Pretendimi: Kjo video tregon diktatorin koreanoverior Kim Jong Un, i cili largohet nga spitali duke falenderuar mjekët në tetor 2026, pasi u përfol se ai kishte vdekur.
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————————–
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon diktatorin koreanoverior Kim Jong Un i cili largohet nga spitali duke falenderuar mjekët, pasi u përfol se ai kishte vdekur në tetor 2026.

Eshtë e vërtetë se video e mësipërme tregon Kim Jong Un duke takuar mjekë. Megjithatë, ai nuk po i falenderon për pëkujdesjen ndaj tij pasi doli nga spitali në tetor 2026.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se pamjet e mësipërme janë botuar në rrjet 4 vite më parë, në gusht 2022.
Sipas mediave ndërkombëtare, në pamjet e dhëna nga qeveria e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, shtrëngon duart me zyrtarë shëndetësorë në Phenian, më 10 gusht 2022. Në atë kohë, Kim shpalli fitoren ndaj COVID-19 dhe urdhëroi lehtësimin e masave parandaluese në Korenë e Veriut.

Video është postuar në tetor 2026 në Youtube, shoqëruar me përshkrimin: “Kim Jong Un u takua me punonjës dhe shkencëtarë në fushat e kontrollit të sëmundjeve dhe shëndetit publik, duke i shtrënguar dorën secilit prej tyre mes duartrokitjeve të vazhdueshme. Kjo video 58-sekondëshe përmban audion origjinale dhe narracionin televiziv, me titra në gjuhën kineze dhe koreane. 📅 Pamje arkivore: Gusht 2022”
Sa i përket thashethemeve mbi vdekjen e diktatorit, vetëm disa orë pasi një disident kinez që jeton në SHBA pretendoi, pa prova, se Kim ishte dërguar në një spital në Pekin në gjendje kome dhe kishte vdekur, ai u shfaq në mediat koreanoveriore në gjendje në dukje të mirë shëndetësore.

Mediat shtetërore të Koresë së Veriut publikuan foto të Kim Jong Un, pak pasi në internet filluan të qarkullonin thashetheme për vdekjen e tij.






