Nga Jona Cenameri
Tre vjet pasi kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, premtoi rindërtimin në të njëjtin vend të pallateve të dëmtuara rëndë nga tërmeti në lagjen nr. 5, procesi vijon shumë ngadalë.
Premtimi
Në maj 2023, gjatë një takimi me banorët e njësisë administrative nr. 3, Emiriana Sako u angazhua publikisht që pallatet me nivel dëmi DS5 në lagjen nr. 5 të rindërtoheshin në të njëjtin vend.

“Në takim me banorët e njësisë nr. 3 ku u angazhuam që pallatet DS5 të lagjes nr. 5 të rindërtohen në të njëjtin vend”, shkroi Sako më 8 maj 2023.
Në atë kohë, Bashkia Durrës informonte Faktoje se në zonë ishin 9 pallate të klasifikuara DS5 dhe se vetëm 1 prej tyre ishte rindërtuar.
Çfarë ka ndryshuar në 2026
Këtë vit, Bashkia Durrës konfirmon nisjen e rindërtimit të godinës nr. 32, “Fakle”, në rrugën “Teodor Rupi”.




“Me buxhetin e Bashkisë Durrës është parashikuar rindërtimi i godinës nr. 32, ‘Fakle’, rruga ‘Teodor Rupi’, i ndodhur në njësinë administrative nr. 3 Durrës, objekt i cili është në fazë rindërtimi”, thuhet në përgjigjen për Faktoje.
Tabela e kantierit, e fotografuar nga Faktoje në shtator, konfirmon se objekti është “Rindërtimi i Godinës Nr. 32, ‘Fakle’, Rruga ‘Teodor Rupi’”. Leja e ndërtimit mban datën 15 prill 2026, ndërsa në tabelë shënohet nisja e punimeve më 15 maj 2026.
Bashkia bën të ditur gjithashtu se deri tani është rindërtuar vetëm pallati nr. 30 në rrugën “Hysen Myshketa”, ku janë strehuar 32 familje.



Në përgjigjen e vitit 2026, Bashkia liston 7 godina të mbetura në rrugët “Kadri Pirro”, “Hysen Myshketa”, “Edit Durham”, “Stefan Dhima”, “Teodor Rupi” dhe “Hysen Kërtusha”.
Verifikimi në terren, shtator 2026
Në terren, ndryshimi më i dukshëm ishte pikërisht godina nr. 32 në rrugën “Teodor Rupi”.
Pallati ishte rrethuar dhe kishte hyrë në proces ndërhyrjeje, ndryshe nga verifikimi i mëparshëm kur ende qëndronte i dëmtuar dhe përdorej nga persona të zonës.
Por vetëm pak metra më tej, tabloja mbetej e njohur. Banorët i identifikonin menjëherë pallatet e dëmtuara nga tërmeti, të cilat vazhdojnë të qëndrojnë prej vitesh mes ndërtesave të banuara. Disa janë boshatisur, por janë kthyer në gërmadha me mbeturina dhe grafite.
Në njërin prej objekteve, Faktoje konstatoi edhe grumbullim uji në katin nëntokësor. Në një tjetër pallat të dëmtuar vazhdonin të jetonin familje.


























Tre vite rindërtim i ngadaltë
Verifikimet e Faktoje në vitet 2023, 2024 dhe 2025 treguan pak ndryshim në terren.
Në 2023 kishte përfunduar vetëm pallati nr. 30 në rrugën “Hysen Myshketa”, por familjet prisnin ende të hynin në banesa. Në 2024, pallatet e tjera nuk ishin shembur dhe Bashkia deklaronte se priste financim për vazhdimin e procesit.
Edhe në tetor 2025, Faktoje gjeti godina të dëmtuara që qëndronin si gërmadha mes blloqeve të banimit. Në disa prej tyre kishte mbeturina, çarje të dukshme dhe ambiente të braktisura, ndërsa banorët ngrinin shqetësime edhe për sigurinë e tyre.
Në atë kohë, Bashkia konfirmonte se vetëm 1 pallat ishte rindërtuar, 1 tjetër ishte shembur dhe 7 të tjerë ishin në proces ekspertize për shembje.
Zvarritja e rindërtimit është shoqëruar edhe me ndërprerje të bonusit të qirasë.
Në vitin 2024, Bashkia Durrës konfirmonte se financimi nga Ministria e Financave ishte ndërprerë që prej marsit 2023 dhe se Bashkia nuk kishte mundësi buxhetore për ta vijuar.
Përfundimi
Tre vjet pas premtimit të Emiriana Sakos për rindërtimin e pallateve DS5 të lagjes nr. 5 në të njëjtin vend, procesi mbetet i papërfunduar.
Vetëm 1 pallat është rindërtuar dhe banuar, 1 tjetër është tashmë në rindërtim, ndërsa 6 godina të tjera të dëmtuara vazhdojnë të qëndrojnë në lagje.
Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.






