.

.

BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëIshull Shëngjini, fshati në pritje të ndriçimit të premtuar

Ishull Shëngjini, fshati në pritje të ndriçimit të premtuar

Ishull Shëngjini është një fshat i vogël në Njësinë Administrative Shëngjin, Bashkia Lezhë. Fshati turistik ndodhet vetëm 1.2 km larg qytetit të Lezhës. Një vend i qetë, por që gjatë natës mbetet pothuajse i errët për banorët e tij.

Në prill të vitit 2025, kryebashkiaku Pjerin Ndreu premtoi investime në ndriçimin rural.

“Do të shtrihemi në zona të thella rurale me ndriçim ku Ishull Shëngjini do të jetë ndër pikat kryesore të zbatimit të këtij projekti,” premtoi Ndreu, duke theksuar se projekti është pjesë e financimeve të Bashkimit Evropian. 

Megjithatë, disa muaj më vonë, banorët e Ishull Shëngjinit thonë se situata mbetet e vështirë. Gjatë verifikimit që Faktoje bëri më 14 tetor, ata shpjeguan se mungesa e ndriçimit e bën natën të rrezikshme.

“Nata është e rrezikshme sepse kalojnë makinat në rrugë dhe nuk dallohet gjë,” shprehet një banor. 

“Shumë keq është situata me ndriçimin,” shton një tjetër.

Vëzhgimi i Faktoje në terren tregoi se vetëm rruga kryesore, që shkon drejt hyrjes së fshatit kishte disa shtylla ndriçimi. 

Në të gjitha rrugët e tjera të fshatit, shtyllat ishin por mungonin llambat. Në vend të tyre kishte tela si rrjeta merimangash. 

Plani i bashkisë

Në përgjigje zyrtare për Faktoje.al, Bashkia Lezhë njoftoi se aktualisht nuk ka një projekt konkret për ndriçimin publik në Ishull Shëngjin.

Megjithatë, ajo ka aplikuar dhe fituar projektin ProLIGHTmed, pjesë e Programit Interreg Euro-MED 2021-2027. Ky program, nën prioritetin “Më i Gjelbër MED”, synon të rrisë efikasitetin e energjisë dhe të përmirësojë ndriçimin publik në zonat rurale, duke nxitur hapësira më të gjelbra dhe më të sigurta për jetesën.

Plani i Bashkisë parashikon që gjatë viteve 2025 dhe 2026 të bëhen ndërhyrje në sistemin e ndriçimit në zonat me problematika, me fokus të veçantë në fshatrat rurale. Ishull Shëngjini është një nga pikat kyçe ku pritet të bëhen përmirësime konkrete.

Përfundim

Projekti për ndriçimin publik në Ishull Shëngjin është planifikuar dhe financimi është i siguruar, por deri në realizimin e ndërhyrjeve konkrete, banorët vazhdojnë të jetojnë në një fshat ku nata ende mbetet e errët. Premtimi i kryebashkiakut Pjerin Ndreu për investime në ndriçimin e Ishull Shëngjinit konsiderohet pjesërisht i mbajtur.

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Esmeralda Topi është redaktore pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img