Mario Braka
Para, gjatë dhe pas zgjedhjeve Parlamentare të 23 qershorit 2013, Edi Rama, aktualisht Kryeministër në mandatin e tretë, u zotua se anëtarësimi i plotë i vendit në Bashkimin Europian do të kryhej brenda 8 viteve. Teksa ky afat ka kaluar, jo vetëm që procesi nuk është përmbyllur, por vendi mbetet në pritje të Konferencës së Parë Ndërqeveritare, që do të shënonte çeljen formale të negociatave. Me kalimin e viteve dhe kostot që mbart ky proces i zvarritur, rriten edhe skepticizmat për realizimin e “ëndrrës europiane” për Shqipërinë.
————————————
“Ribashkim me Europën. Rikthim në familjen europiane të cilës i përkasim”. Ishte ky slogani që shoqëronte ofertën politike ndaj shqiptarëve të Partisë Socialiste në vitin 2013. Për të treguar seriozitetin e nevojshëm në angazhimin e marrë, integrimit europian iu kushtua një kapitull i tërë në programin e Aleancës për Shqipërinë Europiane.
Anëtarësim në BE brenda 8 viteve
Ky zotim, sipas edhe dokumentit të publikuar në faqen e Partisë Socialiste, do të kryhej brenda dy mandateve qeverisëse.
“Një objektiv madhor: Anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda harkut të dy mandateve qeverisëse, ku të bashkuar në emër të shumicës së shqiptarëve dhe me dorën e bashkëpunimit të shtrirë ndaj përfaqësuesve të pakicës në emër të Shqipërisë Europiane, do t’i shërbejmë besnikërisht popullit shqiptar”, – theksohej në të ashtuquajturën, “Karta e parimeve të bashkimit PS – LSI”.
Integrimi në BE si përparësi kombëtare
Pas fitores në zgjedhjet Parlamentare të vitit 2013, tre muaj më pas, në të parën fjalë si Kryeministër, Edi Rama foli në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku konfirmoi angazhimin për të punuar për “ëndrrën europiane”.
“OKB është një ndër institucionet më të fuqishme në botë, por për ne e rëndësishme është edhe BE-ja. Jemi të vendosur për të bërë ndryshimet e duhura për t’u anëtarësuar në BE”, – tha Rama në shtator 2013.
Çfarë ndodhi me anëtarësimi në BE në dy mandatet e socialistëve?
Në qershorin e vitit 2014, Shqipëria mori statusin e vendit kandidat. Dy vite më pas, më 9 nëntor 2016, Komisioni i propozoi për herë të parë Këshillit fillimin e negociatave të anëtarësimit. Më 26 qershor 2018, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së pranoi t’i përgjigjet pozitivisht progresit të bërë dhe të përcaktojë rrugën drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit në qershor 2019.
Më 25 mars 2020, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me Republikën e Shqipërisë ndërsa një ditë më pas, më 26 mars, Këshilli Evropian miratoi vendimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së për hapjen e negociatave.
Vite të çuara dëm për ngritjen e strukturave
Një raport auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i titulluar, “Efektiviteti i koordinimit ndërinstitucional në kuadër tё procesit tё integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, për periudhën 2016- 2019” tregon se aktet nënligjore që duhet të ishin miratuar me kohë në funksion të proceseve përafruese kanë marrë 12 vite.
“Pavarësisht se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së, ka hyrë në fuqi në vitin e largët 2006, si dhe zbatimi i Acquis të BE-së në Shqipëri, mbështetet tek bashkitë e vendit në një masën 70 për qind, Qeverive shqiptare iu deshën plot 12 vite, për hartimin e akteve ligjore që mundësojnë ngritjen e njësive, që mbështesin proceset integruese pranë Njësive të Qeverisjes Vendore” – thuhet në raport.
Për politologun Altin Gjeta, plani i qeverisë për integrimin në BE mbetet peng i vullnetit politik.
“Është e vërtetë se procesi është thellësisht teknik, por vullneti politik mbetet thelbësor për implementimin e reformave themelore, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Qeveritë (shpesh edhe opozita) nuk janë të interesuara të forcojnë shtetin e së drejtës sepse rrezikojnë pushtetin dhe mund të bëhen target i drejtësisë.” – argumenton Gjeta.
Kushtet e anëtarësimit ende të papërmbushura
Megjithëse kryeministri Edi Rama e kundërshton, Shqipëria ka një dyzinë kushtesh për të vijuar rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Gjykata Kushtetuese ende nuk ka arritur të konsituohet plotësisht me anëtarë. Gjykata e Lartë gjithashtu. Nga 19 anëtarë që duhet të ketë, ky institucion ka aktualisht vetëm 11 të tillë.
Reforma në Drejtësi gjithashtu nuk përmbushi të gjitha pritshmëritë. Kuvendi miratoi me shumicë votash ndryshimet në Kushtetutë që parashikojnë zgjatjen e afateve për organet e vetingut në drejtësi me 36 muaj në seancën e 10 shkurtit të këtij viti. Nga analiza e bërë në Këshillin Legjislativ, nga viti 2018 deri në fund të 2021 organet e vetingut kanë arritur të rivlerësojnë një pjesë të madhe të dosjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por ende mbetet në proces ose pa nisur 1/3 e tyre.
Kërkesat e për azil të shtetasve shqiptarë në vendet e BE-së vijojnë të mbeten në shifra të larta. Sipas raportit të Agjencisë Evropiane për Azilin (EASO) Shqipëria vazhdoi të ishte mes dhjetë vendeve me numrin më të madh të azilkërkuesve në Evropë gjatë vitit 2021.
Rishikimi i ligjit të kosnideruar “Anti-shpifje”, është një tjetër kërkesë e BE-së, e cila për momentin “ka ngrirë”.
Miratimi i Akteve nënligjore të Ligjit për Pakicat Kombëtare vijon të jetë i paplotë, ndërsa Miratimi i Ligjit (të amenduar) të Censusit vijon të jetë në diskutim, pasi në projekt duhet të përfshihen edhe pakicat kombëtare.
“Shqipëria është larg plotësimit të kritereve për anëtarësim (kriteret e Kopenhagenit) të shpejtë në Bashkimin Europian Megjithëse përgjithësisht ka përafruar legjislacionin me acquis, problem mbetet zbatimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për sa i përket kriterit politik, vendi ka bere regres për sa i përket parimeve demokratike (nga autoritarizmi konkurrues ka rrëshqitur drejt një autoritarizmit të një force politike). Sipas Freedom House Shqiperia ka humbur pikë në indeksin e demokracisë”, – thotë pedagogu Gjeta.
Shqipëria, më dobët se RMV me reformat e integrimit në BE
Pas Kosovës dhe Bosnjës, Shqipëria kishte përgatitjen më të dobët në lidhje me reformat, që duhet të përmbushen për tu integruar në Europë.
Sipas një raporti që bëri Gjykata Europiane e Llogarive (Kontrolli Suprem i Fondeve te BE-së) në rreth 35 çështje kryesore, shihet se vendet në proces anëtarësimi, Shqipëria, Bosnja, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Turqia dhe Kosova kanë rezultate të ndryshme të veprimeve që çojnë në anëtarësim.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në të njëjtin stad të integrimit në BE, por kur krahasohet ecuria në reforma shihet se, ne jemi pas Maqedonisë së Veriu sipas raportit.
Shqipëria nuk është gati për të qenë në BE!?
Ky pohim pranohet edhe nga kreu i qeverisë, ndonëse sipas vetë Ramës, Shqipëria do anëtarësohej në Bashkimin Europian brenda dy mandateve qeverisëse.
“Unë mendoj se anëtarësimi është një fjalë e madhe dhe nëse do të më pyesnin sot a është Shqipëria gati për të qenë pjesë e BE unë do të thoja jo! Nuk jemi gati. Por ajo që nuk kuptoj është shtyrja e fillimit të punës reale për negociatat pasi është marrë vendimi në vitin 2018 për t’i çelur këto negociata”, – pranoi Rama në 6 maj të vitit të shkuar teksa merrte pjesë në Konferencën Vjetore “State of the Union” organizuar nga Instituti i Universitetit Europian me temë “Europa në një botë që po ndryshon”, në Firence.
“Integrimi në vitet e fundit nuk ka qenë përparësi për qeveritë në Shqipëri. Nga fjalë kyçe, pas rënies së regjimit komunist, gjatë dekadës së fundit integrimi europian ka humbur relevancën në diskursin politik dhe publik. Nëse vijon me këtë ritëm reformash, Shqipërisë do t’i duhen edhe 20 vite që të bëhet gati për anëtarësim me të drejta të plota ne BE.” – shprehet politologu Altin Gjeta.
Prej marsit të dy viteve më parë, Shqipëria pret të ulet në Konferencën e Parë Ndërqeveritare, ku edhe do të miratohet korniza negociuese. Kryeministri Edi Rama në shumë dalje publike ka akuzuar Bashkimin Europian se nuk po mban premtimin për realizimin e “ëndrrës europiane”.