Kur parlamenti miratoi ligjin mbi investimet strategjike në vitin 2015, qeveria mburrej se do të thithte investitorë të huaj në Shqipëri. Por në këto nëntë vjet, të ‘bekuar’ si investitorë strategjik janë kryesisht sipërmarrës shqiptarë. Të huajt numërohen me gishtat e njërës dorë. Qeveria planifikon të shtyjë për të pestën herë afatin e ligjit që u miratua si i përkohshëm. Njihuni me një kronologji të ligjit kontrovers, që nga promovimi, kundërshtitë e opozitës, rezervat e ndërkombëtarëve dhe paralajmërimi i ekspertëve për pasojat.

Esmeralda Topi

Në maj 2015, socialistët së bashku me aleatin e tyre qeverisës, LSI-në, miratuan me 73 vota ligjin mbi investimet strategjike

“Ligji ka në themel atë që quhet korsi e shpejtë në përqasjen administrative të investitorëve vendas e të huaj”, argumentonte Arben Ahmetaj, asokohe ministër i ekonomisë. 

Nisma synonte nxitjen dhe tërheqjen e investimeve strategjike, në sektorë kyç të ekonomisë, nëpërmjet procedurave favorizuese, lehtësuese apo përshpejtuese të mbështetjes e të shërbimeve ndaj investitorëve.

Statusi i investitorit strategjik i jepej çdo projekti në energji, transport, turizëm dhe bujqësi që investonte 30 milionë euro, apo 50 milionë euro për projekte me procedurë të veçantë. 

“Një investitor strategjik që investon mbi 50 milionë euro në një sektor, sigurisht që do të trajtohet me përparësi, sepse ekonomia ka nevojë për investime të drejtpërdrejta.’, sqaronte asokohe Arben Ahmetaj. 

Po ashtu, statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë” e përfitonin edhe projektet në sektorë që nuk ishin të përcaktuar në ligj me kusht që vlera e investimit të ishte 100 milionë euro. 

Nga viti 2016 e deri më 2023 numërohen 88 projekte që kanë kërkuar të përfitojnë statusin e investimit apo investitorit strategjik. Nga këta, 40 e kanë marrë statusin, 14 projekte janë refuzuar ndërsa 34 janë në fazë vlerësimi.

Pjesa me e madhe e këtyre projekteve janë në sektorin e turizmit. 

Ndonëse synimi i ligjit ishte thithja e investime të huaja, në tetë vite, përfitues rezultojnë vetëm kompani shqiptare, me përjashtim të “Durrës Yaht Marina“ nga investitori Mohamed Alabar, Emiratet e Bashkuara Arabe. 

Sa herë është shtyrë afati i ligjit?

E miratuar si një masë e përkohshme ligjore në 2015-n, nisma kishte si afat përfundimi dhjetorin e vitit 2018.  Por nga ajo kohë, afati është shtyrë disa herë, me argumentin se Ministria e Financave synon të hartojë një ligj të ri.

Për herë të parë, afati i ligjit u shty me propozim të Këshillit të Ministrave, ndërkohë që tri herë të tjera, shtyrja ka ardhur si propozim nga deputetë socialistë. 

Propozimi i fundit mban firmën e deputetit Eduard Shalsi, njëkohësisht Kryetar i Komisionit për Ekonominë dhe Financat. 

Amendimet në ligjin për investimet strategjike që propozon Shalsi parashikojnë: 

  • Të rritet në mënyrë të konsiderueshme vlera minimale e projekteve të investimit, të cilat aplikojnë për status strategjik në çdo sektor të klasifikuar strategjik sipas këtij ligji në një vlerë prej jo më pak se 50 milionë euro;
  • të detajohet procedura e paraqitjes së dosjes së projektit dhe vlerësimit të saj duke përmirësuar afatet e shqyrtimit dhe duke theksuar përgjegjësitë që ka çdo ministri linje; 
  • të zgjatet afati i paraqitjes së kërkesave nga subjektet investuese të interesuara për përfshirjen në procedurat për përfitimin e statusit “Investim/ investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë”, në zbatim të ligjit për investimet strategjike deri në datën 31 dhjetor 2027.

Propozimet e depozituara në Kuvend më 24 janar fillimisht do të shqyrtohen nga komisionet kuvendore e më pas do të kalojnë për miratim në seancë plenare. 

“Duke qene se interesi i subjekteve është ende shumë i lartë për këtë paketë ligjore dhe fluksi e stoku i investimeve të huaja në vend janë në shifrat më të larta krahasuar me 10 vjeçarin e fundit, me qëllim shmangien e krijimit të këtij boshllëku ligjor, si dhe të pasojave që mund të krijohen prej tij, është menduar zgjatja e afatit të paraqitjes së kërkesave deri në datën 31 dhjetor 2027” shkruhet në relacionin e depozituar në Kuvend. 

Të gjitha shtyrjet kanë pasur argument hartimin e një ligji të ri për investimet. Por shtyrja e fundit që propozon Shalsi me katër vite është paradoksale, pasi vjen tre muaj pasi financat lajmëruan hartimin e kuadrit të ri ligjor. 

“Po punohet gjithashtu për hartimin e një kuadri të ri ligjor për një ligji të unifikuar të investimeve, i cili synon ta bëjë Shqipërinë akoma edhe më tërheqëse për investitorët e huaj, duke stimuluar investimet në përgjithësi dhe investimet në sektorë prioritarë”, tha ministri i financave Ervin Mete, gjatë një takimi me Shoqatën e Investitorëve të Huaj në Shqipëri për klimën e biznesit në vitin 2023.

‘Klientelist dhe anti-pronë’ 

Opozita e ka kundërshtuar që prej fillimit ligjin kontrovers të investimeve strategjike. Në dhjetor 2022, deputetja demokrate Jorida Tabaku i propozoi Kuvendit pezullimin e ligjit. Por mazhoranca votoi kundër.  

Tabaku thotë se ligji është i qepur për inteteresat e një klientele të vogël dhe nuk ofron asnjë vlerë të shtuar për ekonominë.

“Ky ligj nuk ka asnjë rekord pozitiv investimesh të huaja nga 18 vendime të këshillit të investimeve vitin e shkuar veç 2 janë të huaj; nuk ka asnjë punësim shtesë, ka vec zaptim të pronës publike e asaj private”- Jorida Tabaku, Deputete e Partisë Demokratike.

Madje, sipas saj, ligji cënon Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, konkurrencën dhe tregun e lirë.  Ndërsa Zef Preçi që drejton Qendrën Shqiptare për Kërkime Ekonomike e vë theksin tek mungesa e transparencës.

“Në institucionet e shtetit shqiptar mungon thuajse plotësisht transparenca e arritjeve dhe problemeve të një dekade në këtë fushë, veçanërisht sa i takon krijimit faktik të vendeve të reja të punës dhe të hyrave buxhetore të siguruara nga zbatimi i kontratave të tilla”.

Zgjatja e afatit të zbatimit të ligjit, sipas Preçit, duhet ndaluar.

“Mjafton fakti që më shumë se 2/3 e kontratave të ngjashme të llojit PPP janë nën hetim penal dhe se mbi 95% e investitorëve “strategjikë” janë vendas, shumica pa asnjë përvojë në fushën e investimit të dhënë, që të kuptohet lehtë potenciali për cënimin e interesit publik”

Ola Xama gazetare ekonomie, njëkohësisht autore e emisionit investigativ Kronos, e cilëson si hap pas, shtyrjen për herë të pestë të afatit për Investimet Strategjike.

“Ligji përfundoi në ndarjen e tokave pa para ose me vlera qesharake, publike dhe private, për një dorë biznesmenësh vendas me histori suksesi në monopole ose në krimin e organizuar. 8 vjet nga zbatimi i këtij ligji nuk ka asnjë raport monitorimi të asnjë institucioni për ndikimin që ka patur në ekonomi. Asnjë!”, Ola Xama, gazetare ekonomie

Rezervat e DASH

Për statusin e investitorit strategjik ka ndarë rezerva edhe DASH. Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin e fundit të klimës së investimeve thekson diferencën e thellë mes përfituesve shqiptarë dhe atyre të huaj.

“AIDA, si Sekretariat i Këshillit Strategjik të Investimeve, shërben si one-stop-shop për investitorët e huaj, nga depozitimi i formularit të aplikimit deri në dhënien e statusit të investimit/investitorit strategjik. Pavarësisht legjislacionit mbështetës, shumë pak investitorë të huaj kanë përfituar nga statusi “Investitor Strategjik” dhe pothuajse të gjitha projektet u janë dhënë kompanive vendase që operojnë në sektorin e turizmit”, nënvizon raporti i DASH.

Departamenti Amerikan i Shtetit thekson: “Investitorët e huaj që aplikojnë për statusin e investitorit strategjik citojnë se përgjigjet nga AIDA janë të ngadalta”.