BallinaProjekteLufta kundër dizinformimit dhe zhvillimi i medias në Shqipëri6 vjet pas premtimit për biletën elektronike, transporti urban në Tiranë nuk përmbush kushtet bazike

6 vjet pas premtimit për biletën elektronike, transporti urban në Tiranë nuk përmbush kushtet bazike

Bileta elektronike nuk është përfshirë ende në transportin urban në kryeqytet, ndonëse kjo është premtuar 6 vite më parë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në lidhje me këtë çështje, përfaqësuesit e shoqatës së transportit urban shprehen se është e vështirë futja e biletës elektronike, pasi nuk kanë gati infrastrukturën. Nga ana tjetër, qytetarët e cilësojnë si absurd këtë projekt, në një kohë kur transporti publik nuk ofron ende kushtet bazike për funksionimin e tij.

———————————————————————————————

“Brenda këtij viti do të fusim biletën elektronike, e cila do të zgjidhë përfundimisht disa ngërçe të vogla që kemi”, premtoi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj në vitin 2016.

Një vit më vonë, kryetari i Bashkisë premtoi sërish futjen e biletës elektronike në transportin publik.

Mirëpo, në çfarë faze është përfshirja e biletës eletronike në transportin publik në kryeqytet, kur kanë kaluar 6 vite nga zotimi i kryebashkiakut Veliaj? Në lidhje me këtë çështje, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Tiranë, 2 dhjetor 2022

Në përgjigjen zyrtare, Bashkia e Tiranës bën të ditur se wshtw nw fazw studimi tw projektit.

“Në përgjigje të shkresës së sipërcituar në lidhje me biletimin elektronik ju bëjmë me dije se aktualisht Bashkia Tiranë po bën studimin tekniko-ekonomik të projektit të biletimit elektronik, i cili me përfundimin e procesit do të bëhet publik”, argumenton bashkia.

Dashnor Memaj, kreu i Shoqatës së Transportit Publik thotë për Faktoje se transporti ynë publik nuk e ka infrastrukturën e nevojshme për të realizuar futjen e biletës elektronike.

“Bileta elektronike nuk do jetë funksionale për transportin urban, por as në ndërqytetasin, sepse nuk janë gati në infrastrukturë. Na kanë thënë që brenda vitit 2023 për transportin ndërqytetas do ketë bileta elektonike funksionale, se tani nuk e kanë mendjen te ne, por te festat dhe më vonë te fushata, pastaj do merren me transportin”, shprehet ai.

Madje, zoti Mema sqaron se ende nuk u është dhënë as subvencioni, duke përdorur si argument faktin se nafta është ulur në nivelin e 200 lekëve për litër.

“Në fakt as nuk e kanë diskutuar më subvencionin, sepse është ndërprerë që në fund të tetorit dhe s’e kanë marrë mundimin të na japin ndonjë sqarim apo diskutim. I kemi kërkuar për takime për të parë se çfarë po bëhet, por u mjaftuan që nafta është në çmim rreth 200 lekë për litër dhe u duket normale”, sqaron kreu i Shoqatës së Tranportit Publik.

Transporti publik me probleme jetike

Faktoje bëri një verifikim të gjendjes së transportit publik më 16 dhjetor, për të parë si janë kushtet e ofruara për qytetarët. Në zonën përballë ‘Pallatit të Sportit’ në Tiranë, me dhjetëra qytetarë prisnin prej më shumë se gjysmë ore që të arrinin të hipnin në autobusë.

Zona përballë “Pallatit të Sportit”, 16 dhjetor 2022

“Kam një orë që dua të futem në autobus, por nuk po arrij dot. Unë jam grua në moshë, nuk shtyj dot që të futem e para. Shihni njerëzit, mezi mbahen nëpër dyer vetëm që të hipin se kanë punë e halle”, thotë një 65-vjeçare.

Zona përballë “Pallatit të Sportit”, 16 dhjetor 2022

Të tjerë qyetetarë shprehen se edhe nëse arrin të futesh në autobusë, te merret fryma nga mbingarkesa dhe mungesa e sistemit të ajrimit.

“Njerëzve po u bie të fikët këtu brenda. Dje i ra të fikët një goce të re në autobus. Nuk kanë faj, sepse aty mbytesh nga mungesa e ajrit dhe njerëzve që të shtypin”, thotë një 17-vjeçar.

Zona përballë “Pallatit të Sportit”, 16 dhjetor 2022

Për qytetarët, futja e bietës elektronike cilësohet si absurde, në një kohë kur transporti publik nuk ofron kushtet bazike për funksionimin e tij. Ata kërkojnë që të shtohet numri i autobusëve në orët e pikut të lëvizjes, si dhe të përmirësohen kushtet.

Zona përballë “Pallatit të Sportit”, 16 dhjetor 2022

Në muajin nëntor Faktoje raportoi se teksa shoqëritë e transportit po përballeshin me vështirësi financiare, qytetarët ndeshen me një shërbim shumë larg standardeve. Oraret nuk respektohen, numri i autobusëve është i vogël në raport me numrin e qytetarëve, të cilët për të kapur oraret e punës detyrohen të udhëtojnë në autobusë të tejmbushur.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img