E gjeneruar kjo shfaqje e Albin Kurtit në protestat në Tiranë

7

Pretendimi: Ky imazh tregon një kronikë të vërtetë lajmesh që raporton se kryeministri kosovar Albin Kurti u ishte bashkuar protestave në Shqipëri

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

——————————————————————————–

Një imazh që ka marrë mbi një mijë pëlqime në Facebook duket si një kronikë e vërtetë lajmesh në televizionin shqiptar TV Klan që raporton se kryeministri kosovar Albin Kurti u ishte bashkuar protestave studentore në Shqipëri.

Megjithatë, as imazhi i mësipërm, as lajmi që ai përcjell, nuk janë të vërtetë.

Me një kërkim në faqen e TV Klan me fjalët kyç “Albin Kurti” nuk gjendet ndonjë lajm apo kronikë që raporton mbi bashkimin e kryeministrit kosovar me protestat studentore në Shqipëri.

Përkundrazi, një artikull i 31 tetorit 2026 raporton se Kurti ka mohuar që partia e tij ka pasur ndonjë rol në organizimin apo nxitjen e protestave në Shqipëri.

“Kam parë me habi se si zëra të ndryshëm janë përpjekur t’ia faturojnë edhe Vetëvendosjes këto protesta, por ne sot jemi forcë qeverisëse dhe jo forcë protestuese, e edhe kur kemi qenë forcë protestuese, protestave u kemi dalë në ballë vetë dhe kurrë nuk kemi ndenjur anonimë. Nuk e kemi vlerësuar kurrë si të denjë taktikën e ‘hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës’ dhe i kemi ndenjur larg instrumentalizimeve, as nuk kemi pranuar të na instrumentalizojë kush, as nuk kemi instrumentalizuar të tjerët,” citohet të ketë thënë kryemnistri i Kosovës. 

Mbi përplasjet gjatë protestave, ai tha se “nuk mjafton të përcaktohen vetëm përgjegjësit penalë të dhunës. Duhet të kuptohen edhe rrënjët e saj, kushtet që e ushqejnë dhe arsyet që i shndërrojnë kundërshtitë në përplasje. Rendi publik dhe liria e protestës duhet të mbrohen njëkohësisht. Një demokraci që humbet besimin e të rinjve e mbyt ripërtëritjen e ndryshimin shoqëror. Ne duam një Shqipëri ku demokracia i mbijeton çdo qeverisje, ku institucionet janë më të forta se forcat e padrejtësisë, ku drejtësia është aksion shoqëror dhe ku liria kombëtare merr kuptim përmes drejtësisë shoqërore.”

Sa i përket imazhit të mësipërm, ai është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike me inteligjencë artificiale (AI).

Kjo konfirmohet edhe nga mjeti zyrtar i verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID. 

Rezultati konfirmoi se fotografia përmban një gjurmë SynthID me origjinë nga OpenAI, çka tregon se imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale.

SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.