IFCN dënon sulmet e koordinuara ndaj Faktoje në Shqipëri

Nga Rrjeti Ndërkombëtar i Verifikimit të Fakteve (IFCN)

22

Rrjeti Ndërkombëtar i Verifikimit të Fakteve dënon me forcë sulmet e fundit ndaj integritetit të organizatës së verifikimit të fakteve Faktoje në Shqipëri. Faktoje është organizatë e respektuar, me rezultate të qëndrueshme dhe, vepron brenda të gjitha standardeve të transparencës, pavarësisë dhe saktësisë që kërkon Kodi i Parimeve i IFCN-së.

Media të tjera po e përdorin transparencën e Faktoje-s lidhur me financimin për ta sulmuar atë dhe drejtoren e saj, Klodiana Kapo. Kjo fushatë e koordinuar synon të cenojë ndikimin e punës së rëndësishme të Faktoje-s.

Sulmet shfrytëzojnë informacionin financiar që organizata e publikon vullnetarisht, por duke e nxjerrë nga konteksti dhe duke e keqpërdorur atë.

Duke u bazuar në të dhënat financiare të publikuara sipas rregullave të transparencës së Kodit të Parimeve të IFCN-së, sulmet kanë paraqitur transaksione të zakonshme dhe të ligjshme si diçka të dyshimtë. Blerja e një hapësire zyrash u paraqit si blerje apartamentesh me pronësi të paqartë; financimi normal ndërkombëtar për aktivitete trajnimi u përshkrua si ndikim i huaj i rrezikshëm; dhe politika e matur e mbajtjes së fondeve rezervë për raste emergjence u cilësua si fond i dyshimtë i fshehtë.

Nuk është hera e parë që IFCN-ja sheh organizata të verifikimit të fakteve të sulmohen me informacion që verifikuesit e shpallin sipas standardeve të transparencës të vendosura nga vetë kodi i tyre i parimeve, për të nxitur llogaridhënien dhe për të rritur besimin. Shpesh, sulmuesit nuk arrijnë të përmbushin të njëjtin standard transparence për veprimtarinë e tyre.

Faktoje beson se sulmet lidhen drejtpërdrejt me aktivitetin e saj të verifikimit të fakteve në kuadër të partneritetit me Meta-n, në kontekstin e punës së fundit për mbulimin e protestave në vazhdim dhe çmontimin e narrativave mashtruese që synojnë protestuesit.

Faktoje është anëtare e respektuar e komunitetit ndërkombëtar të verifikimit të fakteve. Si nënshkruese e Kodit të Parimeve të IFCN-së që nga viti 2020, Faktoje plotëson standardet globale të transparencës, pavarësisë dhe jopartizanizmit. Puna e saj i kërkon llogari pushtetit dhe siguron që qytetarët të kenë qasje në informacion të verifikuar dhe të besueshëm. Gazetaria e pavarur duhet të mund të funksionojë pa frikën e ngacmimit.