mbi përmbushjen e këtij premtimi.

Kërkesë për Informacion drejtuar Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Përgjigjia nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ishte kjo:

“Bursa Shqiptare Bujqësore nuk ka nisur të funksionojë.”

Përgjigjia zyrtare e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, datë 25.03.2021

Sektori i bujqësisë paraqet një sërë problematikash dhe vijon të ketë nevojë urgjente për krijimin e politikave kombëtare që do të integronin në mënyrë rregullatore shteruese prodhimin bujqësor, me kërkesat e tregut të integruar bujqësor. Politikat bujqësore mbeten sporadike, duke i keqpozicionuar përballë shifrave të importit.

Faktoje kontaktoi me ekspertin Elvin Meka, dekan në Fakultetin e Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit në Universitetin Europian të Tiranës, rreth ndikimit që ky mosrealizim ka sjellë në sektorin e bujqësisë shqiptare.

“Sigurisht që Bursa e Mallrave Bujqësore do të ishte një risi në vetvete, brenda ekonomisë dhe sistemit financiar shqiptar, për sa kohë që me zhvillimin e saj është e lidhur rreth 48% e popullsisë së vendit dhe kur kontributi i saj në ekonominë kombëtare është mbi 20%, një shifër kjo jo e vogël, por jo dhe aq përfaqësuese e potencialit real që ka dhe mund të japë bujqësia shqiptare, brenda ekonomisë kombëtare.

Lidhur me zhvillimin e ‘Bursës Bujqësore’, ajo që është artikuluar në vite, qoftë nga specialistë, apo nga vetë Ministria e Bujqësisë, kanë konsistuar jo në krijimin e një tregu apo burse të vërtetë të mallrave  bujqësore, por në një treg shumice, ku tregtarët ballafaqohen me fermerët, apo grumbulluesit e produkteve bujqësore, për përcaktimin e një çmimi shitblerje “spot” (ditor) për artikuj të ndryshëm bujqësorë.” – u shpreh z. Meka.

Bursa e mallrave bujqësore, më shumë sesa një treg fizik i produkteve bujqësore që sillen çdo mëngjes në tregje, është një platformë tregtimi e kontratave financiare të tipit “futures” (kontrata të së ardhmes) dhe “options” (kontrata të mundësive), midis grumbulluesve dhe distributorëve, nga njëra anë, dhe tregtarëve të shumicës së produkteve bujqësore nga ana tjetër. Që bursa e mallrave bujqësore të mund të funksionojë, ajo ka nevojë për një model të revolucionarizuar të zhvillimit të bujqësisë, konkretisht sipas parimit të bujqësisë së integruar në të gjithë zinxhirin e saj të vlerës, pra që nga fermeri dhe ferma, e deri te shitësi i pakicës dhe eksportuesi, ku gjithçka kalon përmes një procesi dhe pjesëmarrësish formalë, çka mundëson krijim vlere të shtuar në çdo hallkë e pjesë procesi.

Më poshtë po paraqesim vizualisht disa prej aspekteve pozitive që priten nga ndërtimi i këtij mekanizmi:

Lista e avantazheve ©Prof.Asoc.Dr. Elvin Meka. Ilustrimi: Ilda Kurti për Faktoje

I pyetur për pasojat negative që ka sjellë ky mosrealizim, eksperti shprehet:

“Përgjigja është fare e thjeshtë: shikoni nivelin dhe stadin aktual të zhvillimit të bujqësisë, nivelin e mirëqenies së popullsisë që banon në fshat, raportin import-eksport që ka Shqipëri lidhur me mallrat bujqësore dhe ushqimet, nivelin e zhvillimit dhe vendit që zë në prodhimin industrial industria agro-përpunuese dhe shkallën e konkurrencës së bujqësisë dhe industries ushqimore shqiptare në rajon dhe Europë.

Pa një zhvillim të integruar të bujqësisë në rang kombëtar, Shqipëria do të mbetet gjithnjë mbrapa në zhvillimin e produktit bujqësor, një vend i varur nga importet edhe për produktet tipike dhe tradicionale vendase dhe krejtësisht jashtë konkurrencës rajonale dhe europiane, në drejtim të ofrimit të produkteve konkurruese dhe cilësore, si dhe një ekonomi me një produktivitet tejet të ulët të mallrave dhe kulturave bujqësore. Gjithashtu, kjo nënkupton edhe të ardhura të munguara për vet buxhetin e shtetit, nga një sektor që nuk lexohet thuajse fare në radarët e fiskalizimit.”

Në mbyllje, Prof. Asoc. Dr. Elvin Meka u shpreh për Faktoje:

“Natyrisht që të arrihet deri te krijimi dhe funksionim i bursës së mallrave bujqësore është rrugë e gjatë, e cila kërkon zgjidhjen e disa problemeve madhore, që lidhen me pronësinë mbi tokën, hartimin e politikave konkrete qeveritare për sigurimin e mbështetjes fillestare institucionale dhe financiare të disa strukturave dhe hallkave vitale, që mundësojnë mirëfunksionimin e zinxhirit të prodhimit të integruar të mallrave bujqësore në vend.”

Sektori i bujqësisë në Shqipëri vijon të mbetet peng i politikave të parealizuara, burokracive dhe pengesave institucionale.

Nga verifikimi i Faktoje rezulton se premtimi për krijimin e Bursës së Parë Shqiptare për Prodhimin Bujqësor, edhe pse i ripërsëritur përgjatë mandatit të fundit qeverisës, nuk është zhvilluar në asnjë fazë të mëtejshme. Ky premtim do të kategorizohet nga Faktoje si një premtim i pambajtur.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img