BallinaUncategorizedTë pabaza provat e mjekut italian Petrella për dëmin që shkaktojnë vaksinat

Të pabaza provat e mjekut italian Petrella për dëmin që shkaktojnë vaksinat

Vaksinat janë të sigurta dhe shpëtojnë miliona jetë çdo vit dhe kjo është e konfirmuar në studime të ndryshme të kryera nga organizmat e rëndësishëm shëndetësor në botë.

Postime të shpërndara në rrjetet sociale pretendojnë se të gjitha vaksinat janë të dëmshme, sidomos ato të Covid-19.

E verteta mbi vaxinat, asnje vaxin nuk eshte per te miren tone, aq me teper vaxina e kovidit..”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Publikimi shoqërohet me një video, ku dëgjohet duke folur në italisht mjeku Roberto Petrella, i cili flet për “shkatërrimin” që sipas tij vjen si pasojë e vaksinave.

“Duan vetëm të shkatërrojnë të ardhmen e brezit tonë, të fëmijëve tanë dhe në çfarë mënyre? Duke na shkatërruar trurin”-dëgjohet të thotë ndër të tjera ai në video.

Por, fillimisht ne kërkuam, kush është ky mjek? Sipas raportimevemediat italiane, Petrella është një gjinekolog i dalë në pension, i njohur për kundërshtimin e tij ndaj vaksinave të Human Papillomavirus (HPV).

Sipas raportimeve në mediat ndërkombëtare, mjeku italian njihet edhe për përhapje të lajmeve të rreme për sa i përket vaksinave.

Në vitin 2020, ai shpërndau një video që u bë virale në lidhje me disa pretendime të pavërtetuara mbi vaksinat e Covid-19. Mirëpo, sipas verifikimeve të bëra nga kolegët e AFP, nuk kishte asnjë dëshmi të rreziqeve shëndetësore nga vaksinat e COVID-19, të ekzaminuara në provat klinike si vaksina Oxford/AstraZeneca.

A na mbrojnë vaksinat?

Në një sërë intervistash, specialistë të shëndetit kanë treguar rëndësinë që kanë vaksinat për fëmijët. Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino ka theksuar se vaksinat kanë shpëtuar miliona jetë, ndryshe nga çfarë pretendohet nga mbështetës të teorive konspirative.

“Vaksinat kanë shpëtuar miliona jetë. Mjekët nuk janë kriminelë, shoqatat dhe institucionet nuk do t’i mbështesnin ato dhe nuk do të mund të shiteshin. Vaksinat që ne përdorim janë të sigurta. Në fakt ato janë më shumë se të sigurta, ato shpëtojnë jetë. Prindërit mund të dinë më të mirën, ndaj dhe për këtë arsye duhet të kuptojnë që vaksinat shpëtojnë jetë”-ka argumentuar ekspertja e ISHP=së.

Gjithashtu Bino ka sqaruar herë pas here se vaksinat nuk shkaktojnë autizëm.

“Një milion herë jo. Rishikimi i 12 mijë artikujve shkencorë e ka hedhur poshtë këtë”-është shprehur ajo.

Ndër të tjera, doktoreshë Silva Bino ka treguar gjithashtu se janë mijëra studime që tregojnë se vaksinat nuk shkaktojnë sterilitet dhe infertilitet.

Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) ka konfirmuar se vaksinat janë të sigurta dhe të kontrolluara nga organizmat e rëndësishëm shëndetësor në botë. Gjithashtu, CDC ka konfirmuar se përbërësit e vaksinës nuk shkaktojnë autizëm.

Edhe në një artikull të verifikuar nga kolegët e “Vërtetëmatës” tregohet se vaksinimi ndihmon në kontrollin e më shumë se 20 sëmundjeve si tuberkulozi, difteria, poliomieliti, fruthi, shytat e shumë të tjera, të cilat pa vaksina do të ishin vdekjeprurëse për shumë njerëz në mbarë botën.

Të dhënat nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tregojnë se vaksinimi parandalon dy deri në tre milionë vdekje nga sëmundjet në mbarë botën çdo vit.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img