BallinaPertejA rrezikojnë të përmbyten tokat bujqësore në Fier nga mos pastrimi i kanaleve kullese?

A rrezikojnë të përmbyten tokat bujqësore në Fier nga mos pastrimi i kanaleve kullese?

VALBONA DAVIDHI

Rroskoveci dhe Fieri janë dy ndër zonat me kultivim më të lartë të tokës bujqësore në Shqipëri. Infrastruktuara kulluese dhe ajo vaditëse, thelbërsore në bujqësi në qarkun e Fierit, fatkeqësisht degjeneroi pas viteve 90’. Sot, sipas të dhënave të bashkive respektive  infrastruktura kulluese është funksionale 80% në Fier dhe rreth 60% në Roskovec. Por fermerët e zonës ende i tremben përmbytjeve si në vitet 2013 dhe 2015 në Fier dhe Rroskovec, ku kanalet kryesore kullues Vjosë-Levan-Fier dhe Rroskovec-Hoxharë u mbushën me ujë duke përmbytur toka dhe shtëpi.

 Rroskoveci

6 vjet më pare kryetarja e bashkisë Rroskoveci Majlinda Bufi, postoi në faqen e saj zyrtare lajmin për pastrimin e kanaleve kullues në fshatrat Suk 1, Suk 2 dhe Arapaj. Kjo pas përmbytjeve masive që përfshinë Fierin ku nuk bëri përjashtim edhe zona e Rroskovecit, pasi kanali kryesor kullues përmbyti afro 100 ha tokë në këtë zonë.

Në vitin 2016 Bufi deklaroi se 19 milion lekë janë vendosur në dispozicion nga bashkia për pastrimin e 9 km kanale kulluese dhe vaditëse dhe instalimit të stacionit të pompave që do të shërbejnë për vaditjen e tokave, pasi ujitja është një ndër elementët më të rëndësishëm për prodhimin bujqësor.

Por sot, banorës vijojnë të ankohen për pjesën e mungesës së sistemit të vaditjes. Skënder Tabaku në fshatin Velmish tregon për Faktoje se si ai dhe bashkëfshatarët e tij për vaditje, kanë hapur puse, ndërsa për kullim as që mendohet ta kenë si shërbim.

Në foto: Qazim Aluni nga fshati Velmish, tetor 2021

“Po të shikosh ne këtu kemi hapur puse për vaditje se nuk ka pikë uji. Ky kanal që shihni ka marrë miliona investim, por ne nuk kemi ujë dhe shihet që është mbuluar nga ferrat’, thote Tabaku per Faktoje.

Kanal parcele i bllokuar, Velmish tetor 2021

Krahas mungesë së ujit gjatë verës, sot këto zona ende vazhdojnë të përmbyten në dimër për shkak të kanaleve te bllokuara dhe kolektorit kryesor Rroskovec-Hoxharë duke shkaktuar dëme në tokat bujqësore. Këtë e pohojnë vetë nënpunësit e bashkisë Rroskovec, të cilët ia faturojnë përgjegjësinë për kolektorin Bordit të kullimit.

Kanal kulles, Velmish 2021

Por nëse pastrimi i kolektorit të Rroskovecit ështe përgjegjësi e Bordit të Kullimit, bashkia nga ana e saj ka lënë pa pastruar kanalet e para dhe të dyta që janë përgjegjesi e saj.

Në përgjigje e kërkesës për informacion të dërguar nga bashkia Rroskovec, nuk sqaron sa kilometra kanale ka pastruar, por ‘kujdeset’ të thotë se kanalet e treta janë papastruar, sepse janë përgjegjësi e fermerëve.

Përgjigjie e bashkisë Rroskovec

Vetë fermrët pranojnë se në një sistem që është bllokuar prej vitesh nga mbetjet, nuk kanë as mjetet as kapacitetin e duhur për të pastruar kanalet e parcelave. Por edhe nëse do ta bënin, mundi do të shkonte dëm sepse nëse nuk pastrohet rrjeti në tërësi ai nuk do të funksionojë, si për kullim ashtu edhe për vaditje.

‘Ne nuk mund t’i pastrojmë vetë kanalet, sepse kjo nuk është punë që bëhet nga një apo dy individë.  Ja e pastrova unë, por s’e bëri dhe tjetri është e kotë. Pastaj pse na i merr bashkia taksat për tokën dhe vaditjen , kur nuk na jep shërbimin?”, -thotë për Faktoje, Qazim Aluni fermer.

‘Sistemi vaditës në Rroskovec funksiononte nëpërmjet pompave duke e marrë ujin nga Semani dhe duke e çuar në Kenetën e Matkës e me pas në rezervuarin e Kurjanit. Prej aty uji arrinte në 20 mijë ha tokë. Por, sot ky sistem nuk funksionon, sepse pompat nuk vihen në punë ”,- thotë Adrian Rama specialist bujqësie.

Ndërsa ai mendon se për kullimin është e vështirë që fermerët të kujdesen vetë, pasi këte nuk mund ta bëjë dot as bashkia.

“Kanalet e ashtuquajtura të para,  të dyta dhe të treta ështe e vështirë të jenë funksionalë pasi duhen pastruar gjithmonë”, thotë Rama

Në Rroskovec ndërkohë, bujqësia e serave ka marrë zhvillim vitet e fundit duke arritur një sipërfaqje prej 200 ha. Zonat ku po kultivohen perime në masë janë Suk, Strum, Kuman dhe Arapaj, por fermerët kanë bërë gjithçka vetë deri te rrugët që çojnë në parcela.

Kanal kullues i bllokuar, Velmish 2021

‘Ne këtu jemi disi në kodër, por prapë kur bie shi nuk shkojmë dot te parcela nga uji dhe balta. As rrugë nuk kemi për te parcela. Më keq e kanë ata të Sukut dhe Arapajt që janë në fushë dhe i mbyt kolektori në dimër’, thotë fermeri Qazim Aluni.

 Fieri

Përmbytjet nga kanalet kullues nuk janë ndalur në Fier megjithëse fondi i investimit për pasterimin e rrjetit kap vlerën e 106.666.836 lekëve nga viti 2015 e deri tani, sipas sikurse konfirmon drejtoria e Kullimit dhe ujitjes per Faktoje

Sipas bashkisë, me këto para bashkia e Fierit ka pastruar mbi 80 % të sistemit kullues dhe vetëm gjysmën e atij vaditës.

Përgjigja e bashkisë Fier

Në përgjigjen me shkrim për Faktoje, bashkia e Fierit sqaroi se  sipërfaqja bujqësore e mbuluar me rrjet funksional kullimi është 35.437 nga 39.612 ha që përshkohen gjithsej nga rrjeti kullues. Ndërsa sipërfaqje te mbuluar me rrjet ujitës Fieri ka 15.795 nga 33.796 ha. Pothuajse gjysma e sitemit ujitës mbetet jo funksional. Bashkia e shpjegon ketë me daljen jashtë funksionit të 21 skemave ujitëse për shkak të mungesës së burimeve ujore dhe stacioneve të pompimit.

Por ndryshe nga bashkia e Rroskovecit, bashkia e Fierit po pastron edhe kanalet e parcelave duke pranuar se kjo është një punë që fermerët nuk mund ta bëjnë vetë.

‘Nëse nuk e bënim ne, fermerët nuk mund ta bënin vetë’, tha kryebashkiaku Subashi për Faktoje.

“Këto kanale kishin 30 vjet pa u pastruar. Eshtë bërë një punë e madhe dhe na ka lehtësuar”, tha Josif Cuni, fermer nga Fieri për Faktoje.

Kanal kullues Libofshe, në proces pastrimi

Tani që dimri është në prag, fermerët në Fier dhe Roskovec jo vetëm që nuk marrin shërbimin e kullimit të tokës, por i druhen përmbytjeve që mund të shkaktojnë kanalet kulluese funksioni i të cilëve është të kullojë dhe thajë tokën  e jo ta përmbytë atë.

“Duhet të kullojë toka, përndryshe përmbytemi në dimër’, tha Kosta Simoni nga fshatin Topojë për Faktoje

Në qarkun e Fierit kultivohen 92 mijë ha me drithëra, 12 mijë ha ullishta dhe 7000 ha me perime. Zonat me kultivim më të lartë të tokës bujqësore janë Divjaka në Lushnje, Suk, Struk dhe Arapaj në Rroskovec, Libofsha dhë Frakulla në Fier.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img