BallinaProjekteLufta kundër dizinformimit dhe zhvillimi i medias në Shqipëri80 lekë bileta nëse shteti nuk subvencionon; Paralajmërimi i tretë i operatorëve brenda këtij viti

80 lekë bileta nëse shteti nuk subvencionon; Paralajmërimi i tretë i operatorëve brenda këtij viti

Operatorët e transportit publik, për të tretën herë brenda viti kanë deklaruar se do të dyfishojnë çmimin e biletës, nëse nuk jepet subvencion nga qeveria. Por, ndërsa shoqëritë e transportit përballen me vështirësi financiare, qytetarët ndeshen me një shërbim shumë larg standarteve normale. Oraret nuk respektohen, numri i autobusëve është i vogël në raport me numrin e qytetarëve, të cilët për të kapur oraret e punës detyrohen të udhëtojnë në autobusë të tejmbushur. Faktoje bisedoi me kreun e shoqatës së Transportit, i cili deklaroi se operatorët janë në kushte mbijetese dhe kërkojnë një subvencion afatgjatë nga qeveria për të mos rritur çmimin e biletës.

——————————————————————————-

Në mars të këtij viti, ministrja e Infrasktrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi përfaqësuesit e transportit urban për subvencionin prej 100 lekë për litër naftë, duke u kërkuar edhe rritjen e cilësisë së shërbimit.

“Që përdoruesit e automjeteve t’i kthehen transportit urban, transporti urban duhet të rrisë cilësinë e tij dhe ju këtë e kuptoni.  Duke filluar nga automjetet që përdoren, duke filluar nga korrektësia dhe ekzaktësia e orareve. Diçka për të cilën qytetarët ankohen dhe vuajnë është që oraret nuk mbahen, nuk janë të sakta ashtu siç deklarohen… Kështu që sipas të gjithë analizave, kemi marrë një vendim për të kompensuar me 100 lekë çdo litër nafte të cilën ju përdorni për transportin tuaj”, deklaroi Balluku.

Por, si është situata me transportin publik, 8 muaj pas këtij “paralajmërimi” të ministres Balluku? Faktoje bisedoi me kreun e shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, zotin Dashnor Memaj mbi cilësinë e shërbimit dhe kushtet në të cilat ata po operojnë aktualisht.

Zoti Memaj tha për Faktoje se që prej nisjes së muajit nëntor nuk kanë marrë subvencion nga qeveria dhe janë në kushte të vështira për të operuar. Ai bëri të ditur se aktualisht çmimin e naftës e marrin me 230 lekë për litër.

“Që nga data 1 nëntor ne jemi pa subvencion, transporti publik nuk ka mbështetje financiare dhe aktualisht e marrim çmimin e naftës me 230 lekë për litër dhe kjo është kosto e jashtëzakonshme për transportin publik.

Të gjitha çmimet, të gjitha kostot operative që mbajnë në këmbë këtë sektor janë rritur me 20-30%, por nafta jep ndikimin më të madh. 50-60% e totalit të kostove vjen nga çmimi i lartë i naftës me të cilin ne ballafaqohemi çdo ditë. Operatorët janë në pamundësi financiare për të pasur një transport efiçent dhe në lartësinë e duhur me mjete dhe kapacitet të plotë.

Aktualisht jemi në pritje të subvencionit dhe po operojnë me mjete të plota, por nëse do zgjasë mungesa e subvencionit operatorët do nxjerrin në rrugë aq mjete sa kanë mundësi ekonomike”, argumentoi zoti Mema.

Ai shtoi se i janë drejtuar me një shkresë Kryeministrisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe nëse nuk do të ketë një reagim nga këto institucione, atëherë janë të detyruar që të rrisin çmimin e biletës në 80 lekë. Ata kërkojnë ndër të tjera heqjen e taksës së qarkullimit dhe rimbursimin për kategoritë që udhëtojnë falas, uljen e pragut të TVSH në shitje dhe subvencion 100 lekë për litër nafte.

“Një ndër opsionet e fundit në këtë sektor është rritja e çmimit të biletës, vetëm nëse ne nuk kemi një dritë jeshile nga organet kompetente. Rritja e çmimit të biletës nuk do të ishte e mirë për qytetarët, do të rëndonte drejtpërdrejt në xhepat e tyre dhe që të mos ndodhë kjo ne kemi kërkuar subvencion ose ndryshimin e taksave që i kemi kërkuar prej kohësh. Çmimi i biletës mund të shkojë 80 lekë, nëse nuk kemi subvencion, nuk kemi mbështetje. Për të pasur një shërbim transporti, për të rinovuar flotën, në bazë të ekspertëve që kemi ne, çmimi i biletës duhet të jetë 70-80 lekë me këto kushte ku jemi sot. Në momentin që do të kemi një neglizhencë dhe mosreagim të institucioneve, normalisht që do të kërkohet”, thotë kreu i shoqatës së Transportit.

Ai shton se një tjetër probematikë është mungesa e punonjësve, pasi nuk kanë mundësi financiare për t’u ofruar paga të kënaqshme.

“Problematikë kohët e fundit është edhe ikja në masë e punëtorëve. Sektori i transportit është më specifik edhe te kjo pjesë, sepse një shofer do të paktën 2 vjet që të bëhet profesionist dhe të jetë në lartësinë e duhur për të drejtuar autobusin. Nuk jemi në gjendje të rrisim pagat në një afat të vazhdueshëm, pasi subvencioni është afatshkurtër. Nëse ka subvencion të vazhdueshëm, 1-2 vjet, mund të rrisim pagat dhe të mos kemi mungesë të stafit të punës”, tha Memaj.

Në lidhje me mungesën e subvencionit për Transportin Publik, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe jemi në pritje të një përgjigje, duke respektuar afatet ligjore për të Drejtën e Informimit.

Kërkesa për informacion dërguar MIE, 7 nëntor 2022

Ne bëmë një verifikim në terren më datë 8 nëntor rreth orës 8 të mëngjesit, ku pamë një numër të madh qytetarësh që prisnin në stacionë për të marrë autobusët.

Qytetarët që presin transportin publik në Tiranë, 8 nëntor 2022

“Vonohen shumë, ka raste edhe mbi 20 minuta”, thotë një qytetare, e cila priste linjën Qendër-Astir-Yzberisht.

Qytetarët që presin transportin publik në Tiranë, 8 nëntor 2022

Një tjetër qytetare, e cila priste linjën Qendër-Institut tha: “Mirë që vonohen, por edhe shtypemi me njëri-tjetrin. Në mëngjes dhe në darkë mezi gjen një cep të futesh në autobus. Nuk ndezin as ajrimin, mbytemi aty brenda. Kemi punë e halle dhe duhet ta përdorim se me shpirt nuk kisha hipur në autobus”.

Qytetarët që presin transportin publik në Tiranë, 8 nëntor 2022

Një një sondazh të hapur në rrjetet sociale nga Faktoje, pyetëm qytetarët nëse ka pasur përmirësim të cilësisë së shërbimit të transportit publik. Në përgjigjet e tyre, 81% e qytetarëve theksuan se nuk ka pasur përmirësim, duke shprehur me koment edhe shqetësimet e tyre.

Sondazhi i Faktoje

“Në Durrës copë-copë”, shkruan një prej ndjekësve të faqes sonë.

“Aspak, shërbim i dobët dhe rritje bilete”, ngre shqetësimin një tjetër qytetare.

Në muajin gusht, Faktoje raportoi se përfaqësuesit e transportit publik u tërhoqën nga vendimi për mbylljen e shërbimit, pasi qeveria u ofroi një subvencion 3-mujor.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img