Pretendimi: Kjo video tregon pronaren e një dyqani në Francë që u lutet me lot në sy protestuesve të mos i vjedhin dyqanin
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————
Një video që ka qarkulluar gjerësisht në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon pronaren e një dyqani në Francë, që u lutet me lot në sy protestuesve të mos i vjedhin dyqanin. Në disa postime të huaja pretendohet se gruaja është gjithashtu një prej mbështetësve të integrimit të emigrantëve në Evropë, duke u kthyer në një viktimë e tyre.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë.
Video tregon një grua teksa qëndron përpara derës së një dyqani Franprix në Paris dhe ajo dëgjohet të thotë: “Ndal!”, “Pse e bëni këtë?” dhe “Nuk bëhet për këtë kauza!”, ndërsa individë të maskuar e shtyjnë atë për të hyrë në dyqan.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimisht në Instagram nga fotoreporteri i bazuar në Paris, Frederic Munsch, më 17 tetor.

Në përshkrimin që shoqëron videon nuk pretendohet se gruaja është pronarja e dyqanit. Ai sqaron vetëm se “ndërsa një supermarket “Franprix” po plaçkitet pikërisht para syve të mi dhe të punonjësve të tij të pafuqishëm, një e re përpiqet të ndërhyjë dhe t’i ndalojë të rinjtë që po e zbrazin dyqanin. E pafuqishme, reagimi i saj është zemërthyes; ajo vepron instinktivisht, duke bërtitur se një gjë e tillë bie ndesh me kauzën dhe kërkesat e gjimnazistëve.”
Franprix është një zinxhir dyqanesh të vogla dhe pjesë e grupit francez të supermarketeve Plesio, në pronësi të miliarderit çek Daniel Kretinsky.
Sipas faqes së internetit të Plesio, në Francë ndodhen më shumë se një mijë dyqane Franprix.
Departamenti i komunikimit i Plesio tha për Reuters se dyqani që shfaqet në video, i cili ndodhet në Rue du Faubourg du Temple, është në pronësi dhe nën menaxhimin e vetë kompanisë. Gruaja në fjalë nuk është punonjëse e dyqanit, tha Plesio.
Ndërsa Munsch i tha Reuters se e kishte filmuar videon më 17 tetor, rreth orës 17:30 me orën lokale. Ai u shpreh se nuk e njihte personalisht gruan, ndonëse besonte se ajo thjesht po kalonte aty pranë.
Protestat kundër kostos së lartë të jetesës, që u zhvilluan atë ditë në Place de la République në Paris, si dhe në qytete të tjera franceze, përshkallëzuan në trazira dhe grabitje, duke u shndërruar më pas në disa nga trazirat urbane më të rënda që ka përjetuar vendi në vitet e fundit.






